U vra nga polici i burgut në shtëpinë e ish-të dashurës, viktima i dënuar me 13 vite burg. Në kërkim, por lëvizte me kallash në Kavajë

Oct 13, 2019 | 18:47
SHPËRNDAJE

Etleva Delia

Ai ishte proceduar penalisht pasi kishte kundërshtuar Policinë, në momentin që e ndaluan kur drejtonte makinën në gjendje të dehur. Për këtë vepër penale, Gjykata e Kavajës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, në mungesë, masë që nuk u ekzekutua asnjëherë.

viktima
viktima

Nga ana tjetër, ai rezulton po ashtu person me precedentë të mëparshëm penalë. Burimet thanë se Haxholli ka qenë i dënuar me 13 vite burg për krime kundër personit dhe për trafikim lëndësh narkotike.

Ndërsa më herët, ishte dënuar edhe në Greqi, për një sulm ndaj forcave të Policisë në shtetin fqinj. E me gjithë precedentët e mëparshëm, faktin që ishte në kërkim dhe ndaj tij ishte caktuar një masë sigurie “Arrest me burg”, Dritan Haxholli lëvizte lirshëm në Kavajë, madje edhe i armatosur. Nuk dihet se në çfarë rrethanash apo për ç’arsye shërbimet e Policisë së Kavajës nuk kishin ekzekutuar vendimin e Gjykatës.

Nga ana tjetër, një fotografi e publikuar dje nga “Jeta Osh Qef”, e dërguar nga banorët e Kavajës, dëshmon për një miqësi mes Dritan Haxhollit dhe personit që është aktualisht i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e tij, oficerit të burgjeve, Bledar Toçi.

FOTOGRAFIA

Viktima, Dritan Haxholli, dhe oficeri i Burgut të Durrësit, Bledar Toçi, i kishin nxjerrë edhe më parë armët. I pari automatikun e tij Kallashnikov, me të cilin u fut në shtëpinë e ish-së dashurës dhe i dyti pistoletën e tij të shërbimit, një “Glock” që mban 17 fishekë. Por në këtë rast nuk i kishin drejtuar armët njëri-tjetrit, por shfaqeshin krah për krah, në një tavolinë që duket mjaft miqësore. Ky moment është fotografuar nga një person i tretë, ndërsa dje u publikua nga “JOQ”.

Nuk dihet periudha kur është shkrepur fotografia, por një gjë është e sigurt, që në atë moment Dritan Haxholli dhe Bledar Toçi nuk kishin ndërmend t’i qëllonin njeri-tjetrit. Në tavolinën ku ata janë të ulur, duken edhe disa mjete të ngjashme me ato që u sekuestruan nga Policia natën kur ndodhi vrasja në Kavajë dhe sipas burimeve dyshohet se përdoren për të konsumuar kokainë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura