Ulen barrierat për biznesin, Ahmetaj: Gati njohja e certifikatave sanitare

Jun 13, 2018 | 8:14
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dje në takimin e drejtorëve të përgjithshëm të Administratës Doganore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, u shpreh se qeveria është duke marrë një sërë nismash për heqjen e barrierave doganore për bizneset. Ministri Ahmetaj tha se aktualisht fokusi është vendosur te njohja reciproke e certifikatave sanitare me Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.

ahmetaj

“Në kuadër të uljes apo heqjes së barrierave, të njohim disa certifikata të rëndësishme fitosanitare me Kosovën dhe jemi në diskutim për ta shtrirë me shumë vende të rajonit. Besoj se nëpërmjet qeverive tuaja, ju jeni njohur me debatet që qeveritë kanë për heqjen e barrierave jotarifore dhe për këtë do të duhet që secili nga vendet, në këndvështrimin tim, të bëjë atë që bën Shqipëria, që vendos në mënyrë unilatirale të heqë barriera jotarifore, të cilat në mënyrë jo shumë të zgjuar kthehen në pengesa për shkëmbimet tregtare”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri i Financave u ndal dhe te dixhitalizimi i Administratës Doganore. Ahmetaj tha se së shpejti do të nisë zbatimin platforma e dixhitalizimit të transaksioneve të biznesit.

“Administrata Doganore sot është pjesë e rëndësishme e këtij procesi për informatizimin dhe dixhitalizimin. Shumë autorizime të rëndësishme në dogana ofrohen online përmes portalit e-albania. Me 13 dokumente online që iu ofron sipërmarrjes në Doganë dhe Tatime, iu kemi kursyer atyre 56 vite kohë pritje në sportele. Kam dëshirë të ndaj me ju edhe një risi shumë të madhe, që ne po e shtrijmë në administratën fiskale, qoftë Tatimet dhe Doganat, i referohem si fiskalizimi, një platformë e re që do të integrohet në platformën e madhe e-albania. Pikë së pari, do të dixhitalizohen transaksionet biznes-biznes dhe biznes-dogana, por së fundmi kemi vendosur në një konsultë me drejtoreshën e Doganave dhe Tatimeve, që aty të fusim në mënyrë elektronike dhe të drejtpërdrejtë në llogarinë fiskale të sipërmarrjes edhe deklaratën e importit, së bashku me të gjitha faturat shoqërore. Kjo do të bëjë të mundur një skanim të thellë, të saktë, transparent të llogarive fiskale të sipërmarrjes”, u shpreh Ahmetaj.

Drejtoresha e Doganave, Belinda Ikonomi, informoi se deklarimi online, apo siç njihet ndryshe “dogana pa letra”, nis pas 30 qershorit. “Kemi bërë realitet nënshkrimin elektronik, që është element thelbësor i deklarimit on-line dhe që i paraprin procesit të gjerë dhe shumë të rëndësishëm të ‘doganës pa letra'”. Në këtë kuadër, ne përmbushim objektivin tonë, që pas 30 qershorit deklarimi doganor të jetë vetëm me deklarim on-line (pa letër). Vënia në zbatim e këtyre risive do të reduktojë në mënyrë të ndjeshme kohën dhe kostot për sipërmarrjen”, tha Ikonomi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura