“Uljet dhe ngritjet” e prokurorit të Durrësit/ Në 2009-n e hetuan, problemet që i gjetën me pasurinë

SHPËRNDAJE

Prokurori Arian Ndoja e nisi karrierën në vitin 2001, për t’u shkëputur nga Prokuroria për katër vite, kohë kur ka ushtruar profesionin e avokatit.

arjan ndoj

Rikthimin në sistem, prokurori Ndoja e bëri si drejtues i Prokurorisë së Durrësit në janar të 2008-ës, por pas 10 muajsh nga marrja e detyrës, ai dha dorëheqjen, për shkak të një kallëzimi të bërë nga ILDKPKI, e cila akuzonte për deklarim të rremë. Nga ana tjetër, edhe Prokuroria e Tiranës nisi një hetim, të cilin e pushoi disa muaj më pas, duke bërë që Ndoja të rikthehej sërish në sistem.

Ndërkohë, dy vitet e fundit, prokurori i Durrësit, Arian Ndoja, ka qenë sërish në qendër të vëmendjes. Njëherë u akuzua drejtpërdrejt nga avokati Ilia Ilia, se njerëzit e tij e kishin dhunuar në dalje të Gjykatës së Durrësit. Ndërsa disa javë më parë, Ndoja u vu në qendër të sulmeve të Kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministrit, për shkak të hetimit të kreut të Kadastrës, Liridon Pula.

Në shkurt të 2009-ës, Prokuroria e Tiranës pushoi hetimin ndaj Ndojës, ndërsa pak javë më pas, Prokuroria e Përgjithshme e riktheu sërish në të njëjtën detyrë. Për këto vendime është shprehur ashpër dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë në atë kohë. Me anë të një deklarate zyrtare, ILDKPKI e konsideronte rikthimin në detyrë të Ndojës në kundërshtim me kodin e Etikës Administrative.

Sipas Inspektoratit, kishte prova shkresore të plota që vërtetonte deklarimin e rremë të tij dhe se vendimi i marrë nga Prokuroria, nuk ishte i drejtë. Arian Ndoja ka qenë i dyshuar për burim të paligjshëm në krijimin e të ardhurave në shumën 740 mijë euro gjatë një periudhe 4-vjeçare në profesionin e lirë të avokatit.

“Ky është rasti i dytë brenda një kohe të shkurtër që organi i Prokurorisë pushon procedimet penale për raste flagrante të deklarimit të rremë të pasurisë, të evidentuara me prova të plota shkresore nga ana e Inspektoratit të Lartë”, shkruante ILDKPKI në 2009-ën.

AKUZAT POLITIKE PËR PROKURORIN NDOJA

Prokurori Arian Ndoja është lakuar javët e fundit nga Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministri Erion Braçe, pas urdhrit të arrestit, që prokurori kishte lëshuar ndaj shefit të Kadastrës, Liridon Pulës. Duke e konsideruar arrestimin e këtij të fundit të padrejtë, Rama akuzoi prokurorin për bashkëpunim me grupet kriminale.

“Sa kohë kam që e them, këto kanë vënë pasuri marramendëse? Me çfarë i bërë zotrote, faturat e bixhozit në Monte Karlo? Nuk është pushim nga puna vettingu, por do të hetohet. Sot është prokuror dhe punon për organizatat kriminale e u bën shantazh nëpunësve të shtetit. Nuk arreston qeveria, arreston drejtësia dhe procesi i një drejtësie që arreston, është ky që po bëjmë”, tha Kryeministri disa javë më parë.

PANORAMA

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU