“Unë të zhduk ty dhe çadrën! Dil në ballkon bëje plazhin”… Durrësi pa plazhe publike

Jun 18, 2018 | 23:35
SHPËRNDAJE

Emisioni “Stop” ka bërë një vëzhgim në plazhin e Durrësit për të parë se çfarë kushtesh ofron për pushuesit gjatë sezonit veror, megjithëse ka nisur prej kohësh.

Ajo që bie në sy është se për pushuesit nuk ekzistojnë hapësira publike, por vetëm private dhe me pagesë.

“Ne na prish punë të them të drejtën… rregulli dhe disiplina e plazhit. Këtu s’ka hapësirë as të ngulësh një hu për të mbjellë domate”, u shpreh një qytetar.

Ndërsa një tjetër tha: “Hapësirë për këta që kanë hotelet ka, se i kanë zënë, por për ne si durrsakë s’ka asnjë vend. Çdo gjë është e privatizuar, sepse këta paguajnë lekë dhe e kanë rregulluar me shtetin”.

Durrsakët shprehën shqetësim për mungesën e plazheve publike, pasi nuk kanë mundësi ekonomike për të paguar subjektet private.

Gazetarja madje mësoi se ditën e sotme pranë pistës “Kosova” kishte ndodhur një konflikt mes qytetarëve dhe subjekteve private përsa i përket hapësirave publike. “Ne gjithmonë na kanë lëvizur! Flasin ndryshe e veprojnë ndryshe! Nga Ura e Dajlanit e deri këtu nuk ke 1 metër katror plazh publik”, u shpreh i revoltuar një durrsak.

Po ashtu një qytetare tjetër e pohoi pamundësinë për të shfrytëzuar një plazh publik në zonën ku banon, duke thënë: “Do veja çadrën, erdhi ai i lokalit dhe më tha: ‘Unë të zhduk ty dhe çadrën! Dil në ballkon bëje plazhin!’”

Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm që mungon në këtë qytet janë kullat e vrojtimit. Pas një vëzhgimi të gjatë në vijën bregdetare, gazetarja mundi të gjente një të tillë, por nuk kishte punonjës dhe ishte kthyer në lodër.

E vetmja hapësirë pubike modeste përgjatë 3.5 km ishte në plazhin Iliria, ku më shumë kishte mbeturina se qytetarë.

Jani Tati, përgjegjës i Sektorit të Zhvillimit Urban në prefekturën e Durrësit, foli për një task forcë kontrolli për privatët që kanë tejkaluar hapësirat.

“Jo, ka disa vende publike. Ne po shikojmë që plazhet private në disa vende e kanë tejkaluar zonën e tyre dhe për këtë do të ndërhyhet. Do të merren masa që të ketë plazh publik”, tha përgjegjësi Tati.

Ndërsa përsa i përket kullave të vrojtimit dhe rojtarëve, zoti Jani tregoi se sipas VKM-së numër 321, vrojtimi është pjesë e punës së tyre.

Pyetjes së gazetares se nëse këto veprime duhet të ishin ndërmarrë para se të niste sezoni turistik, përgjegjësi i Sektorit të Zhvillimit Urban tha se sezoni këtë vit ka nisur para kohe.

Nga ana tjetër drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit, Adhurim Qehajaj fajësoi strukturat që janë marrë me vrojtimin dhe kontrollin e kësaj situate, që nuk e kanë ngritur këtë problematikë./tvklan.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura