“Ulet tatimi dhe rritet me 2 mijë lekë paga minimale”/ Ministrja e Financave paraqet ndryshimet në paketën fiskale

Jan 13, 2022 | 7:50
SHPËRNDAJE

ulen pagat deklarimADA HAZIZOLLI/ Rritja e pagës minimale me 2 mijë lekë do të hyjë në fuqi në muajin korrik. Qeveria nuk u tërhoq nga vendimi, por mori më shumë kohë për vënin në zbatim të tij, me argumentin se hapat e nxituar mund të ndikonin negativisht në ekonomi.

“Paga minimale dhe rritja e deklarimit të tavanit të ardhurave, por edhe rritja e pagave për sektorë të tjerë të parashikuar në buxhet nisin nga 1 korriku i këtij viti. Niveli i pagave në subjektet private përcaktohet nga tregu. Ajo që mund të bëjë shteti në drejtim të politikave të pagave është përcaktimi i pagës minimale, gjithsesi duke u treguar të kujdesshëm që të mos marrë hapa të nxituara që do të ndikonin negativisht në ekonomi. Kjo është edhe arsyeja pse rritja e pagës minimale këtë vit është 2,000 lekë nga 30,000 lekë do të shkojë në 32,000 lekë, pasi ne duam të jemi të kujdesshëm që të mos rrisim pagat tej asaj që ekonomia mund të mbajë”, tha ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference për mediat.

Qëllimi është që deri në fund të këtij mandati, siç edhe u paralajmërua nga Kryeministri Rama, paga minimale të bëhet 40 mijë lekë. Rritja e pragut minimal do të reflektohet edhe në nivelin e kontributeve. Aktualisht pagesat e kontributeve të detyrueshme shoqërore llogariten 24.5 për qind nga të cilat 15 për qind mbulohen nga punëdhënësi dhe 9.5 për qind nga punëmarrësi.

Ndërkohë, për sigurimet shëndetësore detyrimi është 3.4 për qind nga të cilat 1.7 për qind i paguan biznesi dhe 1.7 për qind dhe pjesën tjetër i punësuari. Pra në total, 11.2 për qind e kontributeve paguhet nga vet qytetarët, ndërsa 16.7 për qind nga bizneset. Për pagën 30 mijë lekë ky detyrim për punëmarrësit është 3360 lekë, ndërsa për biznesin 5010 lekë. Me rritjen e pagës minimale me 20 mijë lekë detyrimi për qytetarët do të bëhet 3600 lekë, pra do të rritet me rreth 250 lekë, ndërsa për biznesin do të bëhet 5350 lekë, duke njohur një rritje me 350 lekë në muaj. Si një proces zinxhir kjo rritje do të reflektohet më tej në masën e pensionit që do të përfitohet. Pasi një pagë më e lartë e deklaruar do të sjellë rrjedhimisht një pension më të lartë.

TATIMI

Nga ana tjetër, prej 1 korrikut do të zerohet tatimi për pagat deri në 40 mijë lekë, ndërsa për pagat deri në 50 mijë lekë tatimi mbi të ardhurat do të përgjysmohet nga 13 për qind që është aktualisht në 6.5 për qind. Përmes paketës së re fiskale është parashikuar po ashtu edhe ndryshimi i fashës së sipërme të taksimit progresiv. Kështu, tatimi 23 për qind parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë në muaj, nga 150,000 lekë që është aktualisht. “Ne, në vijim të politikave të pagave që synojnë proporcionalitetin dhe taksimin e pagave me parimin ‘ai që fiton më shumë, paguan më shumë’, kemi ndërmarrë një sërë nismash në paketën fiskale që do të implementohet në vitin 2022, të cilat synojnë reduktimin e bazës së taksueshme dhe të taksave për shtresat me të ardhura më të ulëta dhe me të ardhurave të mesme. Sigurisht jeni në dijeni që tashmë kufiri i taksimit për të ardhurat personale nuk është më 30 mijë lekë, por nga data 1 korrik do të jetë 40 mijë lekë, ndërkohë që është përgjysmuar tatimi për individët që kanë të ardhura nga 40 deri në 50 mijë lekë dhe është rritur tavani i taksimit nga 150 mijë në 200 mijë lekë duke synuar, siç thashë dhe më sipër, që shtresa e mesme e popullsisë dhe shtresa me të ardhura të ulëta të ketë një reduktim të mëtejshëm të tatimit mbi pagat”, shtoi ministrja Inbrahimaj.

EKONOMIA

Lidhur me rritjen ekonomike, ministrja tha se për vitin 2021 parashikohet të jetë në nivelin 8.6 %, në rritje në krahasim me parashikimet e fillimit të vitit prej 5 % dhe parashikimet e muajit korrik me 7.6 %. Ky parashikim, vuri në dukje Ibrahimaj, mbështetet në përmirësimin e treguesve makroekonomikë dhe performancën e mirë të thuajse gjithë sektorëve ekonomikë.

Deklarimi i pagave, bizneset afat deri në 20 janar

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj iu kujtoi bizneseve se kanë afat deri në 20 janar që të deklarojnë pagat e punonjësve.

“Në vitin 2020, ndonëse ishte një vit shumë i vështirë, Administrata Tatimore arriti që të rrisë nivelin e pagave për 30% të tatimpaguesve, të cilët ishin targetuar si potencial të dukurisë së nën deklarimit të pagave. Në bazë të atij plani që është ndjekur më parë dhe sigurisht duke marrë parasysh atë që ndodhi në lidhje me pagat, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nën drejtimin e Ministrisë së Financave, por edhe me institucione të tjera të cilat veprojnë sa i përket informalitetin në paga, ka ndërmarrë një plan masash, i cili ka filluar me dërgimin e më shumë se 10,550 letrave për subjekte të cilët ne mendojmë që kanë risk në deklarimin e pagave. Gjithashtu, unë marr rastin të rikujtojë të gjithë bizneset që data 20 janar është afati i fundit i deklarimit të listë pagesave, si për biznesin e madh ashtu edhe për të voglin dhe në bazë të të dhënave dhe letrave që kemi dërguar presim që bizneset të bëjnë një reagim që në 20 janar për ndryshimin e atyre pagave të cilat janë të nën deklaruara”. Ministrja bëri të qartë se bizneset që nuk do ti përgjigjen apelit të qeverisë do të përballen me kontrolle të thelluara deri në hetime.

“Ajo që ndodhi gjatë dhjetorit, me të gjithë të keqen që e shoqëroi duke qenë se dolën të dhëna të cilat janë personale dhe sensitive, pati një efekt pozitiv dhe këtu i referohem sensibilizimit të njerëzve për nivelet e pagave dhe sensibilitetin e njerëzve për këtë dukuri. Është shumë e rëndësishme që deklarimi real të bëhet në bashkëpunim me biznesin dhe sidomos në bashkëpunim me individët. Janë individët ata të cilët me mos deklarimin e pagave apo me deklarimin jo real do të kenë efektet e tyre të cilat do të ndihen në mirëqenien e tyre dhe pensionet që do të marrin në të ardhmen. Nuk duhet menduar për sot por për të gjithë jetëgjatësinë e mirëqenies së familjeve. Ne kemi ndërmarrë një plan masash të cilat synojnë analizimin e të gjithë të dhënave të pagave, i cili ka filluar. Megjithatë, do të presim datën 20, do të presim se çfarë reagimi do të kenë bizneset në këtë deklarim në mënyrë që të vijojmë me vijimin e planit të masave të cilat do të finalizohen në kontrolle të thelluara apo deri në hetime”, tha Ibrahimaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura