Udhëzimi për Maturën, ja datat e provimeve

Mar 27, 2015 | 8:52
SHPËRNDAJE

Kur kanë mbetur vetëm 5 ditë nga mbyllja e aplikimeve për në universitet, Ministria e Arsimit shpall datat e provimeve që do t’iu nënshtrohen kandidatët për në shkollë të lartë. Provimi i parë do të jetë ai i gjuhës së huaj, i cili do të zhvillohet me 23 maj.

Maturantet ne provime

Ndërsa gjashtë ditë më vonë, me datë 29 maj do të zhvillohet provimi “Gjuhë shqipe dhe letërsi”, i ndjekur nga ai i Matematikës më 9 qershor. Dy lëndët me zgjedhje, që maturantët i kanë përcaktuar tashmë në Formularin A1/A1Z do të jepen në datën 19 qershor, duke mbyllur kështu ciklin e provimeve për kandidatët e këtij viti për në universitet.

Ministria ka hartuar rregulloren strikte me qëllim mbarëvajtjen e provimeve. Kështu, brenda datës 25 maj, secila drejtori apo zonë arsimore duhet të posedojë listat e mbetësve të cilat përveçse duhet t’i hedhë në sistemin elektronik “Matura Online” duhet t’ia dërgojë edhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve e cila i heq nga lista e të regjistruarve. Maturantët mbetës njoftohen nga drejtoritë e shkollave për të mos u paraqitur në provim pa kaluar provimet.

Krahas maturës, Ministria ka publikuar edhe udhëzimin për provimet e Lirimit. Për herë të parë, ata që mbarojnë klasën e IX këtë vit do t’iu nënshtrohen edhe provimit të gjuhës së huaj që mund të jetë anglisht, frëngjisht, italisht ose gjermanisht. “Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar, në nivelin gjuhësor A2”, thuhet në udhëzim.

Gjuha e huaj do të jetë edhe provimi i parë për nxënësit që kanë përfunduar me sukses arsimin bazë. Ky provim është caktuar të jepet më 6 qershor, ai i Gjuhës shqipe pas 5 ditësh, më 11 qershor, ndërsa Matematika do të jepet më 16 qershor. Hartimi dhe vlerësimi i testeve është përcaktuar në rregullore për procesin e organizimit dhe zhvillimit të provimeve të arsimit 9-vjeçar. Njësoj si në vitet e kaluara, provimet kombëtare të arsimit bazë do të fillojnë në orën 10:00 me një kohëzgjatje pre 2 orë e 30 minuta.

RASTET
Në udhëzimin e ministrisë janë detajuar raste specifike të nxënësve që kanë mbyllur dy ciklet e studimit, arsimin bazë e atë të mesëm dhe që do t’iu nënshtrohen provimeve përkatëse. Kështu, Për shkollën e mesme pedagogjike të pakicës kombëtare greke, teza e lëndës “Gjuhë dhe letërsi greke” do të përgatitet nga Drejtoria Arsimore Rajonale Gjirokastër.

Në të njëjtën linjë, lënda me detyrim “Gjuhë dhe letërsi italiane” për seksionet dy-gjuhësh shqiptaro-italiane do të përgatitet nga Ministria e Arsimit të Republikës së Italisë. Ndërsa provimi për këtë kategori do të zhvillohet më 19 maj pranë shkollave përkatëse. Gjithashtu teza e provimit për “Gjuhën frënge” për seksionet 2 gjuhësh shqiptaro-franceze do të përgatitet nga ambasada franceze dhe provimi do të zhvillohet po ashtu më 19 maj pranë shkollave përkatëse. Sa iu takon rasteve specifike për nxënësit që përfudnojnë këtë vit arsimin bazë 9- vjeçar, rregullat janë thuajse të njëjta.

Në bazë të udhëzimit, nxënësit e pakicave kombëtare, greke e maqedonase do të japin edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në lëndën “Gjuhë amtare”, më datë 18 qershor. Teza e këtij provimi do të përgatitet nga Drejtoria Arsimore Rajonale Korçë dhe tërhiqet nga drejtori i shkollës me një përfaqësues të DAR Korçë. Ndërsa për Institutin e nxënësve që nuk shikojnë, kjo gjë do të bëhet një ditë përpara.

Edhe provimi që ata do t’i nënshtrohen do të jetë në përshtatje me veçoritë e tyre. Testi i gjuhës së huaj për nxënësit e klasave të IX parapërgatitore për seksionet dy gjuheshe, italiane, gjermane dhe franceze hartohet dhe korrigjohet nga mësuesit shqiptarë në bashkëpunim me ata të huaj.

DATAT

ARSIMI BAZË
Gjuhë e huaj 6 qershor
Gjuhë Shqipe 11 qershor
Matematikë 16 qershor
• MATURA
Gjuhë e Huaj 23 maj
Gjuhë Shqipe dhe Letërsi 29 maj
Matematikë 9 qershor
Provime me zgjedhje 19 qershor

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura