Universitetet, si të llogarisni mundësitë për të qenë fitues

SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Disa orë pas shpalljes së fituesve në universitete, ajo që e mundon më tepër shumicën e kandidatëve është pyetja: A e kap dot këtë degë me këtë renditje që kam?!

nikolla

Ndërkohë, nuk mungojnë dhe ata që janë në dilemë midis dy profileve dhe kërkojnë ndihmën e familjes e të njohurve. Nëse zgjedhin që tani, shpejtojnë e shkojnë në zgjedhje të gabuar.

Nëse presin, rrezikojnë dhe ato degë, pasi po nuk u regjistruan në fazën e parë, profili lihet automatikisht i lirë duke i kaluar një tjetri që ndodhet poshtë vizës së kuqe. E vetmja gjë që thotë udhëzimi i pranimeve në universitet është ndjekja e ecurisë së pranimeve pas çdo faze. Por, vetëm kandidati është ai që duhet ta gjejë të mesmen e artë, kohën sa duhet të presë për “zgjedhjen inteligjente”.

Përvoja me maturantët e viteve të shkuara, të pranuar me sistemin e ri, ka treguar që padurimi është gabimi më i madh që ata bëjnë. Nga frika e mosshpalljes fitues në degën që duan, ata regjistrohen direkt në një tjetër degë më pak të preferuar. Gabimi kuptohet pas pak fazash, kur vënë re që me pikët që kishin mund të kishin kapur degën në fjalë. Për të mbetur te pikët, një tjetër gabim është pretendimi.

Kandidati i njëmijtë në radhë (shembull) për një vend te Mjekësia e Përgjithshme nuk mund të presë pambarimisht për të qenë fitues aty, në një kohë që janë vetëm 260 vende. Edhe në rastin hipotetik, sikur të regjistrohen vetëm pak studentë në fazat e para, viza e kuqe nuk do të ulet kurrë aq poshtë. ILUSTRIMI Përpos këshillave praktike, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka postuar në rrjete sociale një video ilustruese me hapat teknikë që duhet të ndjekë çdo kandidat për të parë nëse është fitues apo jo.

Futja e ID-së së maturantit është veprimi i parë që siguron akses në faqen e Ualbania për një kandidat për shkollë të lartë, për t’iu shfaqur më pas të dhjetë degët që ka renditur në formularin A2, të ngjyrosura. Ashtu si semafori, e gjelbra është sinjali pozitiv, e kuqja tregon që nuk jeni fitues. Çfarë duhet të bëjë tani aplikanti? Krahas degëve dhe pikëve të grumbulluara, ka disa kolona që tregojnë rendin aktual në klasifikim dhe kuotat në fazën e ardhshme.

I vetmi shans për t’u hapur vende të lira është që fituesit në ato degë që ka renditur kandidati të regjistrohen në degë të tjera. Vetëm në rast se lirohen po aq kuota sa dhe rendi i kandidatit në klasifikim, hapet drita jeshile për këtë të fundit.

Sistemi i u-albania sinjalizon ngjyrosjen e degës me ngjyrë të verdhë, çka nënkupton se në fazën pasuese, kandidati, po të dëshirojë, mund të shkojë të regjistrohet. Pas këtij procesi, të gjitha preferencat e tjera në sistem shfaqen me ngjyrë gri. Nesër nis faza e parë e regjistrimeve në sekretaritë e fakulteteve, me shtatë faza 48-orëshe, deri në datën 12 shtator.

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.