U shkarkua nga detyra pas akuzave për korrupsion, KPK përfundon vetingun për ish-prokurorin e Dibrës, por pa një vendim përfundimtar

Jan 18, 2022 | 13:51
SHPËRNDAJE

Tom Dedaj ka qenë subjekt rivlerësimi për shkak të funksionit të tij si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër dhe për këtë arsye i është nënshtruar procesit të vetingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK.

tomdedaj

Gjatë hetimit administrativ për prokurorin Dedaj, Komisioni ka konstatuar se në ngarkim të këtij subjekti, ish-Prokuroria për Krime të Rënda nisur nga një denoncim publik në emisionin “Fiks fare”, ka regjistruar në tetor të vitit 2016 procedim për veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”. Po në atë periudhë, është vendosur pezullimi i Dedajt nga detyra deri në përfundimin e hetimeve në ngarkim të tij.

Në vitin 2018, me kërkesë të prokurorisë, Dedaj është deklaruar fajtor për korrupsion nga ish-Gjykata për Krime të Rënda dhe është dënuar me 3 vjet burgim. Po ashtu i është dhënë dënim plotësues me heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet. Megjithatë, gjykata e ka pezulluar ekzekutimin e dënimit me burgim duke e vendosur në provë për një periudhë 5 vjeçare.

Pozita e Dedajt është lehtësuar nga ish-Gjykata e Apelit për Krime të Rënda që e ka deklaruar fajtor për “moskallëzim krimi”, duke e dënuar me 1 vit burgim, si dhe e ka pezulluar ekzekutimin e vuajtjes së dënimi duke e vendosur në provë për 2 vjet. Apeli ka zbritur edhe masën e dënimit plotësues, duke vendosur që ti heqi të drejtën për të ushtruar funksione publike vetëm për një vit.

Duke iu referuar këtyre vendimeve penale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka vendosur më 28 janar 2019 të shkarkojë nga detyra prokurorin Tom Dedaj. Ky i fundit e ka ankimuar vendimin e KLP në Gjykatën Administrative të Apelit duke kërkuar mes të tjerash rikthimin në detyrën e prokurorit; dhënien e pagës dhe të një shpërblimi në shumë 30 milionë lekë; si dhe konstatimin e diskriminimit të tij.

Apeli Administrativ ka shpallur moskompetencën në dhjetor të 2019-ës dhe ka vendosur dërgimin e akteve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA që vendosi fillimisht kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë publike.

Dedaj nuk është paraqitur në seancën publike të zhvilluar më 20 korrik të vitit 2020, megjithëse është konfirmuar marrja njoftimit nga ana e tij. Gjithashtu nuk ka paraqitur parashtrime apo pretendime për çështjen, si dhe nuk ka depozituar kërkesë për shtyrjen e seancës në Kolegj. Për rrjedhojë, KPA ka vlerësuar ta trajtojë këtë situatë si heqje dorë nga kërkesa e tij kundër vendimit të KLP-së.

Sipas KPK-së, Kolegji ka arritur në përfundimin se gjykimi i kësaj çështjeje pranë KPA-së duhet të pushohet.

Por nga hetimi ka rezultuar se Dedaj ka dorëzuar në korrik të vitit 2021 në KPA kërkesë për rifillimin e çështjes. Kjo kërkesë nuk është pranuar, pasi Kolegji ka vendosur të mos e kalojë çështjen në seancë plenare.

Pasi ka analizuar gjithë ecurinë e proceseve që kishin të bënin me arsyet e shkarkimit nga detyra të Dedajt dhe humbjes së statusit të magjistratit, Komisioni vlerëson se është bërë i pamundur objekti për të cilin ka filluar procesin e vetingut për këtë subjekt rivlerësimi.

Në këto kushte trupa e KPK e përbërë nga komisioneret Firdes Shuli, Suela Zhegu dhe Alma Faskaj ka vendosur të deklarojë përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar për Tom Dedajn, pa një vendim përfundimtar./ Marrë nga Reporter.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura