Ulet parashikimi për rritjen ekonomike, Denaj: Ra në 3.4%, efekt te të ardhurat

Nov 5, 2019 | 7:39
SHPËRNDAJE

Qeveria propagandon rritje ekonomike dhe ulje të papunësisë, por e vërteta në shifrat zyrtare është krejt ndryshe. Parlamenti ka miratuar këtë fillim jave aktin normativ të buxhetit 2019.

denaj kuvend

Gjatë prezantimit të ndryshimeve në buxhetin e vitit 2019, ministrja e Financave, Anila Denaj, deklaroi se qeveria ka rishikuar me ulje ritmet e rritjes ekonomike për këtë vit në 3.4%, nga 4.3% në fillim të vitit.

Ministrja Denaj pranoi se rishikimi me ulje i rritjes ekonomike do të shoqërohet me një nivel të ulët të të ardhurave, të programuara në buxhetin e këtij viti.

“Sektorët që kanë shënuar rritje të qenësishme pozitive në tremujorin e dytë të këtij viti, me kontribut më të lartë pozitiv, janë: industria nxjerrëse, ajo përpunuese me 15.6% rritje; industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me 4.4% rritje; ajo e produkteve të drurit dhe letrës, me 15.6 % rritje. Performancë të ulët kanë shënuar sektori i energjisë elektrike dhe ai i argëtimit e çlodhjes, ku bëjnë pjesë lojërat e fatit, të dyja me një efekt minus 1.6 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Ky ritëm më i ulët i rritjes ekonomike sesa ai i parashikuar për këtë vit, ka rritur edhe përgjegjshmërinë për të parë ritmin e rritjes së këtij viti, duke e korrigjuar atë në 3.4% në përfundim të këtij viti. Sigurisht, kjo do të sjellë një efekt negativ edhe në nivelin e të ardhurave ndaj parashikimit”, u shpreh ministrja e Ekonomisë dhe Financave.

Ndërsa qeveria ka miratuar shkurtimin e fondeve në buxhet dhe uljen e planit për mbledhjen e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, përsëri propagandon rritje të sektorëve të ekonomisë.

“Të ardhurat totale të mbledhura për 9-mujorin e vitit 2019 u realizuan në masën 301.3 miliardë lekë, 3.7% ose 10.8 miliardë më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u realizuan në vlerën 120.8 miliardë lekë, 2.5% më shumë se 9- mujori i vitit 2018. Të ardhurat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u realizuan në vlerën 180.5 miliardë lekë, ose 4.6% më shumë sesa 9-mujori i vitit 2018. Rimbursimi i TVSH-se është rritur +40% krahasuar me vitin 2018, ose +4.2 miliardë lekë. Të ardhurat e mbledhura nga DPT-ja për Kontributet u realizuan në masën 70 miliardë lekë, 5.8% ose 3.8 miliardë më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit 2018”, tha Denaj.

Por sipas të dhënave të 9-mujorit të këtij viti, Tatimet dhe Doganat mblodhën 5.8% më pak të ardhura se plani, duke e çuar boshllëkun për 9-mujorin në 7.4 mld lekë. Ajo çfarë shihet si më shqetësuese është rënia e TVSHsë së mbledhur nga Tatimet, që njihet si TVSH e brendshme dhe tregon konsumin në ekonomi. Për muajin shtator, të ardhurat nga ky zë janë vetëm 1.8 miliardë lekë, apo 45% më pak se plani.

Nga ana tjetër, arkëtimet nga Doganat janë edhe më larg planit. Të ardhurat nga akciza, TVSH-ja e importit dhe taksat doganore janë të gjitha në rënie. Për muajin shtator, nga ky institucion mungojnë 1,3 miliardë lekë, ndërkohë që për 9- mujorin dëmi arrin në rreth 5 miliardë lekë. Duket se qeveria në kulmin e aksionit kundër informalitetit dështoi të realizonte planin e të ardhurave në buxhet.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura