Union Bank merr 5 milionë euro linjë kredie nga BERZH

Nov 3, 2017 | 10:30
SHPËRNDAJE

Union Bank i është bashkuar programit të BERZH për Lehtësimin e Tregtisë, duke forcuar në këtë mënyrë operacionet e saj të financimit në këtë fushë të rëndësishme të ekonomisë.

5G6A0012_e

Sipas një njoftimi zyrtar për shtyp të BERZH, dy partnerët afatgjatë nënshkruan një marrëveshje në Tiranë, më 31 tetor 2017.

Nëpërmjet marrëveshjes së kredisë, Union Bank do të lëshojë garanci për financimin e tregtisë në mbështetje të aktiviteteve të importit dhe eksportit të kompanive vendase, ku do të ketë theks të veçantë importi i teknologjive të avancuara dhe ai i shërbimeve që mbështesin tranzicionin e vendit në një ekonomi të gjelbër. Kjo në përputhje me qasjen TEGJ të BERZH për këtë problem.

DSC_9019_e

Përveç linjës së kredisë, Union Bank do të përfitojë nga BERZH edhe asistencë teknike për trajnimin e stafit që punon në sektorin e financimit të tregtisë, duke synuar kështu zgjerimin e përfshirjes së bankës në financimin e tregtisë të bizneseve shqiptare.

“Programi do të mbështesë ekonominë vendase në lehtësimin e tregtisë dhe në integrimin ekonomik ndërkufitar”, tha gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Charlotte Ruhe, drejtoresha e BERZH për Europën Qendrore dhe Juglindore. “Falë programit, bizneset shqiptare do të përfitojnë nga hyrja në tregje më të mëdha”, komentoi ajo.

Gazmend Kadriu, drejtor ekzekutiv i Union Bank, shtoi: “Union Bank po përpiqet prej kohësh për përdorim më të mirë të financimit të tregtisë nga bizneset shqiptare, shpesh duke përdorur kontakte direkte dhe pagesa me shtetet fqinjë, që janë njëkohësisht partnerët tanë kryesorë. Mes shumë elementeve të TFP është asistenca për trajnim e ofruar nga BERZH, që na bindi t’i bashkohemi programit. Ne shpresojmë ta përdorim sa më mirë këtë mbështetje duke e kthyer TFP në një sukses për bankën tonë dhe për klientët tanë”.

Që prej fillimit të aktivitetit të saj, në vitin 2006, Union Bank ka pasur rritje të vazhdueshme të biznesit dhe fitimit, duke qenë e fokusuar në nevojat bankare të individëve dhe të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, me një spektër të plotë të produkteve bankare. Rritja e qëndrueshme ndër vite ka bërë që Union Bank të ketë sot rreth 350 milionë euro asete.

Programi i Lehtësimit të Tregtisë i BERZH përfshin sot 96 banka partnere, në 26 vende europiane ku BERZH investon. Programi është zhvilluar në limite që kalojnë 1.5 miliardë euro dhe aktualisht ka më shumë se 800 banka konfirmuese në mbarë botën.

Nëpërmjet rreth 80 projekteve, BERZH ka investuar më shumë se 1 miliard euro në Shqipëri. Banka është sot aktive në të gjithë sektorët e ekonomisë, me fokus të veçantë në infrastrukturë, energji dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

https://www.unionbank.al/union-bank-merr-5-milione-euro-linje-kredie-nga-ebrd-per-financimin-e-tregtise/412

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura