U rritën shpenzimet për argëtim? Reagon Qeveria: Ja si është e vërteta

May 25, 2016 | 19:52
SHPËRNDAJE

Qeveria ka reaguar pas një artikulli të revistës “Monitor”, ku pretendohet se në tre mujorin e parë të vitit 2016, qeveria ka rritur me 62% shpenzimet për argëtim, ndërkohë që nga ana tjetër janë ulur shpenzimet për funksionet themelore si mbrojtja, çështjet ekonomike dhe shërbimet e strehimit.

Ja reagimi i publikuar në faqen Transparenca.al

artikulli-monitor

Në përgjigje të pretendimeve në artikullin e  revistës Monitor mbi ecurinë krahasimore të shpenzimeve të 3-mujorit për vitin 2016 ndaj atij 2015, sqarojmë opinionin se:

Dinamika e realizimit të shpenzimeve brenda një viti buxhetor ndikohet ndjeshëm nga ritmet e procedurave specifike të prokurimit të fondeve buxhetore, të cilat janë më të dukshme në 3-mujorin e parë të çdo viti fiskal. Nisur nga kjo, në rastin e shpenzimeve të Funksionit nr. 8 të qeverisë “Argëtimi, Kultura dhe Çështjet Fetare” kemi të bëjmë me një ritëm krahasimisht më të lartë të kryerjes së procedurave të prokurimit, dhe rrjedhimisht të disbursimit të fondeve të planifikuara për to.

Në përforcim të këtij konstatimi, për këtë funksion buxheti i vitit 2016 është rritur me 20.7% krahasuar me buxhetin e vitit 2015. Kjo rritje i dedikohet akordimit të një fondi prej 200 milionë lekë për RTSH në kuadër të projektit të dixhitalizimit, si dhe projekteve të reja të investimeve publike të Ministrisë së Kulturës për ndërtimin e dy teatrove alternative në masën e 350 milionë lekëve.

Në përfundim, pretendimi i ngritur në artikullin e revistës Monitor nuk qëndron për sa kohë që kemi të bëjmë me një ecuri normale të shpenzimeve buxhetore referuar periudhës specifike të vitit buxhetor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura