U shfaqën në oborret karakteristike shkodrane, mbyllet festivali i filmit

Jun 6, 2022 | 10:28
SHPËRNDAJE

Në Shkodër i përmbyll edicioni i pestë i festivalit të filmit “Ekrani i Artit” i organizuar nga “Art House” dhe artisti Adrian Paci.

ekrani i artit

Katër ditët e këtij festivali me filma që u shfaqën në oborret karakteristike shkodrane që kanë arritur t’i mbijetojnë betonizimit masiv kulmoi me një film në teatrin “Migjeni” të quajtur “La Macchina delle Immagini di Alfredo C” që i kushtohet një operatori italian të Institutit “Luçe” që erdhi në Shqipëri gjatë pushtimit fashist në 1939 të Italisë dhe mbeti në vendin tonë, duke u detyruar që të filmojë dhe punojë për një regjim tjetër, atë komunist.

Filmi premierë është nën regjinë e Roland Sejko dhe i mundësuar nga Instituti italian “Luçe”. Regjisori Sejko rrëfen historinë e operatorit Alfredo Çeketi.

“Filmi ‘La Macchina delle Immagini di Afredo C’, bëhet fjalë për një operator dhe sillet me këtë titull ngaqë është historia e një operatori të Institutit italian ‘Luçe’ që ishte syri i regjimit fashist gjatë pushtimit italian, i cili për ironi të fatit gjendet i mbyllur në Shqipëri bashkë me 27 mijë italian të tjerë dhe befas shndërrohet për një periudhë të shkurtër në operatorin e regjimit komunist.

ekrani i artit migjeni

Ky kapërcim si shërbëtor i dy zotërinjve mund të themi qoftë të fashizmit qoftë të monizmit jep mundësinë për të shprehur disa tema që kanë të bëjnë me propagandën por edhe raportin që kemi ne me historinë”.

Instituti “Luçe” dha një kontribut nga vitit 1920 deri në 1940 duke fiksuar Shqipërinë e atyre viteve, imazhe historike që janë tejet të rëndësishme edhe në ditët e sotme për shkak se janë të vetmet duke qenë se Shqipëria asokohe ishte një vend ende i panjohur thotë regjisori Sejko.

“Prania e imazheve të Shqipërisë nga mesi i viteve ‘20 deri në mesin e viteve ‘40 nga Instituti ‘Luçe’ ka të bëjë me raportin që Italia kishte të bëjë si gjatë kohës së Zogut deri edhe pastaj pas pushtimit. Këto imazhe janë një pasuri shumë e madhe që kemi pasi nuk ka forma të tjera që mund t’i referohemi për të parë Shqipërinë e asaj kohe.

Ka pak dokumentarist që kanë zbritur në Shqipëri, ishte akoma një vend i panjohur dhe prania e ‘Luçes’ ka bërë që të paktën të kemi një formë për ta rirrëfyer të paktën përmes këtyre imazheve atë histori tonën të asaj periudhe, sidomos periudhën e fashizmit”.

Filmi “Kutia e imazheve e Alfredo C” është një ngjarje e të kaluarës, por që ka gjithmonë një sy tek e tanishmja në mënyrë që shoqëritë të mos harrojnë të shkuarën, regjimet dhe gjithçka tjetër që nuk i shërbeu zhvillimit.

“Dokumentarët historikë marrin për qëllim që të tregojnë ngjarjet e kaluara, duke pasur një sy tek e tanishmja. Gjithmonë, nëse rrëfehet një ngjarje e shkuar ka një lidhje me aktualitetin, nuk është e shkëputur nga ajo që ka ndodhur dje. Besoj se duke sjellë të shkuarën dalin shumë mësime mbi të tashmen.

Nuk është se unë çoj mesazhe, janë disa kode të rrëfimit që është shikuesi pastaj që i merr. Në syrin e një skenaristi dhe regjisori temat e së shkuarës nuk i përkasin një anekdote që vdes aty.

Padyshim aty brenda ambicia është që të gjenden tema që edhe sot janë të vlefshme”, shprehet regjisori Sejko.

“Ekrani i Artit” në fund u mbyll me një projektim videosh në muret e katedrales së Shkodrës “Shën Shtjefni” mundësuar nga artisti Lekë Gjeloshi. Netët e festivalit të filmit i shoqëroi me muzikën e tij artisti i mirënjohur Robert Bisha. s.n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura