“Unë tani qesh, se kanë kaluar 7 javë, por ditët e para…”/ U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, çfarë thoshte për virusin e rrezikshëm disa muaj më parë Kujtim Prodani

Jan 7, 2021 | 9:18
SHPËRNDAJE

kujtim prodani

“Populli thotë: Më jep një dhimbje që të të dhuroj një këngë. Unë tani qesh, se kanë kaluar 7 javë, por ditët e para shqiptarëve edhe globit iu venit buzëqeshja. Tmerri që na preku të gjithëve nuk mund të harrohet kaq shpejt, se është një virus, grip, sëmundje që tronditi shpirtin njerëzor. Edhe jam i bindur që në fund fiton njerëzimi, fiton njeriu”.

Kështu është shprehur disa muaj më parë kantautori Kujtim Prodani, për të sfiduar Covid-19, por edhe si një reflektim për njeriun dhe jetën.

“Ka qenë një periudhë e tensionuar. Kam ndjerë brenda shpirtit një lloj ofeze, kam qenë i fyer, sepse jam munduar të jem i lirë, sepse liria është gjithçka për krijuesin, edhe pse kam zbatuar të gjitha rregullat e instancave të larta”, thoshte Prodani, teksa nuk i shkonte ndërmend (askujt nuk i shkonte) se ky virus do t’i merrte më shumë se lirinë, vetë jetën.

Në një ditë shiu, larë me ujë të bekuar (sipas besimit ortodoks), u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare kantautori Kujtim Prodani.

Ai ishte shtruar para pak ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pasi ishte prekur me Covid-19, lajm të cilin e bëri vetë të ditur për miqtë e tij në “Facebook”, përmes një postimi nga shtrati i spitalit.

“Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe! Klinika ‘SHEFQET NDROQI'”, shkruante kantautori.

Ndonëse kishte shpresa të mëdha që shëndeti i tij të përmirësohej, në të vërtetë pati përkeqësim, çka çoi edhe në humbjen e jetës.

ARTISTI

Kujtim Prodani ishte unik në llojin e vet. Një artist që nuk iu shit për asnjë moment komercit, po krijoi për vete. Këngët e tij shquheshin për ngrohtësi, për tekste me fabul, larg banalitetit që ka përmbytur tregun muzikor, herë-herë edhe me ndonjë notë ironie apo humori.

I lindur në një familje artistësh të mëdhenj si këngëtarja Anita Take dhe kompozitori Agim Prodani, ai ia kushtoi gjithë jetën e tij muzikës. Ka krijuar kolona zanore filmash e shumë këngë. Ka qenë një pjesëmarrës i rregullt në Festivalin e Këngës së Radiotelevizionit Shqiptar, Kënga Magjike e shumë spektakle muzikore.

Ndër këngët e tij më të njohura janë “I am from Tirana”, “Shpirt i trazuar”, “Mikesha”, “Me sytë nga dera”, “Kjo është jeta”, “Ti ishe kryevepër”, “Rebelja”, “Si u bëmë kështu mikja ime”, “Flokët s’më janë zbardhur nga mosha”, “Prefiksi 5” e shumë të tjera, që e merrnin frymëzimin nga jeta e përditshme e shumë kishin karakter personal. Ai ishte një nga artistët më aktivë dhe vetëm pak ditë më parë, përmes një postimi në “Facebook”, njoftonte për shfaqjen e koncertit të tij “Koncert pa duartrokitje”, në RTSH 1, ditën e diel.

NGUSHËLLIMET

Ndarja nga jeta e kantautorit Kujtim Prodani ishte krejt e papritur. Mes shumë ngushëllimeve prej kolegëve e të afërmve, ishin edhe ato të politikanëve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shkruan:

“Një humbje e madhe për artin shqiptar! U shua sot kantautori ynë i shquar, artisti virtuoz dhe qytetari model, Kujtim Prodani, djali i dy prindërve të mrekullueshëm dhe artistëve të paharruar, Anita Take dhe Agim Prodani. Shumë dhimbje! Ngushëllimet më të ndjera të afërmve, komunitetit të këngëtarëve dhe të gjithë artdashësve. Këngët dhe muzika e Kujtim Prodanit do dëgjohen përherë!”.

Dhimbjen për humbjen e kantautorit e ka shprehur edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Nuk gjej fjalë të përshkruaj trishtimin që ndjej nga humbja e parakohshme e kantautorit Kujtim Prodani. Djali që i këndoi Tiranës, dashurisë, jetës, sot iu bashkua prindërve të tij të nderuar, Anita e Agim Prodani… Është shumë herët për t’u ndarë nga ky mik i mirë i të gjithëve. U prehsh në paqe!”, shkruan ajo në rrjetet sociale.

Përmes një postimi në faqen e tij në “Facebook”, Veliaj shkruan se ndarja nga jeta e Prodanit ka hidhëruar zemrat e të gjithëve që kanë admiruar talentin e tij.

“Kujtim Prodani e deshi aq shumë Tiranën, sa nuk u lodh asnjëherë së kënduari qytetit të tij. Sot, ai u nda nga jeta, duke hidhëruar zemrat e të gjithëve ne që kemi admiruar talentin dhe muzikën e tij unike. U prehsh në paqe! Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve!”, shkruan Veliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura