UEFA korrigjon gabimin, i heq sërish pikët Serbisë. FSHF: Jemi pas Danimarkës

Jul 16, 2015 | 8:39
SHPËRNDAJE

UEFA korrigjon brenda pak orësh gafën që bëri me renditjen e Serbisë në grupin i eleminator për Kampionatin Europian Francë 2016.

Renditja e UEFA-s

Dje në mbrëmje, në faqen e UEFA-s rezultonte se Shqipëria ishte në vendin e tretë të grupit pas Danimarkës me pikë të barabarta, 10. Ndërsa Serbia ishte në kuotën e 1 pike, megjithëse Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e penalizoi dhe e zbriti në -2 pikë.

Ndërkohë, sot UEFA (në orën 10:52) e ka ndryshuar sërish renditjen në grupin tonë, duke e zbritur Serbinë sërish në -2 pikë, ndërsa Shqipërinë e ka lënë në kuotën e 10 pikëve, por pas Danimarkës.

Federata Shqiptare e Futbollit ka sqaruar sot se Danimarka është renditur përpara Shqipërisë, pasi në përballjet direkte ka shënuar gol në fushën kundërshtare sesa Shqipëria. Takimi në Danimarkë mes dy skuadrave nuk është zhvilluar ende.

“Shqipëria, është renditur në vendin e tretë me pikë të bararabarta Danimarkën. Kundërshtari renditet përpara nesh sepse sipas rregullores së aktivitetit, kur dy skuadra janë me pikë të barabarta në renditjen e përgjithshme për të vendosur se cila qëndron më lart, zbatohet ky kriter: Pikët e fituara në ndeshjet direkte (në ndeshjen Shqipëri – Danimarkë takimi ka përfunduar në barazim 1-1). S’ ka diferencë pikësh; Diferenca e golave në ndeshjet direkte është 0. Në rastin e ndeshjes Shqipëri –Danimarkë, nuk ka diferencë golash; Numri më i lartë i golave të shënuara në ndeshjet direkte. Në rastin e ndeshjes Shqipëri – Danimarkë, nuk ka diferencë golash. Një gol ka shënuar Danimarka dhe një Shqipëria; Numri më i lartë i golave të shënuar në fushën kundërshtare. Danimarka ka shënuar në Shqipëri dhe për këtë arsye është e avantazhuar. Duke ju referuar pikës d, të rregullores së eliminatoreve të Kampionatit Europian Francë 2016, Danimarka renditet përpara Shqipërisë në Grupin I”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

FSHF e rendit Shqiperine te dyten

Por teksa FSHF-ja merret me keqinformimet, që sipas saj kanë shkaktuar mediat sot, edhe në faqen e saj në internet, Shqipëria renditet në vendin e dytë.

Ndeshja direkte është përcaktuese në renditjen e skuadrave në rast se ato janë me pikë të barabarta, vetëm pasi përfundojnë të gjitha ndeshjet. Ndërkohë që në historikun e ndeshjeve kualifikuese, renditja në fillim apo në mes të sezonit përcaktohet nga golavarazhi dhe vetëm në fund  ajo ndryshon duke marrë në konsideratë përballjet direkte.

Një shembull i ngjashëm me Shqipërinë është edhe në grupin B ku Izraeli dhe Qipro janë me pikë të barabartë, 9, por Izraeli është i renditur një pozicion më lartë pasi ka fituar ndeshjen e parë përballë Qipros 2-1. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura