“Nuk doja ta vrisja por ndihesha i kërcënuar. Vjehrri më kërcënoi”. Kjo është deklarata që ka bërë 31-vjeçari Elton Metaj përpara togave të zeza ditën e sotme.
Korrespondentja e Panorama.al, Majlinda Rama ka mësuar deklaratën e dhënë nga i pandehuri në seancën gjyqësore këtë të martë për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij.
Përveçse e ka pranuar krimin, Elton Meta thotë se nuk donte që ta vriste por ndihej i kërcënuar. Sipas tij, vjehrri pra babai i Sabrina Metajt, e ka kërcënuar që t’i qëndrojë larg vajzës.
“Nuk doja ta vrisja por ndihesha i kërcënuar. Unë e doja dhe nuk doja që të ndërhynin familjarët në marrëdhënien tonë. Doja ta zgjidhnim vetë, unë e ajo, por vjehrri me kërcënoi t’i qëndroja larg vajzës. Armën e bleva” mësohet se ka thënë Elton Metaj brenda gjykatës.
Gjykata e Fierit ditën e sotme dha masën e sigurisë arrest me burg për Elton Metaj i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe vrasje për shkaqe familjare. I riu është shfaqur i rënduar nga ana psikologjike në sallën e gjyqit. Gjyqtare për këtë çështje ishte Olkeda Liçe, prokurore Eglantina Shehu dhe avokat nga gjykata, Dritan Dema.
Krimi i rëndë ndodhi disa ditë më parë në banesën e prindërve të viktimës, ku e reja ishte kthyer të jetonte bashkë me vajzën e saj të vogël pas divorcit nga 31-vjeçari Elton Metaj. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, pas arrestimit ngritën akuzën për “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” ndaj Elton Metajt.
31 vjeçari, banues në Peshtan ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”.
“U QËLLUA PAS SHPINE”
Nëna e vajzës mes lotësh tregon momentet e ekzekutimit kur autori shkoi në shtëpinë e tyre në fshatin Zhupan.
Valentina Bengaj deklaron mes lotësh se vajza po hante bukë kur 31- vjeçari Elton Metaj mbërriti i armatosur me armë automatike në banesën e tyre.
Pas trokitjes së fortë në derë, gruaja shprehet se vajza doli me gjithë pjatën në dorë, duke i deklaruar ish-bashkëshortit se nuk kishte punë me askënd por vetëm me të. Madje tha se i rrezikuar nga vrasja ishte edhe djali i saj i vetëm, por për fat të mirë, ai nuk ishte në shtëpi në momentin e krimit të rëndë.
Nëna e Sabrina Bengës deklaroi se kjo ishte hera e dytë që familja e saj terrorizohej nga Elton Metaj, ndërsa natën e së premtes në rrezik përveç të tjerëve ishte edhe nusja e djalit, shtatzënë.
“Është shumë e vështirë. Po vinte ora 22:20. Çdo natë, kur ishte turn i dytë apo kur ishte i parë, unë dilja sepse frikën e kisha nga ai njeri i poshtër. Lë hekurin dhe dal në rrugë. Ai ka bërë terror edhe vjet. Ishte hera e dytë me kallash që vinte në shtëpinë tonë. Vajzën e prita dhe po hante bukë, ndërsa unë po vazhdoja punën. Po hekurosja dhe derën e kisha lënë hapur se prisja djalin tim, kur e pash që hyri ai dhe trokiti fort. Thashë mos ishte Eltoni.
E pashë që po hapte derën dhe iu afrova dhe e mora me të mirë që të mos acarohej. I thashë aman, të lutem ik se 10 muaj i ke bërë burg, ik pa të parë njeri, mos bëj zhurmë. Ai më tha ku është ajo, për vajzën. Vajza tjetër e kisha këtu në dhomë. E dëgjoi që po bënte zhurmë dhe doli. Vajza doli me pjatë në dorë. I vuri automatikun, i tha do vish me mua. Në moment doli dhe nusja e djalit tim. Vajza i tha mos e godit këtë se është shtatzënë. Ai i tha të vijë djali, pra burri i saj dhe djali im. Sabrina i tha lëri ata, nuk ke punë me ata, hajde se ke punë me mua, jo me ata. Dhe pasi i tha këto fjalë, vajza u kthye prapa për të hyrë brenda. Ai e qëlloi nga pas me automatik. Më pas qëlloi jashtë”, u shpreh nëna e Sabrinës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al