“I ndryshëm nga Rama, por i gatshëm për bashkëpunim”- Albin Kurti zbulon temat e diskutimit me kryeministrin e Shqipërisë

Oct 27, 2019 | 9:10
SHPËRNDAJE

Ardit Hoxha 

Update/ Pas disa orëve diskutim në takimin e mbrëmjes së premte me Kryeministrin shqiptar, Albin Kurti, Kryeministër i zgjedhur në Kosovë, ka sqaruar për mediat se në fokusin e tyre kanë qenë shumë çështje të përbashkëta. 

kurti3

Në një intervistë para fillimit të Samitit të Paqes për Europën Juglindore, Kurti tha se gjatë takimit me Ramën është folur për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, i cili sipas tij nuk është atje ku duhet.

Për Albin Kurtin, të dyja qeveritë do duhet të punojnë më tepër, që shqiptarët në të dyja anët e kufirit të mos vazhdojnë të jenë më të varfrit në Europë.

“Ne kemi diskutuar për çështje dhe tema që do të bashkëpunojmë. Organigramat e qeverive vijnë më pas. Pra, një herë është substanca dhe pastaj edhe forma që duhet të marrë. Kishte shumë kohë pa u parë diku, rreth 14 muaj. Kishte shumë tema e çështje që duhet t’i bisedonim, aq më tepër që Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme dhe unë si Kryeministri i ri, dua dhe duhet të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e Shqipërisë dhe me Kryeministrin e Shqipërisë. Biseduam për çështje, të cilat i kemi të përbashkëta, por gjithashtu edhe për çështjet në dy shtetet tona.

Duam që edhe në aspektin e politikës së jashtme, edhe në aspektin e ekonomisë të bashkërendohen sa më shumë Kosova me Shqipërinë sepse efekti sinergjik që mund të kemi, natyrisht që nuk është i shfrytëzuar sa duhet. Besoj që mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët janë shumë më të mëdha sesa realiteti që e gëzojnë, prandaj duam që të krijojmë sa më shumë ura dhe Kosova e Shqipëria t’i ndihmojnë shqiptarët që të mos jenë më të varfrit, më të papunët e më të nëpërkëmburit jo vetëm në Ballkan”, u shpreh Albin Kurti.

SHENGENI

Për temën e Shengenit Ballkanik, që më herët ishte shprehur shumë kundër, Albin Kurti tha se pret që të lexojë një dokument zyrtar, pasi çdo gjë deri më tani është në nivel idesh.

“Për Shengenin Ballkanik, unë pres që të shoh një tekst se çfarë saktësisht nënkupton ai. Sepse ai më ngjan më shumë me ide sesa projekte. Pra, dua ta shoh projektin në letër. Tani për tani është në nivel idesh”, tha Kurti. Kryeministri i zgjedhur i Kosovës foli edhe për dallimet e tij me homologun e Shqipërisë, duke thënë se ato nuk kanë rëndësi përderisa të dy kanë si objektiv të përmirësojnë jetën e shqiptarëve. “Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara. Ne jemi njerëz të ndryshëm, jemi politikanë të ndryshëm dhe duam që të bashkëpunojmë në mënyrë që mospajtimet që kemi, kurrsesi nuk bën që ta rrezikojnë bashkëpunimin tonë, meqenëse fundja ne nuk jemi dy persona të veçantë, por jemi dy funksione dhe qytetarët tanë presin që do të bashkëpunojmë”, theksoi lideri i Vetëvendosjes. Kurti foli edhe për çështjen e dialogut me Serbinë, duke thënë se ai dhe qeveria që do të drejtojë do të angazhohen për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë. “Duhet ta përgatisim mirë dialogun dhe unë pres që të takohem me pasardhësen e zonjës Mogherini në mënyrë që të përcaktojmë parimet se si të ecim përpara dhe dialogu i ardhshëm të mos dështojë. Për marrëveshje me Serbinë duhet të ndryshojë shumë më tepër Serbia, sesa Kosova. Ne angazhohemi për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe dialogun e ardhshëm me Serbinë do ta udhëheq unë, si Kryeministri i ardhshëm”, u shpreh Albin Kurti.

Këtë linjë, Kryeministri i zgjedhur i Kosovës e theksoi edhe gjatë fjalës së tij në Samitin e Paqes, ku foli për rritjen e dialogut dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura