U votua dje në mesnatë, Zoran Zaev i dorëzon detyrën kryeministrit të ri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski

Jan 17, 2022 | 10:27
SHPËRNDAJE

Dimitar Kovaçevski ka marrë sot zyrtarisht funksionin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, pas votimit në Kuvend një ditë më parë për krijimin e kabinetit të ri qeveritar.

dimitarkovacevski

Zoran Zaev i ka dorëzuar Kovaçevskit edhe zyrën e kryeministrit. Në axhendën e sotme të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, është takimi me ministren gjermane për Evropë, Anna Luhrmann, ndërsa nesër do të takohet me kryeministrin bullgar Kiril Petkov.

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, u votua në mesnatën e djeshme në Kuvend me 62 vota për dhe 46 kundër.

Votimit i parapriu një debat dyditor që përfundoi të dielën para mesnate. Qeveria e re numëron 21 anëtarë; 17 ministra dhe katër zëvendëskryeministra. Lidhja Social Demokrate ka 12 anëtarë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa.

Njëmbëdhjetë anëtarë të Qeverisë janë maqedonas, ndërsa dhjetë shqiptarë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka një plan të detajuar që të përballet me sukses me të gjitha sfidat që ndodhet para saj, ka deklaruar kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura