Ultranacionalizmi serb në prehrin e një forumi

Aug 28, 2018 | 11:28
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiri-150x150LEONIDHA MËRTIRI

Më në fund, qeveria sh qiptare, nëpërmjet ministrit të saj për Europën dhe Punët e Jashtme, ka shprehur qëndrimin e saj ndaj korrigjimit të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Vetëm një ditë para kësaj, forumi i përvitshëm i Alpbachut në Austri, këtë radhë ra më tepër në sy për fanepsjen në punimet e tij të ultranacionalizmit serb i inkurajuar çuditërisht nga pjesëmarrës të këtij organizmi. U duk se misioni edhe i disa figurave të njohura ishte pikërisht ky. Mikpritësi i këtij forumi, Alexandwr van der Bellen, President i Austrisë, tashmë ngjante në një pozicion tjetër.

Johannes Hahn, nga ana tjetër, në vend që të reagonte ndaj këtij ultranacionalizmi, ishte gjithashtu në të njëjtin kor bekimi, duke u bërë më i besueshëm te serbët, si “mik i vërtetë i tyre” dhe se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk kishte gabuar në këtë vlerësim ndaj Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Europian. Një sfidë e hapur kjo dhe vetë ndaj këtij të fundit. Ç’po ndodh kështu? Flitet për normalizim të marrëdhënieve midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë apo ngrirje e mbajtje ndezur të prushit të marrëdhënieve të tendosura midis tyre.

Duket se tërë kjo shkon në hullinë e devijimit të procesit, të zhvleftësimit të tij. Dhe më tej. Kushti për pranimin e Serbisë në Bashkimin Europian, me njohjen e Kosovës, gjykuar edhe nga këto fakte, mbetet si një përrallë e së kaluarës. Sepse, edhe lëvizjet e deritanishme të saj zgjojnë së pari, dilemën: A është realisht Serbia për integrimin e vetë në Bashkimin Europian dhe vazhdimin e bisedimeve me Kosovën, siç pritet të rifillojnë ato muajin e ardhshëm?

Dhe, së dyti: Vetë BE-ja e ka seriozisht me kushtet që ka paracaktuar për të? Për rrjedhojë, është ndoshta edhe kjo luhatje, që numri i njohjeve të shtetit të Kosovës të mbetet në vend, duke u dhënë të drejtë vendeve që nuk e kanë njohur atë, kudo qofshin ato dhe në veçanti pesë shteteve anëtare të Bashkimit Europian( Rumania, Greqia, Qipro, Spanja dhe Sllovakia), pa folur për ndonjë vend tjetër të lëkundur, për t’u tërhequr nga njohja e deritanishme. Kosova është njohur deri më sot nga 116 shtete.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ky Tribunal më i lartë në OKB, më 22 korrik 2010 i vuri vulën vendimit për Kosovën, si shtet sovran, subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare. Por dhe pas kësaj, serbët nuk kanë heshtur, duke vënë në lëvizje jo vetëm diplomacinë, por dhe miqtë e tyre të njohur, të mëdhenj e të vegjël. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, edhe gjatë punimeve të forumit të mësipërm, duke marrë më tepër zemër prej tij, në një konferencë për mediat në Alpbach, ngulmoi në atë që “…ju na morët diçka në 2008-ën dhe sot mendoni se kini të drejtë. Por, mbi çfarë baze e bëtë këtë, me çfarë akti ndërkombëtar…?”

Lojërat, skenarët që enden e që mund të fshihen pas gjithë këtyre, çojnë në copëtimin, zhbërjen e Kosovës si shtet. Pra, serbëve u del mirë llogaria, një Kosovë nën sqetullën e tyre, duke e kthyer ëndrrën në vitet e mëparshme. Por, le të mbeten serbët në ëndrrën e tyre. Kosova është një problem prej kohësh i mbyllur, që nuk bëhet fjalë për kthim mbrapa. Vetëm probleme si, të të ashtuquajturit “korrigjim të kufijve” etj., mund t’i mbajnë ndezur ato. Sikurse dhe luhatjet e ndërkombëtarëve, madje dhe të disa misionarëve të vetë Bashkimit Europian, si në forumin e Alpbachut me qëndrimet ndaj Serbisë, të cilat e rritin me të drejtë shqetësimin.

Hutimi apo ngathtësia nga pala shqiptare, në Kosovë në veçanti, por dhe këtu, dashur pa dashur u jep krahë ëndrrave serbe, që shfaqen e inkurajohen në forma të ndryshme. Droja nga akuzat e rëndomta për paternalizëm apo çdo izëm tjetër, nuk mund ta tulatë kurrsesi diplomacinë tonë, politikën në përgjithësi të shtetit tonë, për të qenë sa më aktivë për çka u ndalëm në këtë shkrim dhe për të mbajtur qëndrimet e duhura, që rrjedhin nga detyrimet kushtetuese. Në këtë kuadër, ritheksojmë se rishikimi i kufijve nuk mund t’i normalizojë marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, ai vetëm do të rritte tensionet e do t’i thellonte konfliktet mes tyre dhe, për rrjedhojë, nuk do t’i shërbente qetësisë, stabilitetit në rajonin tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura