“Udhëheqësit nazistë nuk i pranuan krimet”- Ish-ambasadori Zeneli tregon për “Procesin e Nurembergut”: Amerikanët kërkonin gjykim vetëm…

Feb 26, 2021 | 13:30
SHPËRNDAJE
Landscap
Landscap

Diplomati i shquar Bashkim Zeneli, Mjeshtër i Madh, në librin e fundit të tij, “Berlin 1945– Maji i Fitores”, botuar nga UETPress sjell informacione interesante në lidhje me qëndrimin e amerikanëve dhe sovjetikëve për dënimin e eksponentëve të lartë të nazizmit në Procesin e Nurembergut. Robert H. Jackson, një nga personalitetet më të shquara të drejtësisë, kryetar në Gjykatën e Lartë në SHBA, shprehej se të akuzuarit duhej dënuar vetëm mbi bazën e ligjit, ndërsa sovjetikët i cilësonin të gjithë nazistët si kriminelë të cilët duhen dënuar me vdekje.

Zoti Zeneli shpjegon simbolikën pse u përzgjodh qyteti i Nürnbergut për gjyqin më të madh deri në atë kohë, nga qyteti ku Hitleri kishte filluar dhe vazhduar me pompozitet ideologjinë e tij naziste. “Ishte qyteti i “shenjtë” i Hitlerit, i paradave të përvitshme të partisë naziste, ishte qyteti ku, u miratuan ligjet kundër hebrenjve”.

BASHKIM ZENELI

POPUJT AKUZOJNË… (PROCESI I NUREMBERGUT)

bashkim-zeneli

Ndërsa më 8 gusht 1945, menjëherë pas mbarimit të Luftës, në Londër do të nënshkruhej Marrëveshja për “Dënimin e Kriminelëve të Luftës” dhe, krahas tri fuqive fituese, do të përfshihej edhe Franca. Aty do të hidheshin bazat dhe do të përpunohej një statut për Gjykatën Ndërkombëtare Ushtarake. Ajo ishte edhe baza për procesin e Nurembergut.

Në fillim të verës së vitit 1945, po në Londër, do të mblidhej Komisioni për Krimet e Luftës (War Crime Commision) me përfaqësues të 16 vendeve. Midis të tjerave, aty do të kërkohej që nën akuzë për krimet e kryera të mos viheshin vetëm emra konkretë, por edhe organizata e institucione përfaqësuese. Do të përfshihej edhe kabineti qeveritar i Rajhut, udhëheqësit politikë të N.S.D.A.P (partia naziste), Gestapo, SS, SA, Shtabi i Përgjithshëm dhe komanda supreme e Ushtrisë Gjermane etj. Përfaqësuesit e qeverive amerikane në këtë mbledhje këmbëngulnin për zgjerimin e rrethit nën akuzë.

Më 2 maj 1945, Presidenti i SHBA-së, Harry S. Trumann, do të thërriste në Shtëpinë e Bardhë anëtarin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së, Robert H. Jackson, një nga personalitetet më të shquara të drejtësisë. Ai do të emërohej si kryeprokuror i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare për krimet e luftës dhe atij do t’i ngarkohej detyra që të merrej me organizimin e kësaj gjykate dhe të procesit në përgjithësi.

Jackson ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit amerikan Rusvelt, i ndarë nga jeta më 12 prill 1945. Ai kishte shërbyer për disa vite si zëvendësministër i Drejtësisë në SHBA, ministër i Drejtësisë i Shtetit të Nju Jorkut dhe që nga viti 1941 ishte kryetar në Gjykatën e Lartë. Tribunali, sipas marrëveshjes së Londrës, do të përbëhej nga 4 gjyqtarë (SHBA, BS, Britania e Madhe dhe Franca) dhe secili do të kishte nga një zëvendës. Sovjetikët do të caktonin gjeneralin Nikitshenko. Jackson do të deklaronte mbas marrjes së detyrës se “ne nuk duhet të harrojmë kurrë që me të njëjtën masë që ne gjykojmë sot të akuzuarit për krime lufte, po me të njëjtën masë do të gjykohemi edhe ne nesër, para historisë”.

Të gjithë në takimet para nisjes së procesit do të binin dakord që të punonin nën moton “Nullum Crimen, nulla poena sine lege” (Asnjë dënim pa ligj). Sidomos për perëndimorët kjo ishte shumë e rëndësishme, duke i dhënë secilit akuzën e bazuar dhe dënimin e ligjshëm, thjesht mbi bazën e provave. Dhe ka pasur një debat për këtë çështje, sidomos midis amerikanëve dhe sovjetikëve. Përfaqësuesi sovjetik Nikitshenko konsultohej për çdo gjë me Moskën. Ai i përmbahej porosisë së Moskës se “e vërteta është që udhëheqësit nazistë janë kriminelë. Kjo është e padiskutueshme. Detyra e gjykatës ishte thjesht të përcaktojë masën e fajit për secilin të akuzuar dhe të peshojë dënimin për secilin”. Sovjetikët në debatet me amerikanin Jackson, por edhe me britanikët dhe francezët, ishin të parimit se “thuajse për të gjithë duhej dhënë dënimi me vdekje”.

Ndërsa Jackson, duke kundërshtuar këtë tezë, do të njoftonte Presidentin amerikan Truman se “ai mendonte se nëse do të ecim mbi këtë bazë, përse na duhet në fund të fundit një gjykatë?”. Por shumë nga këto mosmarrëveshje do të shuheshin gjatë procesit gjyqësor. Gjyqi do të niste më 20 nëntor 1945 dhe do të përfundonte më 1 tetor 1946, në Nuremberg, qytet në landin e Bavarisë. Ka pasur diskutime të shumta midis aleatëve për vendin ku do të zhvillohej procesi. Dhe propozimi shumë bindës për qytetin e Nuremburgut ishte i zv/guvernatorit ushtarak amerikan, Lucius D. Clay. (Ai do të ishte edhe ideatori dhe zbatuesi i njohur i “korridorit ajror” për çarjen e bllokadës së vendosur mbi Berlin nga Stalini. Ajo zgjati 11 muaj). Nurembergu ishte edhe qytet në zonën e pushtuar amerikane.

Nurembergu kishte qenë edhe “kryeqyteti” mistik i lëvizjes nacional-socialiste (Nationalsozialistischen Bewegung); qyteti i “shenjtë” i Hitlerit, i paradave të përvitshme të partisë naziste dhe të kongreseve të saj. Ishte edhe qyteti ku u miratuan ligjet e u përndoqën dhe u vranë hebrenjtë. Do të quhej “Ligji i Nurembergut”. Gjykata do të kishte selinë në Berlin, por meqë procesi do të zhvillohej në Nuremberg, Berlini si seli do të mbetej formal. Sovjetikët këmbëngulnin që akuza të përgatitej në Berlin… Për zhvillimin e procesit, në Nuremberg do të përdorej Pallati i Drejtësisë, i ndërtuar në vitet 1910-1916. Ai kishte një sipërfaqe prej 22 mijë metrash katrorë, kishte 540 zyra dhe 80 salla të mëdha dhe të vogla. Ngjitur ishte edhe burgu, ku mbaheshin të akuzuarit gjermanë dhe që komunikonte drejtpërdrejt me sallën 600, ku do të zhvillohej procesi. Burgu ishte ndërtuar më parë në vitet 1865-1868. Mbi 1200 veta ishin bashkëpunëtorë të Tribunalit.

Shumica e përkthyesve, mjaft të kualifikuar, ishin hebrenj. Një numër i madh punonjësish teknikë ishin atashuar pranë përfaqësuesve të katër fuqive. Amerikanët kishin një staf prej rreth 600 punonjësish. Përfaqësuesit e shtypit ishin nga 20 vende të ndryshme dhe procesin do ta ndiqnin edhe gazetarë e publicistë të njohur të kohës si, Peter de Mendelssohn, Ilja Ehrenburg, Erika Mann, Berno Reifenburg, Hans Habe, Erich Kastner etj. (Këta, por edhe të tjerë, kanë botuar libra me kujtime e dokumente, me intervista e dëshmi për procesin e Nurembergut).

Të katër gjykatësit paraprakisht do të binin dakord që procesi të niste gjykimin me ata të akuzuar që njiheshin si më kryesorët në krimet e kryera. Në fillim të procesit do të gjykoheshin 24 të akuzuarit kryesorë, midis të cilëve Hermann Göring, Rudolf Hes, Joachim Ribbentrop, Wilhelm Keitel, Alfred Rosenberg, Ernst Kaltenbrunner, Wilhelm Frick, Karl Dönitz, Franz von Papen, Alfred Jodl, Seyz Inquart Artur, Albert Speer etj., etj. Të gjithë këta e të tjerë kishin qenë prej vitesh anëtarë të Partisë Naziste e udhëheqës të lartë të regjimit.

Katër ishin akuzat që prokurorët ngritën ndaj të pandehurve në 42 dosjet shumë voluminoze: 1. Pjesëmarrje në një plan ose komplot kundër paqes; 2. Krime kundër njerëzimit; 3. Shkelje e ligjeve të luftës (shkelje e konventës së Hagës dhe Gjenevës); 4. Pjesëmarrje në përgatitjen, shpërthimin dhe udhëheqjen e një sulmi ushtarak. Vetëm pak nga të akuzuarit nuk i kishin të katra akuzat, por vetëm dy ose tri prej tyre. Pak ditë para marrjes së vendimit nga gjykata, në Nuremberg do të vinin dy përfaqësues të lartë sovjetikë: Andrej Vishinskij, zëvendësministri i Jashtëm dhe gjenerali Gorshemin, Prokuror i Përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik.

Kryeprokurori Jackson do të shtronte një darkë për nder të tyre. Dhe Vishinskij do të ngrinte një dolli, me fjalë krejtësisht të papranueshme në çdo pikëpamje: “Ta pimë këtë gotë për të akuzuarit… Urojmë që rruga e tyre të jetë direkt nga salla e gjyqit për në varr”. Prokuroi amerikan Jackson do të reagonte me shumë gjakftohtësi. “Asgjë mbi ligjin!”. Më 30 shtator 1946 u dhanë vendimet e gjykatës: “IshPresidenti i Rajhut, Franz von Papen, ish-Kancelari i Rajhut, Hjalmar Schacht, drejtori në Ministrinë e Propagandës, Hans Fritzsche, do të liroheshin nga akuzat dhe u shpallën “të pafajshëm”. Dr. Ley Robert do të kryente vetëvrasje me 23 shtator 1946.

Dëshmitarë të shumtë, sidomos ata të kampeve të përqendrimit, do të sillnin fakte shumë tronditëse për procesin që ngarkonin me përgjegjësi të akuzuarit. Asnjëri nga të akuzuarit nuk i pranoi akuzat. Ata çdo gjë e lidhnin me kryerjen e detyrës në “shërbim të Gjermanisë dhe të popullit gjerman”. Ndonëse kishin djegur Europën dhe kishin vrarë disa miliona njerëz, politikanët dhe gjeneralët në këtë proces nuk shfaqën asnjë pendesë. Madje, ata do të deklaronin se “përsëri do t’i shërbenin Gjermanisë, njëlloj si deri tani”. Marshalli kriminel Göring do të shprehej se “nuk mundet një marshall gjerman të dënohet me varje… Ky proces ka qenë një proces i pastër politik.

Para Zotit, para popullit tim dhe ndërgjegjes sime, e ndjej veten plotësisht të pafajshëm. Dënimin ma dhe një gjykatë armike. (Në momentin që Göring do të merrej nga qelia e tij për t’u ekzekutuar, ai kapërdiu një kapsulë të fshehur cianuri dhe i dha kështu fund jetës). Ish-ministri i Jashtëm Ribbentrop do të deklaronte para ekzekutimit se “e vetmja gjë për të cilën ndjehem fajtor para popullit tim dhe jo para një gjykate, është se përpjekjet e mia për politikën e jashtme mbetën të pasuksesshme…”.

Shefi i Shtabit të Ushtrisë, Seys Inquart Arthur, do të betohej se “po të kishte mundësi të kthehej koha, do t’i shërbente njëlloj Hitlerit. Për mua ai mbetet njeriu që kishte si qëllim të vetëm të bënte Gjermaninë e Madhe. Këtij njeriu unë i kam shërbyer. Dhe sot nuk mund të them: kryqëzojeni atë kur deri dje i kam thurur lavde…”. Alfred Jodl, shefi i Shtabit të Ushtrisë, do të akuzonte thjesht si “të pamoralshme dhe çnjerëzore që nga bombardimet e aleatëve u vranë gra dhe fëmijë”.

Wilhelm Keitel, që nga viti 1938 deri në ditën e fundit shef i komandës së lartë të Ushtrisë gjermane, do të shprehej se “është e tmerrshme që çdo gjë që kam bërë për popullin tim si ushtarak, me përkushtim dhe me besim të plotë ndaj tij, të shkatërrohet në moment. Do të punoja njëlloj siç kam vepruar për gjithë këto vite, vetëm me një ndryshim: në fund, për të mos ardhur këtu, do të vetëvritesha”. Rudolf Hess, gjenerali SS, zëvendësi i Hitlerit në parti dhe ministër, do të shprehej: “Çështjet që po dënohen, janë çështje të brendshme të Gjermanisë dhe nuk kanë pse të përzihen të huajt…

I kam shërbyer Diellit të Madh (Hitlerit) shumë vite të jetës sime…”. (I dënuar me burgim të përjetshëm, Hess do të kryente vetëvrasje në Burgun e Spandau-t, në Berlin, në gusht të vitit 1987, në moshën 93-vjeçare). Julius Streicher do të thoshte: “Zot, bëje Gjermaninë përsëri të madhe. Heil Hitler!”. Askush nuk ndjente përgjegjësi. Të gjithë vetëm këmbëngulnin se kishin bërë detyrën (për vrasjen e miliona njerëzve). “Me vdekje do të dënoheshin: Goring, Von Ribbentrop, Keitel, Kaltenbrunner, Rosenberg, Frank, Frick, Streichet, Sauckel, Jodl, Seyss-Inquart dhe Bosmann në mungesë.

Me burgim të përjetshëm do të dënoheshin: Hess, Funk dhe Reader. Me nga 20 vite do të dënoheshin: Speer dhe Schirach. Me 15 vite do të dënohej Neurath dhe me 10 vite: Donitz, Schacht dhe Frizsche”. Natën e 15-16 tetorit 1946 do të ekzekutoheshin me varje të 11 të shpallurit fajtorë dhe me dënim kapital. Më 16 tetor në mëngjes kufomat do të transportoheshin për në Mynih me një kamion, ku do të digjeshin në krematoriumin “Ostfreidhofes” dhe hiri do të hidhej në lumin Isar…”. Mbledhja e përgjithshme e Asamblesë së OKB-së, me anë të një Rezolute të datës 11 dhjetor 1946, njohu si të drejta dënimet e datës 30 shtator dhe 1 tetor 1946, si krime kundër njerëzimit.

Dhe në korrik të vitit 1950, Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare të OKB-së miratoi 7 parimet (“Nürnberg Principles”) që iu shpërndanë të gjitha vendeve anëtare dhe ku përcaktohej qartë se “e drejta ndërkombëtare prevalon mbi të drejtën kombëtare”. Ndërkohë, nga viti 1946 deri në vitin 1949 do të zhvilloheshin edhe 12 procese të tjera, po në Nuremberg. Ato do të quheshin “proceset amerikane”. Amerikanët do të angazhoheshin më shumë në gjykimin e zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme (Procesi i WilhelmStrasse); të drejtuesve të koncerneve I. G. Farben, Krupp und Flick; të ushtarakëve të lartë (OKW Proces) etj.

Akuza do të ngriheshin kundër juristëve, mjekëve, zyrtarëve të lartë, komanduesve supremë të ushtrisë, funksionarëve të njësive SS, të shërbimit të fshehtë etj.. Një vend të veçantë në këto procese, edhe në vitet e mëvonshme, do të zinin akuzat për drejtues të kampeve të përqendrimit. “Do të procedoheshin rreth 5025 të akuzuar në pjesën perëndimore të Gjermanisë dhe nga 806 dënime me vdekje, do të ekzekutoheshin 486. Pjesa tjetër u përjashtua nga dënimi me vdekje. Këto procese gjyqësore u zhvilluan edhe në zonat e pushtuara franceze, britanike, sovjetike si dhe në Poloni, Jugosllavi, Norvegji, Holandë etj.

Numri i përgjithshëm i të arrestuarve në zonën sovjetike të pushtimit (S.B.Z.) vlerësohet me 45 mijë vetë. Numri i përgjithshëm i të arrestuarve si kriminelë të nazizmit jashtë Gjermanisë vlerësohet midis 56-60 mijë vetëve…”. (Jurgen Gros dhe Manuela Gluab në librin e tyre “Faktenlexikon Deutschland” flasin se “mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore u gjykuan dhe u dënuan 70 mijë persona për krime lufte, brenda dhe jashtë Gjermanisë). Vetëm në vitin 1955, në zbatim të “kontratës së transmetimit” (kalimit të kompetencave), gjykatat gjermane morën të drejtën që edhe ato të gjykonin kriminelë lufte dhe nivele të ndryshme politikanësh të periudhës së regjimit nacional-socialist. Për shumë prej tyre u deshën 10-20 vite kërkime brenda dhe jashtë Gjermanisë, për t’i vënë në bankën e të akuzuarve.

Popujt akuzonin, e pse jo, vazhdojnë të akuzojnë edhe sot krimet e nazifashistëve! Lufta kishte mbaruar! Popujt e kishin paguar shumë shtrenjtë atë, ndërsa autorët e saj, në bankën e te akuzuarve në një zë, me një qëndrim, mbronin krimin e pashembullt: “I kemi shërbyer popullit gjerman e së ardhmes së tij; i kemi shërbyer Fyhrerit!”. “Nacional-socializmi u kushtoi jetën miliona njerëzve në Europë, por edhe vetë miliona gjermanëve, para së gjithash, gjermanëve të besimit hebre ose me prejardhje herreje.

Sa miliona të vrarë, të zhdukur, të humbur. Dhe kjo nuk do të ndodhte nëse regjimi nacional-socialist i Hitlerit nuk do të kishte nisur luftën”. Dhe Gjermania, e ndarë në Lindje me zonën sovjetike të pushtimit dhe në Perëndim me atë amerikane, britanike dhe franceze, do të niste rrugën e vështirë të ndërtimit e deri të Ribashkimit me 1990-ën, duke filluar me 4 D-të: demilitarizimin, denazistikimin, decentralizimin, dhe demokratizmin – të formuluara në Konferencën e Potsdamit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura