Ulja e të ardhurave, FMN: Do të rishikohet buxheti

May 21, 2015 | 14:09
SHPËRNDAJE

Ulja e çmimit të naftës me efekte të pritshme në uljen e të ardhurave në buxhet, do të detyrojë qeverinë të rishikojë buxhetin. Të paktën këtë vlerësim bën Fondi Monetar Ndërkombëtar në dokumentin e fundit të publikuar dje lidhur me rishikimin e katërt të programit të mbështetjes që vendi ynë ka me të.

Shefi i misionit të FMN-së, Nadeem Ilahi

Në raport FMN vlerëson se impakti i uljes së çmimit të naftës në bursa do të ndihet në katër aspekte në vendin tonë. Raporti bën një përmbledhje të zhvillimeve kryesore në ekonomi, ku mes të tjerave ndalet edhe tek çështja e kadastrës fiskale. Krijimi i kësaj të fundit, për të aplikuar taksën e re mbi pronën, mbetet një tjetër objektiv i qeverisë i përkrahur nga FMN.

KATËR NDIKIMET
Së pari, çmimet e ulëta të naftës në bursa kanë dhënë efektin e parë në planin e rishikuar të investimeve të kompanive aktive në nxjerrjen e naftës në vend. “Prodhimi i brendshëm i naftës parashikohet të ulet në 2015 dhe prodhuesi më i madh ka përgjysmuar planet e investimit. Efekti negativ në rritje pritet që të kompensohet pjesërisht nga një rritje e konsumit dhe investimeve që nuk lidhen me naftën”, thuhet në raportin e FMN, duke theksuar se rritja ekonomike do të ndikohet modestisht. Së dyti, ndikimi i çmimeve të naftës pritet në inflacion dhe kjo në ulje të tij.

Së treti është rishikimi i të ardhurave në kahun ulës të tyre për 2015, duke reflektuar efektet direkte të çmimeve më të ulëta në taksat që vilen prej saj. “Ndikimi në përfitimet e kompanisë dhe të ardhurat e taksës së korporatave do të materializohen në 2016, për shkak të vonesave në raportim”, thuhet në raport. Së katërti, ndikim do të ketë edhe te llogaria korrente, por kjo në afatmesëm. FMN pranon në raportin e saj se rënia e çmimit të naftës në tregun shqiptar nuk ishte në të njëjtin nivel që ishte edhe në bursa, për shkak të strukturës së taksave.

“Rënia e çmimeve të shitjes me pakicë të naftës krahasuar me ndryshimet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka qenë relativisht e ulët, për shkak të taksave specifike të larta si akciza dhe pritet që të ketë ndikim pozitiv edhe pse disi të shuar në konsum”, thuhet në raport.

FMN në këtë pikë pranon pikërisht atë që u lakua aq shumë nga opozita dhe që sipas tyre janë pikërisht taksat ato që nuk e lënë çmimin që të bjerë në nivelin që rënia u reflektua në tregjet e tjera qoftë dhe ato fqinje. KADASTRA Taksa e re mbi pronën mbetet një opsion i qeverisë për të rritur të ardhurat, por bërja e saj efektive do të jetë vetëm në vitin 2017. Para se të aplikohet kjo taksë, e cila nuk do të ketë më formën që ka sot me një çmim fiks për metër katror, sipas tri zonave do të duhet të ngrihet kadastra fiskale. E për këtë qeverisë i duhet që të punojë dhe aktualisht ka kërkuar pranë Bankës Botërore një tjetër kredi që do të punojë për regjistrimin e të dhënave.

Me krijimin e kadastrës çdo pasuri e paluajtshme do të ketë një kod unik dhe automatikisht të llogaritur edhe taksën e re që do të jetë në bazë të vlerës së pronës, duke zbatuar përqindje mbi të. Vendosja e një takse të re të pronës iu propozua qeverisë, qysh para fillimit të programit trevjeçar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe deri më tani është ndër të paktat që nuk është aplikuar nëse i referohemi listës me 10 propozime.

RAPORTI I FMN

1. Inflacioni mbetet i ulët pavarësisht stimulit monetar.
2. Ka një rritje të kreditit për sektorin privat edhe pse të ngadaltë e lidhur kjo me kreditë e këqija.
3. Për të mbështetur një rritje të qëndrueshme, autoritetet duhet të shkojnë drejt konsolidimit fiskal.
4. Ka nevojë për një rritje dhe forcim të monitorimit jobankar.
5. Implementimi i reformave dhe qëndrueshmëria e sektorit energjetik do të ulë risqet fiskale.
6. Aplikimi i taksës së re mbi pronën fillon në vitin 2017, pas krijimit të kadastrës fiskale.
7. Çmimi i naftës do të japë katër impakte kryesore nga rritja ekonomike tek arkëtimi i të ardhurave.
8. Aplikimi i politikës së kujdesshme lehtësuese monetare është e duhura.
9. Duhet të gjendet një zgjidhje përfundimtare për kreditë me probleme. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura