UET, këndvështrim shkencor për reformat në ekonomi

Apr 28, 2017 | 14:22
SHPËRNDAJE

Universiteti Europian i Ti ranës organizon këtë fundjavë, 28-29 prill, Ditët e Studimeve Shqiptare 2017, një konferencë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e studiuesve të huaj dhe vendas me temë: “Rimodelimi i reformave për një model të ri të rritjes ekonomike-studimi i Shqipërisë – ekonomia, politika, zhvillimi social, perspektiva e së ardhmes”.

I ftuar nderi në këtë edicion është Reinhard Priebe, ish-drejtor i Komitetit të Jashtëm të BE-së, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor 2001 – 2006. Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici, thotë se ky edicion i DSSH-së i është kushtuar sfidës aktuale të Shqipërisë me zhvillimin ekonomik e social.Ardian Civici

Këtë fundjavë UET organizon “Ditët e Studimeve Shqiptare” për të katërtin vit radhazi, çfarë synon kjo konferencë shkencore?

Orientimi dhe qëllimi kryesor i aktivitetit “Ditët e Studimeve Shqiptare” duhet parë në tri plane kryesore. Së pari, angazhimi serioz në punë kërkimore-shkencore i pedagogëve dhe akademikëve të UET, në tema e subjekte kërkimore të vlefshme, në përputhje me nevojat e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Formaliteti dhe fiktiviteti janë gjërat më të fundit që mund të mendohen kur flitet për angazhim në kërkimin shkencor. Së dyti, angazhimi në kuadrin e partneriteteve dhe bashkëpunimeve të mjaft akademikëve dhe ekspertëve të huaj të nivelit të lartë për të studiuar problematikën shqiptare. Me eksperiencat e tyre shqiptare, por dhe me eksperiencat shkencore e metodologjike, ne garantojmë cilësinë dhe standardet e një kërkimi të vërtetë shkencor. Së treti, duke investuar rreth 750 mijë euro në vit në kërkimin dhe botimet shkencore, UET mbetet në pararojë për vlerësimin dhe financimin që i bën kërkimit shkencor në funksion të kontributit pozitiv që duhet të japin universitetet dhe shkenca për zhvillimin e vendit.

Tema e zgjedhur është: “Rimodelimi i reformave për një model të ri të rritjes ekonomike”, sipas jush çfarë e bën aktuale një temë të tillë?

Sfida aktuale e Shqipërisë është zhvillimi ekonomik e social, dhe problemet më madhore mbeten: rritja ekonomike dhe një model shkencor i saj, eliminimi përfundimtar i varfërisë, tërheqja dhe krijimi i kushteve optimale për sa më shumë investime e financime, qofshin këto investime publike, IHD apo investime private, sigurimi i një strategjie të qartë zhvillimi për dekadën apo dy dekadat e ardhshme. Gjithçka varet nga cilësia dhe standardet e reformave që kemi ndërmarrë apo duhet të realizojmë në vitet në vazhdim. Përpjekja për t’i analizuar në mënyrë shkencore këto sfida dhe tentativa për të dhënë përgjigje shkencore për to, ka qenë arsyeja përse në UET u zgjodh kjo temë si boshti referues i aktivitetit. Nevoja dhe domosdoshmëria për të dalë përtej këndvështrimit vetëm shqiptar, bëri që të ftojmë për bashkëpunim dhe mjaft studiues të huaj me reputacion, të angazhuar gjerësisht në problematikën shqiptare dhe rajonale.

Si mund të orientohet kërkimi shkencor si shërbim në interes të publikut? A janë Ditët e Studimeve Shqiptare një rrugë drejt këtij qëllimi?

Kërkimi shkencor përbën një sfidë globale, përbën forcën më të madhe zhvilluese. Vendet dhe popujt në të gjithë botën po përballen çdo ditë e më tepër me sfida e synime që kërkojnë “përgjigje” e “zgjidhje shkencore”. Kërkohen buxhete e financime më të mëdha, njerëz e ekspertë të specializuar e përkushtuar, ruajtje me përgjegjshmëri maksimale të interesave publike përtej interesave lobiste e klienteliste, kërkohen zgjidhje, teknologji e inovacione që shohin shumë më larg se përditshmëria e statuskuoja. Javën e kaluar, në 500 qytete të botës, si Nju Jork, Paris, Londër, Montreal etj., u zhvilluan manifestime të fuqishme “në mbrojtje të shkencës dhe kërkimit shkencor”. Shkenca dhe kërkimi shkencor nuk duhet të jenë viktima të kufizimeve buxhetore, të interesave politike apo atyre klienteliste. Sot njerëzimi ka nevojë për “përgjigje e rekomandime shkencore” për çështje nga më madhoret të ekzistencës së tij. Ditët e Studimeve Shqiptare në UET janë një reagim e përgjigje modeste shqiptare në këtë frymë. Kërkimi shkencor nuk është qëllim në vetvete dhe as medalje formale për tituj dhe grada shkencore e akademike, por është forcë dhe energji pozitive zhvillimi në favor të interesave publike. Në këtë sens, jemi orientuar si përpjekje e pedagogëve të UETit, bashkëpunëtorëve dhe partnerëve tanë në Shqipëri dhe në botë, për të prodhuar rezultate shkencore në favor të pikëpyetjeve të mëdha e të vogla me të cilat na sfidon çdo ditë realiteti shqiptar. Vetë tema e zgjedhur flet për përgjegjësinë shkencore që merr përsipër një aktivitet shkencor siç janë Ditët e Studimeve Shqiptare. Shpresoj që rezultatet dhe konkluzionet më të mira të tij të shërbejnë si rekomandime në politikat ekonomiko-financiare nga institucionet shqiptare.

Cilët do të jenë referuesit kryesorë në këtë konferencë? Pse Shqipëria, si rast studimi, përbën interes për këta studiues?

Konferenca është e organizuar në disa akse kërkimore e fusha kërkimi, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe tregtinë, problematikën e tregjeve dhe institucioneve financiare, sfidat moderne të menaxhimit, problematika sociale dhe politikat sociale, çështjet e sigurisë dhe gjeopolitikës, roli i shkencës dhe inovacioneve, cilësia e kapitalit njerëzor, funksionimi i ligjit dhe shtetit ligjor, etj. Përveç studiuesve të spikatur shqiptarë, në këtë event marrin pjesë dhe mjaft studiues të huaj si, p.sh. Reinhard Priebe nga Komisioni Europian; prof. Niko Carpentier nga Uppsala University; Bozhidar Todorov, CEO, FIB; prof. Vaia Doudaki, Uppsala University; Anna Triandafyllidou, prof. Paul G.Nixon, Hague University; prof.Aniko Klemen-Erdos, Obuda University, etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura