Udhëzimi i ri për universitetet, reduktohen orët e pedagogëve në auditorë

Sep 23, 2018 | 8:46
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Nga ky vit akademik, pedagogëve nuk do t’u zihet më fryma me leksione e seminare në auditorë. Përveç mësuesve të arsimit parauniversitar, Ministria e Arsimit ka rishikuar edhe normën mësimore të personelit akademik, duke iu ulur ndjeshëm ngarkesën përgjatë një viti.

universiteti-filozof

Në udhëzimin që mban datën 10.09.2018 është rikategorizuar personeli akademik, duke i ndarë në pedagogë me kohë të pjesshme dhe kohë të plotë, të cilët do të trajtohen jo vetëm në varësi të gradës, por edhe të pozicionit të punës në fakultet: profesor, lektor dhe asistent lektor.

Krahasuar me normativën e përcaktuar një dekadë më parë nga ish-ministri Genc Pollo, udhëzimi i ri i Ministrisë së Arsimit gëzon pedagogët me lehtësimin e madh që u ka bërë. Nga ana tjetër, pason nevojën e universiteteve për personel shtesë me qëllim për të përmbushur programin mësimor.

NORMA E RE

Nga 200-220 orë në auditorë, ngarkesa mësimore për pedagogët me titullin “Profesor” do të jetë minimalisht 60 orë më pak, pasi udhëzimi parashikon që ata të zhvillojnë vetëm 140 orë leksione e seminare në total përgjatë një viti akademik. Lehtësimi më i madh vjen për lektorët, të cilët nga 260 orë mësimore në vit zhvillojnë rreth 100 orë më pak, 165. Ndërsa për asistentët e këtyre të fundit mjaftojnë 195 orë leksioni në vit. Udhëzimi i ri unifikon ngarkesën e personelit të jashtëm.

Pedagogët me kohë të pjesshme, qofshin këta profesorë, lektorë apo asistentë lektorë nuk mund të japin më tepër se 120 orë leksioni në auditorë. Autoritetet drejtuese janë të privuar nga urdhri i Ministrisë, pasi preken pak ose aspak. Kështu, rektorët e dekanët do të kenë po aq orë në vit saç kanë zhvilluar deri më tani, përkatësisht 50 dhe 70 të tilla. Me rritjen e përgjegjësive të departamenteve me ligjin e ri të arsimit të lartë, shefat do të kenë më pak orë për të qëndruar në auditorë, nga 170 vetëm 90 orë në vit.

Po kaq orë do të zhvillojnë edhe zëvendësdekanët. Ndërsa zëvendësrektorët janë të detyruar të qëndrojnë në auditorë 60 orë, ose dhjetë më pak nga më parë. Çdo orë në auditorë mbi normën e përcaktuar për kategori paguhet si orë suplementare. Por udhëzimi parashikon që orët shtesë të bëhen vetëm nga pedagogët me kohë të plotë dhe jo “të jashtmit”, të cilët gjithashtu nuk mund të angazhohen as në kërkimin shkencor pranë fakultetit ku japin mësim.

udhezim

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura