Ulja e mesatares për degët e mësuesisë/ Agron Duka: Kemi ngecur në një rreth vicioz, duhet paguar më mirë…

May 27, 2022 | 17:25
SHPËRNDAJE

Kryetari PAA Agron Duka ka reaguar në lidhje me vendimin për të ulur mesataren e pranimit të studentëve në degët e mësuesisë.

agron-duka 

Duka shkruan në një status në rrjetet sociale se mesatarja u rrit në përpjekje për të tërhequr drejt këtyre degëve nxënës të mirë në mënyrë që të përgatisim mësues të mirë.

Ai thekson se sot shoqëria ndodhet në një rrjet vicioz ku kemi mësues të dobët që nxjerrin nxënës të dobët që bëhen më pas mësues të dobët.

“Sot mësuesi nuk është vetëm një profesion i keqpaguar, por edhe një profesion i degraduar, i denigruar, i përbuzuar.

Sot nuk ka frikë nxënësi nga mësuesi, por e kundërta. Ne duhet ta bëjmë profesionin e mesuesit dinjitoz, të respektuar, autoritar. Dhe këtë e ka për detyrë qeveria e para, pastaj familja dhe gjithë mjedisi shoqëror”, shkruan ai.

Statusi i Agron Dukës

Mësuesit duhet ti kthejmë dinjitetin dhe autoritetin, jo mesataren!

Kam ndjekur me vëmendje debatin publik këto dy ditët e fundit, pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për të ulur, apo më saktë rikthyer aty ku ishte, mesataren e pranimit të studentëve në degët e mësuesisë.

Mesatarja u rrit në një përpjekje për të tërhequr drejt këtyre degëve nxënës më të mirë, në mënyrë që të përgatisnim mësues më të mirë. Por kjo çoi në braktisjen e degëve të mësuesisë, pasi të rinjtë nuk i preferojnë. Pra, një përpjekje që dështoi.

Arsimi vazhdon të mbetet hallka më delikate e shoqërisë tonë. Nuk mjaftojnë shkollat e reja, më bojëra të ndryshme dhe kënde lojërash. Shkolla është ajo që bëhet brenda këtyre godinave. Cilësi shkolle nuk do të thotë cilësi godine.

Ne sot gjendemi në një rreth vicioz: Kemi mësues të dobët që nxjerrin nxënës të dobët, nxënësit e dobët bëhen studentë të dobët, studentët e dobët bëhen sërish mësues të dobët.

Si të dalim prej këtij rrethi?

Si ta përmirësojmë cilësinë e mësuesve që të rrisim cilësinë e mësimdhënies?

Ka vetëm një rrugë: Ta paguajmë më mirë dhe ti rrisim autoritetin mësuesit.

Sot mësuesi nuk është vetëm një profesion i keqpaguar, por edhe një profesion i degraduar, i denigruar, i përbuzuar. Sot nuk ka frikë nxënësi nga mësuesi, por e kundërta. Ne duhet ta bëjmë profesionin e mesuesit dinjitoz, të respektuar, autoritar. Dhe këtë e ka për detyrë qeveria e para, pastaj familja dhe gjithë mjedisi shoqëror.

Nëse një mësues ngre zërin në klasë për të vendosur rregull, nxënësit e filmojnë dhe videoja përfundon në rrjetet sociale e “media investigative”, ku shpërthen histeria e ministria e pushon direkt nga puna.

Çfarë mësuesi mund të jetë ky?

Prindër që i hakërrehen mësuesve nësë fëmija nuk del mirë me mësime, dhe harrojnë përgjegjësinë e tyre.

Kemi rrëshkitur të gjithë nga binarët. Qeveria, familja, media, shoqëria dhe sot endemi si ai që vjen vërdallë nëpër terr dhe pas disa orësh e gjen veten sërish aty ku u nis.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura