U var për lekët e energjisë, familjarët e Gjovalin Lazrit: Na falni faturën

Mar 6, 2015 | 13:04
SHPËRNDAJE

Një ditë pas tragjedisë në familjen Lazri ku kryefamiljari vari veten për shkak se nuk i paguante dot OSHEE-së shumën prej 7 milionë lekësh, të afërmit e tij kërkojnë rilidhjen e energjisë dhe heqjen e kësaj fature.

Miq e të afërm i dhanë lamtumirën e fundit dje 52- vjeçarit Gjovalin Lazri, ndërsa asnjë nga drejtuesit vendorë në Lezhë nuk ka shkuar për t’i shprehur ngushëllime familjes për këtë ngjarje tragjike.

Dhimbja e familjes për humbjen e tij ka qenë e madhe, pasi ai i dha fund jetës në mënyrë tragjike nga pamundësia ekonomike për të paguar debinë e energjisë elektrike që e kishte të akumuluar prej tri vitesh në një shumë prej 7 milion lekësh të vjetër. Ndonëse pas vdekjes së 52-vjeçarit OSHEE ka lidhur dritat në banesën e kësaj familjeje, ende nuk dihet nëse ky veprim është i përkohshëm sa t’i jepej lamtumira të ndjerit dhe as nëse kjo debi do t’i falet kësaj familjeje. Krahas dhimbjes për humbjen e kryefamiljarit, katër fëmijëve dhe gruas së tij u duhet të jetojnë me frikën se policia do të rikthehet për t’u ndërprerë energjinë. Kjo familje jeton në kushte tepër të vështira ekonomike dhe me një banesë thuajse barakë, ata kishin vetëm llamba elektrike dhe asnjë pajisje tjetër që të shpenzonte shumën e mësipërme.

Familjarë dhe të afërm të viktimës Gjovalin Lazri i bëjnë apel shtetit që të ndihmojnë këtë familje, ku pas humbjes së kryefamiljarit skamja dhe varfëria për ta pritet të shtohet.

“Kjo familje jeton në kushte ekstreme ekonomike dhe ky ishte shkaku që Gjovalini i dha fund jetës, duke pirë fostoksinë. Kjo është një ngjarje tepër e rëndë. Më vjen keq që edhe pas kësaj tragjedie askush nuk i ka ardhur ende në ndihmë kësaj familjeje, e cila është në varfëri. Sot ishte ceremonia e varrimit dhe asnjë nga pushtetarët nuk është parë të paktën për t’i përcjellë ngushëllime familjes. Në qoftë se shteti nuk do të kishte marrë këtë masë kaq të ashpër duke i ndërprerë energjinë, kjo tragjedi do të ishte shmangur. U bëj thirrje organeve shtetërore që të paktën pas kësaj dhimbjeje që ka familja, t’u vijnë në ndihmë që t’u hiqet fatura e energjisë dhe energjia të mos u ndërpritet. Këta e kanë të pamundur për të paguar, pasi janë të gjithë të papunë dhe jetojnë vetëm me një ndihmë ekonomike”, u shpreh dje Gjergj Lazri, i afërm i viktimës.

Gjovalin Lazri, invalid prej 10 vitesh, i dha fund jetës duke konsumuar një sasi fostoksinë, pasi në banesë i ishte ndërprerë energjia elektrike prej 2 javësh për shkak të debisë së akumuluar. Kryefamiljari vendosi t’i jepte fund jetës për shkak të pamundë- sisë për të paguar faturat, ndërsa sipas familjarëve kjo tragjedi ishte paralajmëruar më parë nga ana e tij. Sipas tyre, drejtuesit e OSHEE-së i kishin dhënë ultimatum për ta paguar që të rikthehet energjia, pasi nuk kishte rrugë tjetër. Por 52-vjeçari jetonte çdo ditë me frikën se mund ta arrestonin, sidomos në dy javët e fundit kur OSHEE-ja ia ndërpreu dritat duke i lënë në terr.

Viktima la pas 4 fëmijë, më i madhi i moshës 20 vjeç.

Elvis Hila 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura