“Udhëkryq”: 44% të pakënaqur dhe 40% të kënaqur

May 3, 2016 | 12:59
SHPËRNDAJE

Kastriot Islami

KASTRIOT ISLAMI

Një përfundim që ndihej edhe pa u sonduar: 44 për qind, pra gati gjysma e shqiptarëve, vetëm 2 vjet pas zgjedhjeve të 2013-s, është e pakënaqur thuhet me “establishmentin” (në fakt ky term s’ka ende shumë kuptim në Shqipëri ose s’ka po atë kuptim si në vendet me demokraci të zhvilluar), pra me të dyja grupimet kryesore, aleancën qeverisëse dhe atë opozitare (po ashtu s’po i futem analizës nëse përshkruajnë të njëjtën gjë apo kanë të njëjtin kuptim “cilësimet i kënaqur dhe i pakënaqur” për qeverinë dhe për opozitën).

Ndërkohë që rreth 40 për qind e votuesve vazhdojnë të mbeten “të kënaqur besnikërisht” me të dyja grupimet kryesore. Kjo balancë mes të “kënaqurve” dhe “të pakënaqurve” (asimetrikë) tregon se peizazhi politik ndodhet në Udhëkryq…

1. SONDAZHI I INSTITUTIT DEMOKRATIK AMERIKAN…

Një sondazh i NDI-së, me mbështetjen e Institutit për Ndërmjetësim e Demokraci, është realizuar para disa javësh dhe është bërë publik para disa ditësh. Sondazhi bazohet në pyetjen e 1538 qytetarëve (një kampion i zgjedhur sipas një metodike standarde) nga 12 zona, me numër të barabartë nga zonat rurale e urbane, në balancë gjinore, me moshë mbi 18 vjeç.

Para bërjes së pyetjeve është zhvilluar një fokusgrup me 9 pjesëmarrës dhe pas marrjes së përgjigjeve, janë zhvilluar 3 fokus-grupe me 32 pjesëmarrës për të vlerësuar përgjigjet. Ky “studim” bazohet në modelin “Hansard Society”, që është i vendosur mbi 3 tregues: 1) njohuritë dhe interesat, 2) veprimi dhe pjesëmarrja në procese politike dhe 3) kënaqësia dhe efikasiteti. Synimi është të “matet” se “çfarë mendojnë” dhe “çfarë mund të bëjnë” qytetarët për t’u angazhuar në politikë. Përfundimet janë interesante.

Por përfundimi më i saktë dhe më i qartë është: rreth 44% e zgjedhësve janë të PAKËNAQUR me forcat politike qeverisëse edhe ato opozitare, ndërkohë që 16% janë të pavendosur. Ndërsa rreth 40 për qind janë të KËNAQUR me të dyja grupimet, qeverisëse dhe opozitare. Se si do të sillen në vijim dhe në zgjedhjet e ardhshme, mbetet për t’u investiguar, ndërkohë që rezultatet e këtij sondazhi janë shumë të rëndësishme për të ndërtuar strategjitë elektorale, në këtë “udhëkryq” të sjelljes së votuesve.

2. PJESËMARRJA NË “VOTIME”, ULJE E PJESËMARRJES NË VOTIME…

Nga të pyeturit rezulton se “me siguri do të merrnin pjesë në votime” 49.9% dhe “ndoshta do të merrnin pjesë në votime” 14.6%, pra e thënë më thjesht, në votime do të mund të merrnin pjesë 65.5% e qytetarëve të pyetur/ zgjedhësve. Nga të dhënat del se 22.5% nuk do të votonin dhe 11.5% janë ende të pavendosur.

Po të kemi parasysh se rreth 20-25% e zgjedhësve në listat e votimit janë në emigracion, del se pjesëmarrja në votime do të mund të shkonte në vlerat rreth 45-50%, pra do të ishte një pjesëmarrje e ulët, që reflekton një zhgënjim/mosbesim nga politika.

3. 44% TË PAKËNAQUR “EDHE… ME QEVERINË, EDHE… ME OPOZITËN”

Nga sondazhi rezulton se janë të pakënaqur me Qeverinë 56.8% të qytetarëve; po t’i heqim kësaj shifre të kënaqurit me opozitën, pra 13.8% (të cilët normalisht/racionalisht janë të pakënaqur me qeverinë) del shifra 43%, që tregon se këta janë të pakënaqur me qeverinë, por s’janë të kënaqur as me opozitën.

Po ashtu, janë të pakënaqur me opozitën 69.3% e qytetarëve; po t’i heqim kësaj shifre ata që janë të kënaqur me qeverinë, pra 25.4% (sepse këta janë të pakënaqur me opozitën, meqë janë të kënaqur me qeverinë) del shifra 43.9% që përcakton të gjithë ata që janë të pakënaqur me opozitën, por që s’janë të kënaqur as me qeverinë.

Po të analizojmë dy shifrat, 43% dhe 43.9%, rezulton se mesatarisht 43.5% e shqiptarëve janë të pakënaqur “edhe me qeverinë, edhe me opozitën”, pra siç thuhet në Perëndim, me “establishmentin”. Ky është një përfundim që cilë- sisht qytetarët duket se e kanë “shprehur”, tashmë duke u larguar të pashpresë drejt BE-së.

4. NJË SKANIM MË I THELLË I GRUPIMIT PREJ 44%

Nëse këtij grupimi do t’i bëhej një skanim më i thellë, do të vihej re se një pjesë e tyre janë më të pakënaqur me qeverinë e, madje, në mënyrë të pakthyeshme, për shkak të keqqeverisjes, janë dhe të gatshëm t’i bashkohen opozitës për të larguar keqqeverisjen apo in ekstremis për të “shpëtuar PS-në nga Rilindja”, ndërkohë që pjesa tjetër janë të pakënaqur me opozitën, sepse presin veprime më vendimtare e më konsekuente kundër qeverisë, duke mbetur ndërkohë opozitarë të ashpër, deri radikalë.

Pra, në këtë grupim prej 44%, duket se pakënaqësia ndaj qeverisë është shumë më e madhe sesa ndaj opozitës, dhe natyra e pakënaqësisë ndaj qeverisë i bën ata gati të pakthyeshëm te qeveria, ndërkohë që ndaj opozitës kthyeshmëria varet nga vendosmëria dhe qartësia për të bërë ndryshimin dhe niveli i besueshmërisë për këtë ndryshim.

Përndryshe, ata, ose një pjesë e tyre, do të abstenonin ose do t’u drejtoheshin forcave të reja politike, nëse ato do të kishin oferta të besueshme. Fakti që forcat pro dhe kundër “establishmentit” janë pothuajse të barabarta, tregon se ky përfundim duhet marrë seriozisht nga strategjistët elektoralë.

5. 16% JANË ENDE TË PAVENDOSUR…

Nga analiza e të dhënave të sondazhit rezulton se “nuk janë as të kënaqur edhe as të pakënaqur” mesatarisht, me qeverinë ose me opozitën, rreth 16% e zgjedhësve. Pra mund të thuhet se 16% e zgjedhësve janë ende të pavendosur lidhur me qëndrimin ndaj qeverisë apo opozitës. Pra ende presin për të dhënë mendimin e tyre në mënyrë të saktë, ndërkohe që vendimin se çfarë do të bëjnë në zgjedhje, do ta marrin pasi të kenë një mendim të saktë. Kjo masë, po t’i shtohet 44% e të pakënaqurve, mund ta lehtësojë, por edhe mund ta përkeqë- sojë, kalimin në këtë udhëkryq.

6. SI MUND TË SILLEN 44% E TË PAKËNAQURVE…?

Lidhur me sjelljen e “44% të të pakënaqurve” supozimet mund të jenë nga më të ndryshmet dhe për momentin s’ka asnjë të dhënë tjetër publike nga sondazhi që të ndihmojë për t’i dhënë një probabilitet më të lartë besimi këtij apo atij supozimi. Me siguri mund të thuhet se nga të dhënat e disponueshme “loja për të përcaktuar fituesin është e hapur”, nëse pranohet hipoteza se peizazhi politik s’ndryshon, pra, që nuk do të ketë forca të reja politike me përmasa domethënëse.

Po t’i shtohen kësaj shifre edhe 16% të pavendosur, rezulton se rreth 60 për qind e zgjedhësve s’e dinë ende se çfarë do të bënin nëse zgjedhjet do të ishin të dielën e ardhshme. Po ashtu “loja duket e hapur edhe lidhur me atashimin e këtyre zgjedhësve ndaj subjekteve të reja, të ndryshme nga ato qeverisëse apo opozitare”, nëse bëhet hipoteza e krijimit të forcave të reja politike, atraktive dhe sinjikative.

Por po t’i referohemi traditës dhe vështirësive për krijimin e forcave të reja politike, as 44% dhe aq më pak 60% e qytetarëve s’do të mund të ishin të prirur të votonin tërësisht subjektet e tjera të ndryshme nga ato tradicionale, ndërkohë që kjo dukuri duket shumë e mprehtë dhe ndoshta për herë të parë e konsiderueshme në përmasë e intensitet. Ndoshta një pjesë (vështirësisht të thuhet në këtë moment saktësisht se sa do të ishte kjo pjesë) do t’u atashohej subjekteve të reja në varësi të cilësive të tyre atraktive.

Një hipotezë tjetër më komplekse mund të ishte: Ndërkohë që 16% e të pavendosurve mund të ndahej proporcionalisht mes koalicionit qeverisës dhe atij opozitar (pra, në raportin 25.4/13.8), pjesa tjetër e 44% të pakënaqurve, gradualisht, në pjesën më të madhe, do të mbështeste opozitën, një pjesë tjetër do të mund të abstenonte dhe vetëm një pjesë shumë e vogël do të votonte për koalicionin qeveritar. Kjo “asimetri” sjelljeje e 44% të të pakënaqurve i) do të favorizonte opozitën; ii) do të defavorizonte forcat qeverisëse, por iii) mund të defavorizonte edhe të gjitha forcat politike tradicionale.

7. NJË “KRAHASIM” ME ZGJEDHJET 2013…

Fillimisht duhet të pranohet se krahasimi i të dhënave të sondazhit 2016 me rezultatin e zgjedhjeve 2013 do të duhet të kuptohet/pranohet si një krahasim i rezultateve të nxjerra nga dy situata shumë të ndryshme, pra, si rezultate të dala nga zgjedhjet dhe nga sondazhi. Për rrjedhojë ky lloj “krahasimi” mund të çonte vetëm në përfundime cilësore, por jo sasiore.

Ndryshe, krahasimi duhet bërë mes shifrave të “ekstrapoluara” të zgjedhjeve 2013 me ato të sondazhit 2016 ose si një krahasim i shifrave të zgjedhjeve 2013 me shifrat e “ekstrapoluara” të sondazhit 2016. Arsyeja është e thjeshtë: në zgjedhje vendimi i votuesve është “i prerë” dhe përfundimtar, pra, s’ka më votues as “të pavendosur” dhe as “të pakënaqur me qeverinë dhe as me opozitën”, nëse bëhet supozimi që në zgjedhje do të ketë dy koalicione elektorale sinjikative, një qeveritar dhe një opozitar.

Sepse po të ketë forca të reja të rëndësishme, të ndryshme nga ato që janë sot në qeveri apo opozitë, situata krahasuese do të komplikohej. Kurse gjatë sondazhit, “zgjedhësit” kanë më shumë mundësi për t’u shprehur, pra, vendimet e tyre nuk janë as të prera dhe as përfundimtare. Nga rezultatet e zgjedhjeve të 2013-s, po t’i projektojmë rezultatet në pozicionimin aktual të forcave politike, rezulton se aleanca qeverisëse kishte fituar 61.09% të votave në shkallë kombëtare, kurse aleanca opozitare 38.29%. Dhe “hendeku” mes dy aleancave është 22.8%.

Ndërkohë që po t’u referohemi edhe të kënaqurve, edhe të pakënaqurve përkatësisht me qeverinë dhe me opozitën nga sondazhi i 2016-s, rezulton se 1) “hendeku” mes të kënaqurve me qeverinë e atyre me opozitën është vetëm 11.6%. 2) Kurse “hendeku” mes të pakënaqurve me opozitën e qeverinë është vetëm 12.5%. Pra, “hendeku” i dukshëm qartë mes “qeverisë” dhe “opozitës” në sondazhet e 2016-s është rreth 12%, ndërkohë që në 2013-n ishte rreth 23%, pra, duket i përgjysmuar.

Natyrisht në këtë “llogari” s’përfshihet sjellja e 16% të të pavendosurve dhe 44% të të pakënaqurve, asimetrikisht më të pakënaqur me qeverinë sesa me opozitën, që mund ta reduktonte më shumë “hendekun”.

8. MESAZHET E SONDAZHIT…

Së pari, është e vështirë të pohohet se cili është gabimi real (jo metodik) i sondazheve në Shqipëri, aq më tepër në kushtet e një klime represioni policor dhe frike të indimidimit të zgjedhjeve nga individët me rekorde kriminale apo përdorimit të parave për blerjen e votës.

Me siguri gabimi real është shumë më i lartë sesa ai metodik, por kjo s’pengon të analizohen të dhënat e sondazhit dhe të nxirren përfundime të rëndësishme, qoftë edhe cilësore. Pra, mund të thuhet se cilësisht përfundimet nga ky sondazh janë të rëndësishme dhe domethënëse. Së dyti, në kushtet kur “interesat e oligarkisë e korrupsionit” dhe kur s’është e qartë se sa dhe kur do të dekriminalizohet politika (qeverisja, kuvendi, administrata, e zgjedhjet), s’është aspak çudi që 16 për qind e të intervistuarve të jenë të pavendosur dhe 44% të jenë të pakënaqur, për arsye të ndryshme, me “establishmentin”.

Pra, edhe ky përfundim “sasior” përputhet me pritshmërinë e qytetarëve, ndonëse po afërsisht e njëjta masë njerëzish (40%) vazhdojnë të besojnë tek “establishmenti”. Së treti, në kushtet kur, nga njëra anë, çdo ditë qytetarët dëgjojnë nga parlamenti e media dhe lexojnë nga raportet ndërkombëtare se në “vendet e Ballkanit” (përfshi edhe Shqipërinë) “mbretëron oligarkia, banditizmi dhe krimi e korrupsioni”, dhe shikojnë çdo ditë se këto përkthehen në papunësi, varfëri, përkeqësim të gjendjes së tyre ekonomike dhe, nga ana tjetër, s’shikojnë asnjë shenjë reflektimi nga qeveria apo veprime opozitare me efekte të dukshme ndryshimi apo zgjidhje të shpejtë, qytetarët vazhdojnë të dëshpërohen, humbasin shpresën dhe kthehen në të pakënaqur me të gjithë.

“Hendeku” shumë i madh mes përshkrimit të gjendjes shumë të rëndë që perceptojnë çdo ditë dhe opsioneve të zgjidhjeve i ka bërë qytetarët nga “të pakënaqur me të gjithë” deri në “të pashpresë” për gjithçka. E thënë më shkoqur, 44% e qytetarëve janë të pakënaqur me qeverinë dhe opozitën, por për shkaqe të ndryshme, më shumë me qeverinë për gjendjen e padurueshme dhe me opozitën për mosndryshimin e shpejtë e madje radikale të gjendjes së padurueshme, për më tepër që nga opozita dëgjojnë dy opsione zgjidhjesh, me “rrugën e butë” dhe “rrugën e revolucionit demokratik”.

Së katërti, rezultatet e sondazhit kanë evidentuar me shifra një situatë që cilësisht e njohin dhe e prekin të gjithë: Në këta 3 vjet kanë tentuar të largohen nga vendi rreth 300 mijë shqiptarë ose rreth 10% e popullsisë (100 mijë në Gjermani dhe 200 mijë aplikantë për “green card” në SHBA), që dëgjojnë prej tre vjetësh për 300 mijë vende të reja pune që s’i prekën asnjëherë, tani u thonë se “vende pune ka, por ju jeni të pakualifikuar”.

Shifra 44% përfaqë- son si në çdo rast i) një mundësi për ndryshim brenda të njëjtit peizazh politik, largim nga dëshpërimi dhe rikthim të shpresës; dhe/ose ii) një “minë” për të hedhur në erë “establishmentin” politik 25-vjeçar; dhe/ose iii) një hapësirë për forcat e reja politike; dhe/ose iv) një kolaps politik e institucional të vendosur mbi atë ekonomik e moral.

Gjithçka duket e hapur. Edhe ky sondazh përforcon kuantitivisht përfundimin kualitativ se “Shqipëria është në udhëkryq…”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura