Universitetet “në qarkoren e kuqe”/ Pas rritjes së rasteve me Covid shtyhet hapja pa afat

Nov 24, 2020 | 7:54
SHPËRNDAJE

ADA AZIZOLLI/ Auditorët e universiteteve do të vijojnë të jenë të mbyllur për të paktën edhe një muaj tjetër. Përkeqësimi i shifrave ka bërë që Komiteti Teknik i Ekspertëve të dalë me vendimin për të shtyrë me disa javë të tjera afatin e hapjes.

Gjatë një komunikimi me gazetarët dje, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se mësimi do të vijojë online dhe çdo vendim i ri do të jetë në varësi të vlerësimit që do të bëhet nga ekspertët. “Komiteti Teknik duke qenë gjithmonë i vëmendshëm për t’i paraprirë rëndimit të situatës, siç e kemi thënë që do të kishim një vlerësim të masave më intensitet të mesëm të marra më parë, ka vlerësuar që mësimi në universitete për shkak të situatës që është, do të vazhdojë online edhe për një periudhë, në varësi të vlerësimit dinamik që ne do të bëjmë”, tha Rakacolli. Por, ndërsa universitetet do të vijojnë të jenë në “qarkoren e kuqe”, për shkollat nuk ka ende një vendim. Rritja ditë pas dite e numrit të mësuesve të infektuarve nuk i ka bindur autoritetet, të cilat vazhdojnë të mos i konsiderojnë vatra infeksione institucionet e arsimit parauniversitar. “Në shifrat që ne jemi tani që vazhdojnë të mbetet në një nivel të qëndrueshëm nuk e diskutojmë për momentin sot mbylljen e shkollave. Por, është një gjë që ne e ndjekim çdo 24 orë. Nëse shifrat do të ndryshojnë dhe do të jenë brenda atyre numrave, të cilat kërkojnë masë të tillë, por unë e theksoj gjithmonë që shifrat janë të qëndrueshme dhe ajo që ne kemi parasysh është në përgjithësi mirëqenia e fëmijëve”, shtoi Rakacolli.

FICO

Duke bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se situata paraqitet në një nivel risku të shtuar. Nga të dhënat e këtij muaji, rezulton që në 1 mijë banorë 3 janë të infektuar. “Komiteti Teknik i Ekspertëve po vlerëson dhe po monitoron me vëmendje situatën e COVID-19 dhe ecurinë e epidemisë në vend. Ashtu siç kemi berë me dije çdo ditë në raportimin ditor, situata paraqitet në një nivel risku të shtuar për arsye të rritjes së rasteve pozitivë ditor, shprehur qartë me një rritje të incidencës 14 ditore, 301 persona për 100 mijë banorë”, tha Fico. Duke iu referuar fataliteteve, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik shtoi se raporti i fataliteteve me rastet pozitivë është 2.1% gjatë kësaj jave. Ndërsa, lidhur me gjininë më të prekur, femrat janë më të prekura me 52% dhe meshkujt 48%. “Moshat më të prekura janë 65-74 vjeç, ndjekur nga moshat 55-64 vjeç. Në grumpmoshën 0-4 vjeç nuk ka ndryshime përsa i përket incidencës, po ashtu edhe 5-14 vjeç është e njëjta situatë. Përsa i përket testimeve, numri i testimeve për persona, është siç e dini kemi thënë targeti 1/1000 banorë në javë, kemi kaluar në 5.8 në 1000 banorë në javë”

MASAT

Kujtojmë që prej javës së kaluar, Ministria e Shëndetësisë përmes një urdhri ka ndaluar të gjitha grumbullimet me më shumë se 10 persona në ambientet e hapura dhe ato të mbyllura, ceremonitë martesore si dhe organizimet përtej familjare të ceremonive mortore. Të ndaluara po ashtu janë edhe mbledhjet partiake dhe tubimet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura