Ujë apo ar?

Nov 15, 2022 | 8:05
SHPËRNDAJE

ANETA WOLTER

wolter_200k_0

Në mediat shqiptare dëgjova lajmin se një grup biznesmenësh italianë planifikon një projekt për të marrë ujë të pijshëm nga toka shqiptare dhe ta çojë me tubacione në Itali. U tremba! Ja pse: “Uji po bëhet më i çmuar se ari”, titullohet një studim i OKB-së për të ardhmen e ujit.

Bota po përballet me një mungesë uji të paprecedent në histori. Mungesa e ujit është pasojë jo vetëm e rritjes së popullsisë, përdorimit intensiv, ndotjes së jashtëzakonshme përmes industrisë, substancave toksike dhe bujqësisë, por edhe një pasojë logjike e ndryshimeve klimatike, të cilën Angela Merkel e quan “çështja e mbijetesës së njerëzimit”. Ne nuk po vuajmë ende nga etja në Evropën Qendrore – jo akoma! Por edhe në Evropën Qendrore ne po shkojmë drejt një emergjence uji. 1.1 miliardë njerëz në mbarë botën nuk kanë qasje në ujë të pijshëm të pastër.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se mund të jenë mbi 3 miliardë te tille nga mesi i shekullit. Mungesa e ujit të pijshëm nuk kërcënon vetëm rajonet e shkretëtirës dhe të Azisë. Pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe vendet e Mesdheut (ku bëjmë pjesë edhe në shqiptarët dhe jugu i Italisë) janë gjithashtu të prekura. Shekulli i 20-të ishte një shekull refugjatësh lufte. Shekulli 21 do të jetë një shekull i refugjatëve mjedisorë dhe ujorë. Po, pasi jeta nuk është e mundur pa ujë. Uji është një kryevepër e natyrës dhe një krijim unik i planetit tonë.

Shumë njerëz mendojnë se uji është i bollshëm në tokë. Kjo është tërësisht e gabuar. Në fakt, 75% e planetit tonë është e mbuluar me ujë. Por pamja është mashtruese, pasi vetëm 2.6% e burimeve ujore në botë janë ujëra të ëmbla dhe vetëm 0.6% janë të përdorshme. 2% janë të lidhur në akullnaja ne zonat polare dhe në dëborë ‘të përhershme’. Fakt është gjithashtu që sasia absolute e ujit në tokë është ‘përjetësisht’ konstante.

Është gjithmonë i njëjti ujë që kemi! Mund të kalojnë shekuj deri sa uji i shiut që depërton në tokë te dale nga një burim. Pra, kemi vetëm një ujë. Vetë fjala ‘ujëra të zeza’ thotë se ne vazhdimisht e harrojmë faktin që kemi vetëm një uji. Ne nuk mund ta rrisim ujin dhe gjithashtu – ndryshe nga burimet e energjisë – ta zëvendësojmë me asgjë! Por: Konsumi i ujit është trefishuar në mbarë botën në 50 vitet e fundit dhe aktualisht po rritet dy herë më shpejt se popullsia botërore.

Secili prej nesh sot përdor 8 herë më shumë ujë sesa gjyshërit tanë 80 vjet më parë. Uji i pijshëm së shpejti do të bëhet burimi natyror më i rrallë në botë. Shpresoj e kuptoni tani pak më mirë trembjen time kur lexova atë lajm. Uji nuk matet me vende të reja pune, por me ar në të ardhmen, siç thotë studimi i OKB-së. E vetëkuptueshme edhe ideja e biznesit e komshinjve tanë të mirë.

Por, për këndvështrimin tim, e papranueshme. Të mos harrojmë, ne nuk e kemi trashëguar ujin nga prindërit tanë – ne e kemi huazuar atë nga fëmijët tanë. Uji është pasuri kombëtare. OKB-ja e ka shpallur ujin një të drejtë të njeriut. Ndaj, as politika, as qeveria dhe as shoqëria civile nuk duhet të qëndrojnë indiferente kur bëhet fjalë për ujin. Vlerësimi për ujin vlen për të gjithë njerëzit e të gjitha brezave: Uji është jetë, uji është mirëqenie. Por uji është gjithashtu liri, drejtësi dhe siguri kombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura