Universitetet në kohë pandemie/ Si do të kombinohet leksioni online me mësimin në auditorë

Sep 30, 2020 | 14:49
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Tanimë ka një datë për fillimvitin e ri akademik. Ministrja e re, Evis Kushi, ka firmosur dje urdhrin e parë që ka të bëjë me hapjen e universiteteve, në datën 2 nëntor.

universitet

Vendimi vjen vetëm një ditë pas takimit të ministres me rektorët, ku, veç nisjes së vitit të ri, është folur edhe për modalitetet e zhvillimit të mësimit dhe detyrimet që duhen çuar përpara në kuadër të paktit të qeverisë me studentët. Deri atëherë ka përfunduar edhe procesi i pranimeve të reja me mbylljen e raundit të tretë dhe të fundit, ndërsa studentët e viteve të ndërmjetme japin provimet e fundit për t’u hedhur në vitin pasues.

SI DO BËHET MËSIMI

Ashtu siç është përfolur në mjediset akademike për nëntorin si muajin e mundshëm për nisjen e mësimit, ka edhe disa formate të gatshme për mënyrën sesi do të zhvillohet. Ashtu si shkollat, edhe në këtë rast, dihet vetëm data e fillimit, pasi ecuria e leksioneve e seminareve do të varet drejtpërdrejt nga shifrat e pandemisë në vendin tonë.

Kujtojmë që gjatë kësaj kohe, duke qenë se universitetet kanë qenë të hapura për vitet e dyta për përmbushjen e planeve mësimore, si dhe praktikat e laboratorët, janë shfaqur raste infektimesh në Universitetin e Vlorës dhe atë të Durrësit.

Një përhapje në masë, me gjasë, do të çonte në mbylljen e tyre për t’iu rikthyer mësimit online, sikundër po veprojnë klasat apo shkollat ku ka depërtuar Covid deri tani. Universiteti më i madh në vend, ai i Tiranës, e ka një skenar të gatshëm nëse ritmet e Covid-19 do të ecin me të njëjtat hapa.

Rektori i ri, Artan Hoxha, ka deklaruar se leksionet online do të kombinohen me mësimin në auditorë, ndërsa po punon për hartimin e një platforme uniforme për mësimin nga shtëpia ku të aksesojnë të gjithë studentët.

“Leksionet online do të kombinohen me mësimin fizik. Do mundohemi maksimalisht të përdorim auditorin dhe ta kombinojmë me mësimin online. Për këtë po përgatitemi, që të kemi një platformë të universitetit, jo më me platformë individuale. Po trajnojmë IT e fakulteteve, të jetë lehtësisht e përdorshme për pedagogët dhe studentët. Proceset që kanë të bëjnë me marrjen e dijes të studentëve, që janë seminaret, laboratorët, praktikat mësimore, ato kryesisht, duke qenë se janë në grupe më të vogla, të zhvillohen në auditorë. Kjo do të jetë zgjidhja më e mirë që të mbrohemi nga virusi, por edhe proceset mësimore të mos jenë fiktive”.

Ndonëse mësimi ka vijuar duke sjellë në auditorë vazhdimisht nga pak studentë, në UT nuk është raportuar asnjë student a pedagog i infektuar. Sipas Hoxhës, në rast se do të identifikohet një i tillë, do të merren masa të menjëhershme, duke nënkuptuar kështu mbyllje të një grupi a vitit akademik. Sa u takon tarifave të studimit, rektori përjashtoi rritje të tyre, teksa e bëri të qartë se as ulje nuk do të ketë, pavarësisht se studentët e kanë kërkuar. Të vetmit që do të kenë një lehtësim të vogël në masën prej 5 mijë lekësh janë studentët e masterit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura