“Ulje e rrogës së deputetëve dhe heqje të privilegjeve”, deputeti i opozitës së re: Pse bëj këtë propozim

Nov 13, 2019 | 11:54
SHPËRNDAJE

erion-piciriiii

Deputeti i opozitës së re, Erion Piciri, ka paraqitur një nismë ligjore që kërkon ndryshime të pensioneve të deputetëve dhe statusin e këtyre të fundit. 

Në një komunikim me gazetën “Panorama”, Piciri është shprehur se ideja e tij ka lindur për shkak të diferencës së madhe mes pagave të deputetëve dhe trajtimit që ata marrin me atë që u ofrohet qytetarëve shqiptarë.

Ideja, që sipas tij do të kthehet në një projektligj, prek trajtimin e deputetëve kur ata janë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, por edhe pas përfundimit të mandatit në drejtim të shtesave që ata përfitojnë në pension.

“Uljen me 30% të rrogës së deputetëve. Tërheqjen e pagesës 470 mijë lekë të vjetra të karburantit dhe telefonit. Tërheqjen e mundësisë për strehim dhe kredi me lehtësira apo për të futur mallra pa doganë. Tërheqjen e gjysmës së rrogës deri në tre vjet mbas mbarimit të mandatit dhe të pensionit suplementar. Tërheqjen e mundësisë për kurim jashtë kur këtë nuk e gëzojnë as fëmijët e sëmurë rëndë të vendit. Kur Parlamenti lundron në mosbesim, i etur për përfitime dhe nënshtrim, instalohet më lehtë një regjim, vendi rreshket në degradim. Kjo nuk duhet lejuar. Më pak përfitime, më shume ide dhe parime kanë sjellë gjithnjë produkte më të mira politike. Deputeti duhet të jetojë me vështirësitë e vendit, të punojë në funksion të zhvillimit, të jetë i idealit dhe sakrificës, jo në rendje të përfitimeve të pushtetit”, shkruan ndër të tjera, Erion Piciri.

Deputeti i futur rishtazi në Kuvend, shprehet se pret momentin kur kjo iniciativë të bëhet projektligj, dhe kërkon të ketë mbështetjen e të gjithë deputetëve të tjerë, sidomos atyre të opozitës./PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura