Ukraina/ Kissinger shikon përtej luftës: Riintegrim të Rusisë në sistemin europian

Jun 28, 2022 | 18:19
SHPËRNDAJE

Ish-Këshilltari i Politikës së Jashtme amerikane, njëkohësisht dhe ish-Sekretar i Shtetit, Henry Kissinger ka prezantuar librin e tij të fundit, “Udhëheqja”, ku ka përfshirë disa shembuj të lidershipit politik në botë.

henrykissinger

Nga Adenauer te De Gaulle, nga Nixon te Sadat, nga Lee Kewan Yew te Margaret Thatcher janë disa prej shtetarëve që ai ka analizuar në veprën e tij dhe e ka prezantuar në një takim online.

Në moshën 99-vjeçare, Kissinger kujtoi Presidentin Vladimir Putin, të cilin e ka takuar personalisht dhe ka darkuar me të në shtëpinë e tij në Uashington.

“Unë e respektoja inteligjencën e tij, – kujton Kissinger për presidentin rus, – ai ishte një llogaritës i kujdesshëm nga pikëpamja e një shoqërie që ai e interpretonte si të rrethuar nga pjesa tjetër e botës. E pashë si një analist inteligjent të situatës ndërkombëtare nga pikëpamja ruse: kush do të mbetet i tillë dhe do të duhet të merret parasysh kur të përfundojë lufta”.

Sepse kjo është pika qendrore e arsyetimit të tij: pushtimi i Ukrainës duhet të mposhtet, “jo Rusia si shtet dhe si entitet historik”.

Dhe për këtë arsye, kur armët përfundimisht të heshtin, “çështja e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Evropës do të merret shumë seriozisht”.

Supozimi, thekson Kissinger, është se Rusia ka qenë pjesë e historisë evropiane për 500 vjet, ka qenë e përfshirë në të gjitha krizat e mëdha dhe “në disa nga triumfet e mëdha të historisë evropiane”: dhe prandaj “duhet të jetë misioni i diplomacisë perëndimore dhe asaj ruse për t’u kthyer në kursin historik për të cilin Rusia është pjesë e sistemit evropian. Rusia duhet të luajë një rol të rëndësishëm”.

Kjo është një mënyrë për t’iu përgjigjur pyetjes se si Rusia do ta shohë veten, “si një shtrirje e Evropës apo si një shtrirje e Azisë deri në skajin e Evropës”.

Kissinger tha se ishte i befasuar nga përmasat e sulmit rus në Ukrainë dhe, megjithëse nuk ka asgjë për ta justifikuar atë, ai zbulon se “Perëndimi nuk ishte shumë i ndjeshëm për t’i ofruar Ukrainës hyrjen në NATO, sepse kjo do të thoshte se e gjithë zona midis Murit të Berlinit dhe kufirit rus, do të ishin mbushur nga NATO, duke përfshirë territoret nga të cilat kanë nisur sulmet kundër Rusisë gjatë historisë”.

Por tani duhet të shihet se si t’i japim fund konfliktit:

“Po vijmë në një moment, – thotë ai, – në të cilin duhet të përballemi me çështjen e përfundimit të luftës si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ushtarak. Nuk mund të vazhdojmë thjesht të luftojmë pa asnjë objektiv”.

Kissinger, megjithatë, mohon të ketë këshilluar Zelenskijn të heqë dorë nga territoret në këmbim të paqes, siç i atribuohet: ai bën dallimin midis Krimesë dhe Donbasit, të aneksuar në vitin 2014, “me miratimin e Evropës dhe Amerikës”, dhe territoreve të pushtuara nga rusët pas pushtimit të 24 shkurtit: “Nëse Ukraina e privon Rusinë nga çdo pushtim, atëherë mund të fillojë një negociatë për marrëdhëniet e ardhshme”, – argumenton ai. Sikur të ulej edhe ai në atë tryezë bisedimesh…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura