Universitetet e askujt dhe askundit

Jan 11, 2018 | 10:32
SHPËRNDAJE

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-ViewerLUÇIANO BOÇI

I miratuar para gati tre vitesh, mes kontestimeve dhe protestave, Ligji  i Arsimit të Lartë, i trumbetuar nga maxhoranca si lokomotiva e reformës në arsim, është katandisur sot si “karroca e Dylit, me të cilën, e shumta, çuni-Ramë shkon me zor deri në Shijak pa paguar as paret e jo më të kalojë kufijtë. Ligji jo vetëm që nuk krijoi tregun e pretenduar të dijes, por prishi dhe frenoi dhe atë pak konkurrencë reale që ekzistonte, me gjithë të metat e kuptueshme të një fillimtregu të ri.

Njëkohësisht, rezultoi zhgënjyes jo vetëm për universitetet publike, por dhe për ata që u kryqëzuan më shumë në retorikën politike gjatë miratimit të tij, universitetet private (jopublike). Ky ligj, si askush tjetër dhe si asnjëherë tjetër në fushën e zbatimit të ligjit, vazhdon në kundërshtim me vetveten, të mos shoqërohet as me aktet e domosdoshme nënligjore, që ndoshta do të mund të zhbllokonin disa prej situatave absurde të prodhuara prej tij. Për këtë shkak, universitetet publike shqiptare përjetojnë një lloj amullie akademike e shkencore pa rrugëdalje dhe një braktisje përçmuese totale nga qeveria me ministrinë përkatëse si përgjegjëse kryesore të kësaj situate.

Zgjedhjet e organizuara me një këmbë në ligjin e vjetër dhe një në të riun, nuk e zgjidhën dot hutimin e prodhuar nga ky ligj, përkundrazi. Impakti i tyre ishte thjeshtë, ardhja në drejtim i individëve më së shumti të mbështetur politikisht e pak të vendosur si rezultat i vullnetit të stafeve, të cilët përpos dëshirave e iniciativave të mira të shprehura, sot nuk zotërojnë asnjë fuqi transformuese të institucioneve që drejtojnë, pavarësisht përpjekjeve. Vonesat dhe paqartësitë e krijimit të agjencive të parashikuara brenda ligjit, zbuluan hapur paaftësinë e një ministrie, që ende nuk e di se ku fillon akademizmi e ku mbaron shkenca.

Dualiteti rektor-administrator, senat-bord administrimi, kanë çuar në një përplasje herë të dukshme e herë të padukshme, që ka prodhuar një ngecje dramatike të produktit universitar. Diplomat sot janë më pak cilësore, më shumë inflacioniste dhe më të paorientuara në kontekstin ekonomik e social. Madje Ministria nuk u vendos në lëvizje as kur agjencia britanike, e pajtuar nga ajo brenda një telenovele disavjeçare, kunkludoi se në nivel institucional, universitetet publike qëndronin stade në shumë raste, më poshtë se universitetet private.

Në vend që ajo të lexonte qartë aty dështimin e Reformës së vet të zhurmshme dhe të shihte efektet e një ligji eunuk, e shndërroi rezultatin akreditues në argument për t’i nënshtruar ato më tej dhe jo në një mea culpa reaguese. Kësisoj, jo vetëm i klasifikoi ato si të askujt duke i sulmuar më tej, por dhe vazhdon t’i bllokojë me shumicën e drejtimit të bordeve që zotëron. Universitetet ende nuk kanë një përcaktim të statusit të tyre në terma ligjorë dhe mungon kodi i cilësisë e standardeve, nuk financohen sipas meritës, për shkak të mosveprimit të Ministrisë, që shkel ligjin e vet.

Disa janë dhe pa statute, pa komisione të përhershme dhe pa një perspektivë të qartë. Ajo pak autonomi u godit fatalisht me udhëzimin e denoncuar nr 27, të datës 29.12.2017, i cili detyron në mënyrë absurde strukturën e brendshme akademike dhe administrative të tyre. Një padije e tillë nuk është e rastit. Ligji i “karrocës së Dylit„ e përcakton në nenin 3, pika 4/a se, “Autonomia organizative dhe e perzgjedhjes se personelit garantohet nepermjet se drejtes per t’u veteqeverisur, per te zgjedhur organizmat drejtues, per te organizuar strukturat dhe rregulluar menyrat e ushtrimit te veprimtarisë se tyre nepermjet akteve te tyre te brendshme.” .

Kësisoj, ministria nuk i ka njohur vetes asnjë tagër ligjor për të përcaktuar strukturat e tyre. Ndërhyrja sipas parimeve të ligjit të vjetër, është pranim i dështimit spektakolar i ligjit të ri dhe reformës. Së paku, ministria të ishte orientuar për këtë gjë te përfundimet e agjencisë britanike, e cila në fokus kishte në vlerësim pikërisht dhe strukturën dhe që vërejtjet ia adresoi vetë IALve.

Mungesa e financimeve nga shteti, mungesa e kampuseve, moszbatimi i një ligji qoftë dhe i keq si është, atrofizimi i lirisë akademike, destabiliteti i bordeve të administrimit, po i shndërron dalëngadalë universitet e publike shqiptare, me gjithë rezistencën e shumë fakulteteve e stafeve të tyre, në magazina gjigante kalimi kohe për të rinjtë. Aty hyjnë e dalin me e pa inventarë të ashtuquajtur studentë dhe që qarkullojnë tekste dhe jo dije, por që në fund e marrin një biletë-diplomë për të udhëtuar më pas, me fatin e jetës në shpinë, në askundin e pafund të papunësisë e mosvlerësimit total.

Demotivimi ekonomik i stafeve, motivimi politik në disa raste dhe shndërrimi i tyre thjesht në mësimdhënës rutinarë, po vdes ngadalë ambicien shkencore dhe po rrëzon gradualisht nivelin e arritur me mundin e të rinjve të arsimuar në perëndim dhe të vjetërve me përvojë. Sforcot e drejtuesve vijon nga faqja 1 ambiciozë të rektorateve të dekanëve e drejtuesve të departamenteve, nuk mjaftojnë për të përmbysur panoramën. Pamja universale universitare, jo thjesht fizike, por dhe jetësore e akademike, po shkon gjithnjë e më shumë drejt një degradimi të qëllimshëm.

Disa prej tyre gati e kanë humbur dhe atë pak sharmë të injektuar me shumë sforco të quajturit universitet, brenda një rënie të lirë të pakthim. Dobësimi i tyre nuk është padije vetëm. Është pjesë e realizimit të një instinkti politik për t’i ndrydhur me qëllim që ato të mos jenë qendra të ideve, qendra të lëvizjeve sociale, qendra të inovacionit, qendra të zhvillimit ekonomik. Mjafton të vëzhgosh gjendjen e krijuar. Braktisja është totale, financiare dhe institucionale.

Studentët nuk kanë këshilla studentore, as organizata alternative. As financohen e as mbështeten. Mungojnë tërë- sisht aktivitetet domethënëse, duke i shtyrë të rinjtë drejt një spontaniteti dhe letargjie në emër të modernizmit. As kreditohen, as mbështeten financiarisht, as kanë kartën favorizuese dhe janë të zhveshur nga çdo gjë që mund të kenë sivëllezërit e tyre në rajon e më gjerë. Universitetet dhe kërkimi shkencor në to janë të keqfinancuar e keqorientuar.

Pengohen prej tre vitesh të nxjerrin doktorantë e të promovojnë titujt akademikë, ndërkohë që ligji e kushtëzonte ministrinë që 9 muaj pas miratimit të ligjit famëkeq, të miratonte listën e institucioneve që e kanë këtë të drejtë, sipas kritereve. Me pak përjashtime, të atyre që lidhen ngushtë me shkencën e aplikuar, universitetet publike dhe profesorët e tyre, janë përjashtuar me dashje, të jenë promotorë të jetës ekonomike, sociale e më gjerë.

Prandaj, universitetet sot nuk kanë zë. As dhe forcën që ndrydhet brenda tyre. I ka mbytur paaftësia dhe arroganca ministrore. Ato thjesht përdoren si tribuna nga ku Kryeministri ngre akuza politike ose bën furça politike, për arritje që vetëm ai i ka ndërmend ose më keq akoma i mëson se si e nga ku zihet rakia (shkenca). Tribuna, të cilat pas fjalëve, nuk i përkasin më askujt e nuk të çojnë askund.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura