Udhëzimi/ Si do bëhet seleksionimi i kandidatëve të PD, Komisioni kalon në filtër propozimet e Kukësit

Aug 11, 2020 | 13:09
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Komisioni i ngritur në PD për seleksionimin e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie u mblodh sërish dje, larg vëmendjes së qytetarëve.

basha me komisionin Përmes burimeve mësohet se pesëshja e asistuar edhe nga dy sekretarët në PD ka proceduar me filtrimin e kandidatëve të ardhur nga propozimet e anëtarësisë në Qarkun e Kukësit, ndërsa në total numri i propozimeve nga anëtarësia e PD-së për deputetë dhe kryetarë bashkie shkon në 3600.

Sakaq, ndonëse jemi në javën e dytë të punës së komisionit, ende nuk kemi asnjë të dhënë se sa kandidatë kanë kaluar filtrin e parë ku merren parasysh pastërtia e figurës, arsimimi, impakti në komunitetin ku bën pjesë dhe angazhimi në fushatat zgjedhore të PD-së.

UDHËZIMI

Sipas udhëzimit që Kryesia e PD-së u njoh në muajin qershor, puna e Komisionit të Seleksionimit ndahet në dy faza. Në fazën e parë që ka nisur që më 3 gusht, anëtarët filtrojnë kandidatët në bazë të kontributit në jetën publike, kontributi në fushatat e partisë, kontributi në profesion dhe impakti te qytetarët. Ndërkohë për mbarëvajtjen, vetë komisioni ka krijuar edhe një rregullore të brendshme. Pasi pesëshja e anëtarëve bën seleksionimin paraprak, kandidatët që mbeten në listë njoftohen që të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit. Përmes këtij formulari, i cili është rreth 50 faqe, kandidatët i nënshtrohen “vetingut” të brendshëm. Brenda 5 ditëve, kandidatët që duan të vazhdojnë procesin, duhet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit. Nga ky detyrim përjashtohen ata persona, të cilët 10 vitet e fundit kanë mbajtur detyra si deputetë apo drejtues në drejtori, të cilëve ligji ua ka imponuar plotësimin e formularit të vetëdeklarimit në shtet. Ndërkohë, përfaqësuesit e komisionit mund të mbledhin informacion edhe nga institucionet shtetërore. Pasi të marrë formularët e vetëdeklarimit, komisioni do të bëjë dy lista. Kandidatët që kualifikohen dhe kandidatët që do të rishikohen në një moment të dytë. Lista e parë më pas do të shkojë sërish në bazë për t’u votuar sipas parimit ‘një anëtar, një votë’.

VOTIMI NË ANËTARËSI

Vendimmarrja e Komisionit të Seleksionimit është kolegjiale dhe lista që përgatitet prej tyre i dërgohet sërish anëtarësisë, e cila nga data 15 shtator deri më 30 shtator zhvillon zgjedhjet. Për të shmangur lobimet në anëtarësi, hartuesi i procesit, sekretari i përgjithshëm i PDsë, Gazment Bardhi, ka vendosur që anëtarësia të votojë emrat, të cilët nuk dëshirojnë që të jenë në listën për të vazhduar procesin. Një anëtar mund të votojë më shumë se një kandidat që nuk e do, por jo më shumë se 20% të përbërjes së listës për secilën degë apo qark. Për t’u skualifikuar nga gara, një kandidat duhet të ketë minimalisht 20% të anëtarësisë që kërkojnë që një kandidat të mos e vazhdojë më garën. Më pas, lista që del nga ky proces i shkon Kryesisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura