U shpallën fajtorë për tre akuza, gjykata e Hagës ul dënimin ndaj ish-krerëve të UÇK

Feb 2, 2023 | 15:16
SHPËRNDAJE

Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka ulur me tre muaj dënimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, nga katër vjet e gjysmë në katër vjet e tre muaj.

gucati haradinja

Kryetarja e trupit gjykues të Apelit tha se ndaj Gucatit e Haradinajt mbetet në fuqi edhe dënimi me gjobë prej nga 100 euro.

Gucati e Haradinaj në shkallën e parë më 18 maj 2022, u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara./Telegrafi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura