Ulet taksa për Rrugën e Kombit, ja garancia që Ahmetaj i dha biznesit

Jun 7, 2018 | 9:33
SHPËRNDAJE

DORINA AZO / Taksa e Rrugës së Kombit për qytetarët dhe biznesin do të ulet nga sa parashikohej në kontratën fillestare me koncesionarin. Qeveria po negocion me koncesionarin për të ulur tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit për qytetarët dhe bizneset.

ahmetajjjjj-933x445Ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj, dje në një takim me biznesin e Odës Ekonomike të Kosovës, në kuadër të konsultimeve me grupet e interesit para vendosjes së tarifës, u shprehën se për ata që konsiderohen përdorues të shpeshtë, do të ketë ulje të tarifës. Për efektet lehtë- suese do të paguhen deri 50 milionë euro nga buxheti i shtetit.

AHMETAJ

Kostot e uljes së tarifës për përdoruesit e shpeshtë, si për qytetarët, ashtu dhe për biznesin, do t’i marrë përsipër buxheti i shtetit. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se efektet në buxhet llogariten në vlerën e 50 milionë eurove. “Janë gati 48-50 milion euro, që i merr përsipër buxheti i shtetit të Shqipërisë për periudhën e koncesionit, vetëm nga këto ndryshime që po mendojmë të bëjmë. Imagjinojeni se sa më shumë makina, kamionë e makina biznesi që të jenë, aq më shumë do paguajë buxheti i shtetit, sepse në finale është garancia që i ofron përmes koncesionit kompanisë koncesionare.

Lajmi i mirë është se ju nuk do të paguani aq sa mendohej në kontratën e parë. Kryeministri ka ngulur këmbë, ministri ka ngulur këmbë, në finale në kurrizin e buxhetit të shtetit vjen dhe ne e kemi pranuar. Pra, jemi në harmoni. Ideja është sa kosto do mbajmë dhe a e mbajmë dot atë kosto që themi ta mbajmë apo jo?! Pra, ky është diskutimi”, theksoi Ahmetaj.

gjiknuri

GJIKNURI

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, tha se ulja e tarifës për përdoruesit e shpeshtë do të jetë edhe për bizneset shqiptare dhe ato të Kosovës. “Ne synojmë që për ata që janë udhëtarë të shpeshtë, të kemi një zbritje dhe zbritja është duke u negociuar. Ne nuk do të bëjmë diskriminim te bizneset. Nëse është bërë një përjashtim për qytetarët e Kukësit, këto njihen dhe janë praktika në raport me komunitetet lokale për shkak të mungesës së rrugës alternative.

Nuk do të krijohet një konkurrencë e pandershme për shkak të kostove të shtuara të transportit dhe me biznesin do të jetë praktika e njëjtë, si për shqiptarët e Shqipërisë, ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës. Pra, këtë gjë ne e kemi parimore pasi me të drejtë, atëherë do të krijoheshin disbalanca të tilla”, theksoi Gjiknuri. Gjatë këtij takimi u pohua rëndësia e madhe që rruga Milot-Morinë, e njohur si Rruga e Kombit, ka për zhvillimin ekonomik të dy vendeve tona dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Palët u dakordësuan në qëndrime për nevojën emergjente që ka kjo rrugë për një mirëmbajtje sa më profesionale e të vazhdueshme, ashtu sikurse për aplikimin e sistemit tarifor të kalimit si garanci për këtë mirëmbajtje.

“Ne biem dakord që një tarifë duhet. Problemi është se si ta zbusim dhe mitigojmë këtë tarifë. Çdo gjë që ulet këtu, prapë e paguajnë qytetarët shqiptarë dhe këtë duhet ta kuptojmë, pra, buxheti i shtetit. Meqë u ngrit ky shqetësim, është bërë studimi dhe është nxjerrë kostoja e mirëmbajtjes dhe prandaj u detyruam të shkojmë te praktika koncesionare. Rruga do minimalisht 7 milionë euro në vit për mirëmbajtje dhe do dalë kjo shumë; ose do paguajnë gjithë shqiptarët ose përdoruesit e rrugës dhe kjo është e vërteta. Nuk janë kosto të fshehura ato”, u shpreh ministri Gjiknuri.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura