Ulet mosha, brenda javës nis vaksinimi i personave mbi 60 vjeç. Ja cilën vaksinë mund të bëjnë

Apr 5, 2021 | 11:18
SHPËRNDAJE

vaksin te moshuar

ADA HAZIZOLLI/ Kjo javë do të shënojë edhe fillimin e vaksinimit për personat mbi 65 vjeç si edhe ata mbi 60 vjeç që vuajnë nga sëmundje kronike.

Nga Fieri, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se me mbërritjen e dërgesës së radhës me vaksina nga “Pfizer”, si edhe sasisë së dytë me vaksina kineze “CoronaVac”, do të bëhet e mundur edhe ulja e fashës.

“Janë mbi 125 të moshuar të vaksinuar deri sot në qytete dhe në të gjithë fshatrat dhe zonat e thella, në ambulanca, pra, kemi bërë një shpërndarje 100% të vaksinave. Presim që java që vjen të kemi sërish vaksina të ‘Pfizer’ dhe gjithashtu serinë e ardhshme të ‘Sinovac’ që brenda javës që vjen pritet të mbërrijë për të hapur kështu dhe fashën +65, edhe +60 me të sëmurët kronikë”, tha Manastirliu.

Në harkun e pak ditëve, qeveria ka zgjeruar kategoritë që janë në radhë për vaksinimin duke devijuar nga Plani Kombëtar i Vaksinimit. Kështu, pa përfunduar mirë me mjekët, u njoftua fillimi i procesit të vaksinimit për të moshuarit mbi 80 vjeç, më pas në radhë u vendosën mësuesit dhe njëkohësisht me ta u ul pragu moshor për të moshuarit, nga 80 vjeç në mbi 70 vjeç.

Por kur nuk ka përfunduar procesi as për bluzat e bardha, as për të moshuarit mbi 70 vjeç dhe as për mësuesit u thirrën për vaksinën punonjësit e policisë dhe gazetarët. Ndonëse thirrja ishte për gazetarët dhe operatorët e terrenit, nuk munguan shfaqjet me injektim të dozës nëpër studio televizive.

TË DHËNAT

Jo më larg se dje u tha që brenda kësaj jave, procesi do të startojë për personat mbi 60 vjeç.

Nga të dhënat e INSTAT, janë 185 289 persona, të cilët i takojnë grupmoshës nga 60 deri në 64 vjeç, ndërsa 142 324 të tjerë i takojnë grupmoshës nga 65 deri në 69 vjeç. Pra, gjithsej 327 613 mijë persona, që po ashtu do të njoftohen për vaksinën.

SI DO TË NJOFTOHEN

vaksinimi plani

Edhe pse si urë lidhëse do të shërbente mjeku i familjes, çka do të thotë se paraqitja për vaksinën do të bëhej në vendin, datën dhe orën që do të komunikohej përmes mjekut të familjes, së fundmi ka ndryshime.

Numri gjithnjë në ulje i personave që paraqiten në pikat e vaksinat ka bërë që ministria të “liberalizojë” vaksinat.

Ishte ministrja Manastirliu, ajo e cila iu bëri thirrje personave mbi 70 vjeç që ende nuk janë lajmëruar të paraqiten në pikat e vaksinimit për të injektuar dozën e parë.

“Kam një thirrje për çdo të moshuar mbi 70 vjeç që ende nuk është lajmëruar nga mjeku i familjes, me kartën e identitetit, mund të paraqiten pranë qendrave të vaksinimit të përqendruar”, tha Manastirliu.

Në dispozicion janë 4 vaksina: “Pfizer”, “AstraZeneca”, “Sputnik” apo vaksina ruse si edhe vaksina kineze “Coronavax” dhe përzgjedhja e tyre do të jetë rastësore, çka do të thotë se do të injektohet ajo vaksinë që është gjendje. Së paku kështu është komunikuar zyrtarisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura