Universitete, ja formula për pranimet te Mjekësia

Jan 15, 2016 | 15:15
SHPËRNDAJE

Në gjysmën e vitit shkollor, maturantët nuk dinë se si do të garojnë për të fituar të drejtën e studimeve të larta. Ministria e Arsimit nuk ka përcaktuar ende formatin se si do të kryhen pranimet këtë vit, pas miratimit të ligjit për arsimin e lartë.

Puna për këtë ka nisur këtë fillim muaji, ku MAS u ka lënë universiteteve kohë deri në fund të janarit të sjellin propozimet e tyre, të cilat do të publikohen pasi të jenë shqyrtuar. Mungesa e detajeve deri në muajin janar ka vënë në vështirësi maturantët për një nga zgjedhjet kryesore të jetës.

Fakulteti i Mjekësisë
Fakulteti i Mjekësisë

MJEKËSIA Teksa grupet e punës pranë çdo universiteti po punojnë për gjetjen e formatit të përzgjedhjes së maturantëve këtë vit, gazeta më- son verdiktin ende jozyrtar të mënyrës se si do të bëhen pranimet e reja për një nga universitetet më të lakmuara, Mjekësinë. Pas përmbysjes së maturës shtetërore, u aludua shumë për rikthimin e konkurseve, por një gjë e tillë është përjashtuar kategorikisht si mundësi për t’u pranuar në një nga nëntë degët e Mjekësisë. Këtë fakt e pohon rektori i universitetit, Arben Gjata, i cili jep më tepër detaje mbi formulën e përzgjedhjes.

“Grupi i ekspertëve po punon për kriteret që besoj do të bëhen publike në fund të muajit. Deri tani kemi vendosur që nuk do të zhvillojmë konkurs pranimi. Gjysma e pikëve do të jetë nga mesatarja e viteve të gjimnazit, ndërsa pjesën tjetër do ta kenë lëndët me zgjedhje që i mendojmë si të duhurat për formimin e përgjithshëm të një mjeku”. Ndonëse nuk janë definuar ende, fizika, kimia apo biologjia, për profilin e njëjtë me shëndetësinë do të jenë tri lëndët bazë, përfundimi me sukses i të cilave ngre peshë për ata që duan Mjekësinë. Veç tyre ekspertët janë në kërkim të një lënde të katërt, të domosdoshme për të plotësuar figurën e një mjeku të ardhshëm.

“Përveç fizikës, biologjisë e kimisë kemi menduar të shtojmë dhe një tjetër lëndë, pasi ne nuk përgatisim vetëm fizikanë, biologë e kimistë, por dhe njerëz që duhet të dinë të flasin shqip, të kenë kulturë e formim të përgjithshëm qytetar”, vë në dukje rektori i Mjekësisë, Arben Gjata. Prej më shumë se dhjetë ditësh, një grup pune me ekspertë të pavarur të rinj e me përvojë janë në kërkim të gjetjes së formulës që do të bëjë pranimet e reja, proces që duhet të përfundojë në fund të muajit. Ndërsa në muajin shkurt mendohet të përfundojë puna për riorganizimin e universitetit në funksion të përshtatjes me ndryshimet që sjell reforma në arsimin e lartë.

 

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura