U vra në Lazarat, përkujtohet 1-vjetori i rënies në detyrë të Ibrahim Bashës

Jun 24, 2016 | 13:38
SHPËRNDAJE

Policia e Shtetit organizoi sot një ceremoni përkujtimore në kuadër të 1 vjetorit të rënies në krye të detyrës të efektivit të Komisariatit Special RENEA, Inspektor Ibrahim Basha.

Në varrezat Dëshmorët e Kombit, u kujtua 1 vjetori i rënies në krye të detyrës në Lazarat, i efektivit Basha.

Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako, në fjalën e rastit shprehu dhimbjen dhe njëkohësisht nderimin për sakrificën dhe aktin sublim të Dëshmorit të Atdheut.

“Sot të gjithë ne mblidhemi dhe reflektojmë mbi vlera të tilla si nderi, sakrifica, detyra e përkushtimi. Dhe kur vlera të tilla lartësohen nga vepra të tilla sublime si dhënia e jetës, të gjithë ne që mbajmë uniformën e Policisë, jemi krenar që ishim shokët, miqtë dhe kolegët e Ibrahim Bashës. Shembulli i tij na frymëzon dhe na motivon për të vazhduar më tej për të përmbushur misionin për të cilin ai u sakrifikua, për të mbrojtur vlerat më të mira të një shoqërie demokratike, për të ofruar rend dhe siguri në shoqëri.”

Gjithashtu në këtë ceremoni në fjalën e saj Habibe Basha motra e Dëshmorit, e cila tashmë është pjesë e gjeneratës së re të Policisë së Shtetit është shprehur:

“Vëllai im i dashur ti e flijove jetën tënde në emër të paqes të qetësisë në emër të atdheut. Ti ishe plot mirësi dhe në buzë të qëndronte vetëm buzëqeshja si rreze dielli. Ti besoje me gjithë forcën tënde tek ligji tek uniforma, tek rregulli dhe u shndërrove në simbol të përpjekjeve të çdo Punonjësi të Policisë për vendosjen e Rendit e respektimit të Ligjit”, tha ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura