U shkarkua për shkak të problemeve me pasurinë, KPA le në fuqi vendimin e KPK për Prokurorin e dosjes së Dritan Dajtit

Jul 3, 2020 | 18:36
SHPËRNDAJE

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë sot në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), për shkarkimin nga detyra të ish-Kryeprokurorit  të Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Artan Bajrami.

Bajrami, i njohur si prokurori që po hetonte dosjen e Dritan Dajtit në Apelin e Krimeve të Rënda, u shkarkua në shkurt të viti 2019 nga KPK për shkak të problemeve me pasurinë.

artan bajrami

Ai u rivlerësua në të tri kriteret, ku për dy prej tyre, atë pastërtisë së figurës dhe profesionalizimin mori nota pozitive, por u gjetën probleme në deklarimin e pasurisë.

HETIMI DHE PROBLEMET

Hetimi administrativ i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte përqendruar në apartamentin 110 metra katrorë në Tiranë, të blerë për 45 mijë dollarë ose 6.5 milionë lekë. Bazuar në deklarimet e prokurorit, rezultoi se burim krijimi ishte deklaruar një hua prej 5 milionë lekësh dhe të ardhurat nga shitja e banesës në Gramsh për 4 mijë dollarë, si dhe kursimet nga paga. Për këtë pasuri, nga hetimi u konstatua mospërputhje e burimit të parave për shlyerjen e një kësti të huas.

Gjatë deklaratave vjetore, subjekti nuk deklaroi se pagesa prej 1.5 milionë lekësh ishte paguar nga baxhanaku, por ka pasur burim shitjen e banesës në Gramsh. Në lidhje me këtë konstatim, Bajrami tha se ishte një ngatërresë, pra, një lapsus dhe kërkoi që kjo të mos bëhej problem për karrierën e tij.

Më tej, nga relacioni, rezultoi se baxhanaku i prokurorit i kishte bërëka dhurata të tjera, që kapin vlerën 2.2 milionë lekë. Por relatorja theksoi se pas hetimit është konstatuar se baxhanaku ka burime të ligjshme për dhënien e kësaj shume. Pasaktësi u vërejtën edhe në deklarimin për apartamentin e banimit në Golem, me sipërfaqe 55 metra katrorë.

KPK ngriti dyshime se Bajrami nuk kishte paguar 10 mijë euro për këtë apartament. Sipas shpjegimit të relatores së çështjes, Suela Zhegu, nga kontrata ishte parashikuar që vetëm 1500 euro mund të mbaheshin deri në përfundimin e apartamentit, por prokurori nuk kishte paguar 10 mijë dollarë.

Njoftimi i plotë i KPA:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ardian Hajdari relator, Ina Rama, Luan Daci, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.20/2019, datë 18.04.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Artan Bajrami, kundër vendimit nr. 107, datë 14.02.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 107, datë 14.02.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Artan Bajrami.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura