“Ujqit e Toskanës bëhen grekë palikari”, protestë në Dragot kundër zhvarrimeve

Feb 20, 2018 | 14:44
SHPËRNDAJE

PIRO NASE/ Gjatë ditës së djeshme, një grup qytetarësh kanë protestuar në Dragot të Tepelenës kundër procesit të zhvarrimit të eshtrave të ushtarëve grekë, duke e cilësuar këtë proces si manipulim i historisë, shkruan “Panorama”.

zhvarrime

Disa shoqata patriotike, kryesisht nga kryeqyteti apo dhe vende të tjera të Shqipërisë, janë shprehur kundër gërmimeve për gjetjen e eshtrave të ushtarëve greke, të rënë në Luftën Italo-Greke të vitit 1941. Me pankarta në duar dhe në mënyrë paqësore, protestuesit u mblodhën nga qytete të ndryshme të jugut të vendit, por edhe nga zona e Maqedonisë dhe Greqisë.

Dje gjate protestes në Tepelenë
Dje gjate protestes në Tepelenë

Përmes apelimeve të kryera në prononcimet e bëra për mediat, protestuesit, shumë të paktë në numër, kërkuan ndërprerjen e gërmimeve pasi sipas tyre, në fshatin Dragot po falsifikohet historia. Protestuesit pretendojnë se eshtrat e gjetura nga gërmimet e ditëve të fundit, nuk u përkasin ushtarëve grekë, por atyre italianë, të cilët pasi pushtuan Shqipërinë, i shpallën luftë edhe Greqisë.

Me pankarta në gjuhën italiane, protestuesit shkruanin se “grekët po abuzojnë me zhvarrimet e ushtarëve, pasi eshtrat e gjetura janë të falsifikuara”. Sipas tyre, duke iu referuar fakteve, ato i përkasin një garnizoni italian të Luftës së Dytë Botërore, të quajtur “Ujqërit e Toskanës”.

Pas 120 minutash protestë, tubuesit janë shpërndarë paqësisht, duke mos krijuar asnjë incident me forcat e rendit, të cilat ishin përqendruar përpara parcelës së zhvarrimit të eshtrave duke krijuar një kordon pengues. Njëri prej tubuesve, Genti Bashko, kryetar i Forumit Patriotik “Djemtë e Gjirokastrës”, shprehet mjaft i zhgënjyer për numrin e vogël të pjesëmarrësve.

“Siç mund të shihet, nervi shqiptar po shteron sepse gjithçka ka lidhje me ekonominë. Këtu punojnë shqiptarët që zhvarrosin eshtrat e ushtarëve grekë, që erdhën si pushtues në Shqipëri dhe këtë punë e bëjnë sepse marrin rrogën. Nuk vijnë grekët, po shqiptarët. Qysh këtu ky vend ka marrë fund sepse nuk e ka më njeri mendjen te cenimi i kombit, por te cenimi i xhepit të gjithsecilit”, u shpreh ai.

Ndërkaq, protestuesit i kanë bërë thirrje edhe një herë qeverisë shqiptare, për anulimin e marrëveshjeve të ndërmjetësuara mes dy shteteve që kanë për produkt cenimin e dinjitetit kombëtar shqiptar, siç është procesi i zhvarrimit të eshtrave të ushtarëve grekë në territorin shqiptar. Edhe ditën që nisën gërmimet, më 22 janar, shumë qytetarë protestuan kundër këtij veprimi, madje u tentua dhe shembja e rrethimit ku po kryheshin kërkimet.

70 ZHVARROSJE

Procesi i zhvarrimit të eshtrave të ushtarëve grekë në fshatin Dragot vazhdon prej pesë javësh. Sipas informacioneve të siguruara në terren, bëhet e ditur se numri i ushtarëve të zhvarrosur ka shkuar në 70, ndërkohë që punimet janë ndërprerë për disa ditë si pasojë e kohës shumë të keqe me shi dhe furtunë, që mbizotëroi në fillim të këtij muaji.

Eshtrat e ushtarëve grekë, pasi zhvarrosen, paketohen në një qese plastmasi, futen në një kuti dhe më pas i vendoset emri i ushtarit, i cili identifikohet nga specialistët grekë. Procesin e zhvarrimit të eshtrave në terren e ndjekin punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Tepelenës, nën vëzhgimin e rreptë të specialistëve të të dyja delegacioneve të ministrive respektive, greke e shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura