Udhëzimet seksuale që (s) na bëjnë dot specialistë

Nov 12, 2015 | 9:30
SHPËRNDAJE

Një kolege në zyrë, ndërsa askush nuk kishte ndërmend të ndërhynte në heshtjen e punës së secilit, nuk u përmbajt. -Po mirë, -tha, deri më sot, që nuk lexonim kaq shumë për seksin, kot ia kemi futur?! D.m.th., ajo u referohej teknikave të njerëzimit, jo partnerit. Pak për shkak të hutimit prej nervozitetit të zërit me të dhëna konkrete e pak sepse jo të gjithë përfshihen në temë, vajza si fillim nuk mori përgjigje.

sexual
Jo se po kërkonte të sigurohej se ajo vetë deri parmbrëmë nuk kishte performuar ashtu si duhej, por se ishte e nervozuar me tërbimin e lajmeve rreth seksit që po zënë përgjysmë masën e të gjitha portaleve online.

Cilido lajm i rëndësisë së parë, politik, social a ekonomik, po shoqërohet gjithnjë me një dritare udhëzimesh seksuale që nuk po ndriçon që nuk po ndriçon mendjet. Ose gjymtyrët. Por të rikthehemi në zyrë, ku të pranishëm ishim tetë a nëntë veta, prej të cilëve tre a katër meshkuj. Kuptohet, të gjithë specialistë! Reagimet erdhën të menjëhershme pas heshtjes së parë.

Sigurisht që ishin të gjitha në nivelin e batutave, përçmuese dhe aleate të shqetësimit fillestar. Mirëpo, ndërsa humori e ironia po lezetohej, informacioni bazë që jepej përmes tyre ishte krejt i saktë. Do të thotë, ishte me të dhëna konkrete që u referoheshin pikërisht shkrimeve të botuara rreth pozicionit më të fundit, atij të janarit të 2016-s, që nuk e keni zbuluar ende.

Kompjuterët nuk janë të vendosur në mënyrë të atillë që të mund shohësh edhe ekranin e tjetrit ama, bëje be se secili, autorin përfshirë, kur dëgjoi të hapej biseda rreth seksit, ka minimizuar instinktivisht faqen që ka pasur të hapur, si të ishte kapur gafil. Shiko-shiko, po ai që thoshte “një pozicion seksi në kuzhinë që duhet ta provoni”; “fetishet gjatë seksit nga të cilat nuk duhet të ndiheni të turpëruar”, të gjithë dinin se çfarë shkruhej ku, ndërsa intonacioni dhe nënqeshja tentonin të thoshin të kundërtën.

Ishte e ngjashme me situatën që krijohet sa herë që rastësisht dy bashkëbiseduesve u teket të flasin për një telenovelë, ndërsa dy të tjerët që e kanë parë paraprakisht fundin e serialit në “youtube” shohin të keqardhur se në ç’batak ke rënë! Duken aq të ligështuar për nivelin tënd kulturor a thua se janë duke të lexuar të ardhmen e kobshme në fund të filxhanit. Studiuesit, le të na lënë mangët ndonjë stil e të merren pak me këtë; pse e shohin të nevojshme njerëzit kamuflimin e një realiteti të tillë që, siç për njërin mund të lexohet si banal (megjithatë lexohet), për tjetrin është i nevojshëm.

Dakord, mundet edhe që të ndihemi të gjykuar, por fundja, ku qëndron turpi në të parit e një videoje pornografike apo klikimin e një lajmi rreth seksit. Është vetëm çështje e juaja që jo vetëm nuk i duhet askujt, por edhe nuk ka pse ngrihet në shqetësim për sa kohë i klikoni të gjitha. Përndryshe, do t’i shpërfillnit e as që do t’ju ktheheshin në tema diskutimi. Sepse, sidoqoftë, ngelet informacion që nuk ju imponohet.

Dikush mund ta interpretojë edhe si të tillë, ama ka të gjithë lirinë për të mos i hedhur as sytë e për të kaluar te lajmi tjetër që të tregon se janë gjetur shenja të reja jete në Mars apo se shumë fenomene të parashikuara nga fizika kuantike nuk mund të vëzhgohen drejtpërsëdrejti.

A, nuk e eviton dot?! Epo shihni ç’keni për të parë, mësoni ç’keni për të mësuar, pa vetësiguri absolute. Edhe nëse i dini të gjitha për vete, me siguri që iu ka shpëtuar ndonjë gjë nga partnerja, me gjithë besimin që keni se jua thotë të gjitha. Kontrolloni njëherë edhe supën e pulës, për të cilën jeni të sigurt se ajo sapo ka therur zogun për t’i marrë lëngun, ndërsa është vetëm koncentrati i përqendruar që e mban në një sirtar të posaçëm gënjeshtrash.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura