“UET i dekadës së dytë” me 5 fakultete dhe shumë degë të reja

Sep 8, 2018 | 14:49
SHPËRNDAJE

Pas Fakultetit të Shkencave Sociale, Fakultetit të Drejtësisë dhe Ekonomisë, Universiteti Europian i Tiranës do ketë edhe dy fakultete të reja: Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike dhe Fakultetin e Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. UET, në 12 vite sukses. Si e kujtojnë rrugëtimin themeluesi Henri Çili dhe profesorët. Zëvendëskryeministrja Senida Mesi: UET ka kontribuuar për brezin e ri.

Rektori Gjuraj, një nga themeluesit e UET, Çili, presidenti Civici dhe administratori Agalliu, dje gjatë promovimit
Rektori Gjuraj, një nga themeluesit e UET, Çili, presidenti Civici dhe administratori Agalliu, dje gjatë promovimit

Salla është e njëjta, por UET nuk është më ai i vitit 2006, kur katër liberalët dhe themeluesit, Henri Çili, Ermal Hasimja, Adri Nurellari dhe Blendi Kajsiu, nisën rrugëtimin me hapjen e një universiteti privat. Skepticizmi zinte vend te gjithkush asokohe, pavarësisht koperturës në raste të tilla, ku të uronin sukses. Dymbëdhjetë vjet më pas, Universiteti Europian i Tiranës zgjodhi të bëjë publik zyrtarizimin e shtimit me tri universitete të tjera dha lajmi u dha në të njëjtën sallë kur nisi rrugëtimin e saj.

Dje, gjatë promovimit të fakulteteve dhe degëve të reja në UET
Dje, gjatë promovimit të fakulteteve dhe degëve të reja në UET

“Ndihem sot i emocionuar nga prezenca e kaq shumë profesorëve senjorë të klasës, ose korporatës akademike shqiptare të krijuar në vite, sidomos në fushat e reja, në të cilat ne po hapemi, inxhinieritë, mjekësitë, artet dhe gjithë elementët e tjerë. Dua ta nis pikërisht këtu, me idenë se si, si universitet jemi përpjekur që përvojën e krijuar së brendshmi dhe në mjedisin akademik shqiptar ta shfrytëzojmë më së miri.

Prandaj, kjo ardhje ose kjo dekadë e dytë e UET në këtë format më polivalent më bën të besoj se aventura që nisëm 12 vjet më parë në këtë sallë, nuk do të jetë më me termat e aventurës për dekadën e dytë, por ofron një garanci shumë të fortë, për prindërit, për studentët, për aktorët shoqërorë”, tha Henri Çili, themelues i UET. Gjithçka zuri vend këtu e 12 vite më parë, ku besimi në sukses nga ata që e shihnin nga larg ishte i ulët, por katër themeluesit, stafi pedagogjik dhe mbi të gjitha idetë e qarta kush ishin dhe ku do të arrinin, sollën suksesin e një universiteti elitë në vendin tonë.

SUKSESI SI SYNIM

Nëse në atë sallë do mbetej vetëm suksesi i së shkuarës, ky nuk është qëllimi, pasi idetë, mundësitë dhe promovimi i vlerat për të ardhmen janë qëllimi i UET. “Ne duam, kemi qëllim, kishim qëllim dhe kemi aq më tepër në të ardhmen që të jemi cilësorë, të jemi të besueshëm dhe të ndërtojmë një histori ose një kurrikulum në arsimin e lartë shqiptar”, tha Henri Çili, ndërsa shtoi se: “Plotësimi i kuadrit thuajse të plotë të fushave dhe disiplinave tona, që quhet ‘UET-i polyvalent’, është një mundësi për të gjithë pa përjashtim për të gjithë, duke filluar që nga profesorët senjorë, deri te studentët e rinj, për të bashkëvepruar me UET për një ide, projekt, shkollim për gjithçka që sinjifikon universitetin në një shoqëri demokratike dhe të zhvilluar”. Për një nga dekanët e parë të Fakultetit të Shkencave Sociale, prof. Tonin Gjuraj, ai moment i vitit 2006 me shumë të panjohura, por me ide të qarta, nuk shqitet nga kujtesa, kur suksesi në vetëm 12 vitet e ka emrin UET. “12 vjet më parë, unë kam qenë në këtë sallë kur është themeluar Universiteti Europian i Tiranës bashkë me 4 ish-themeluesit. Ne ishim të vegjël në atë kohë, se kishim vetëm dy fakultete, Fakultetit i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Drejtësisë. Një vit më vonë hapëm Fakultetin e Ekonomisë. Sot jemi këtu për të ndarë me ju kënaqësinë e veçantë, finalizimin e një procesi rreth tre vitesh diskutimesh, të nxehta, të gjata, brenda institucionit, jashtë institucionit, me Ministrinë, ku në fund ne do kemi 5 fakultete”, tha Gjuraj. Universiteti Europian i Tiranës do ketë edhe dy fakultete të reja, Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike dhe Fakultetin e Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës.

Isuf Kalo, dekani themelues i Fakultetit Dje, gjatë promovimit të fakulteteve dhe degëve të reja në UET të Shkencave Mjeksëore dhe Teknike
Isuf Kalo, dekani themelues i Fakultetit
Dje, gjatë promovimit të fakulteteve dhe degëve të reja në UET të Shkencave Mjeksëore dhe Teknike

MESI: UET, KONTRIBUT PËR BREZIN E RI

Zv.kryeministrja Senida Mesi
Zv.kryeministrja Senida Mesi

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi, në fjalën e saj në këtë ditë të veçantë për UET, i vuri theksin kontributit të këtij universiteti në lidhje me brezin e ri. “Unë besoj që suksesi në gjithë sistemi arsimor do e ketë elementin se çfarë bëjmë ne në lidhje me brezin e ri. Të gjithë këtu të nderuar kolegë, të nderuar pedagogë, akademikë, keni marrë një punë të vështirë përsipër, është pikërisht ajo e transmetimit të dijeve, që brezi i ri sot të marrë atë çfarë i duhet për t’u bërë nesër më të mirë nga çfarë jemi ne sot”, tha zëvendëskryeministrja Senida Mesi, teksa kujton një shprehje të vjetër latine, “Nuk mësojmë për shkollën, por mësojmë për jetën dhe unë besoj që UET e ka realizuar një gjë të tillë, nëpërmjet programeve të bashkëpunimit, nëpërmjet bashkëpunimit me biznesin dhe me institucione rajonale dhe ndërkombëtare”.

Numri dy i qeverisë shqiptare u ndal edhe në nismat e qeverisë dhe mënyrën si e sheh bashkëpunimin në trekëndëshin e suksesit. “Besoj shumë në bashkëpunimin mes qeverisë si politikëbërës, si hartues i strategjive dhe politikave, në bashkëpunim me universitetet, si ato të cilat bëjnë kërkimin shkencor dhe ofrojnë platforma dhe teza të gatshme, duke filluar puna kërkimore e pedagogëve, profesorëve, por edhe studenteve të nivelit master apo doktoraturës”. Për zëvendëskryeministren, sfidat janë të shumta ku Shqipëria ka sfidën e integrimit në BE dhe shumë reforma po ndërmerren drejt këtij drejtimi.

“Kemi reformat tona të brendshëm, të cilat unë i ndjek çdo ditë, në lidhje me administratën publike, shërbimet publike, ndaj dhe përgatitja juaj të nderuar studentë mund të jetë një avantazh për ne si qeverisje nesër, pasi do jeni ju nesër me shumë shpresa që do merrni në dorë fatet e vendit dhe t’i çoni ato në një zhvillim tjetër”, shtoi Mesi. Tashmë, UET ka nisur një rrugëtim të ri me pesë fakultete, për synimin e madh në formimin e brezit të ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura