U qëllua me breshëri automatiku teksa po kulloste bagëtinë, policia zbardh ngjarjen në Lushnjë: Autori është i vëllai (EMRI)

Sep 24, 2021 | 10:39
SHPËRNDAJE

Policia e Lushnjës ka arritur të zbardh ngjarjen e ndodhur në fshatin Ngurrëz e Vogël mëngjesin e sotëm, ku një 65-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri.

Uniformat blu kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë në kohë autorin e ngjarjes, i cili është Sami Veliu, vëllai i të lënduarit.

65-vjeçari u qëllua në distancë me breshëri automatiku teksa ishte duke kullotur bagëtitë, ndërkohë që i vëllai i tij i cili donte ta eleminonte u arrit të kapej në një shtëpi të braktisur së bashku me armën e krimit.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë së Lushnjës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë

Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Ngurrëz e Vogël, Lushnjë.

Kapet në kohë rekord autori i plagosjes së 65-vjeçarit.

Sekuestrohet municion luftarak dhe arma e zjarrit automatik me të cilën autori kreu krimin.

Pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Lushnjës ka shkuar i plagosur me armë zjarri shtetasi F. V., 65 vjeç, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe falë veprimeve të shpejta hetimore e profesionale dhe reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit, i cili është vëllai i 65-vjeçarit.

Kronologjia:

Shtetasi F. V., rreth orës 05:00, ka dalë jashtë banesës për tu kujdesur për bagëtit e tij dhe është goditur me armë zjarri automatik nga largësia nga një person të cilin ai nuk arriti ta shikonte.

Autori u largua nga vendgjarja dhe u fsheh në një banesë të braktisur në fshatin Ngurrëz e Vogël. Pas krehjes së zonës dhe veprimeve hetimore operacionale, Policia bëri të mundur kapjen e autorit bashkë me armën e zjarrit, një kallëp tritoli bashkë me ndezësin dhe fishekë luftarak.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Sami Veliu ka qëlluar me armë zjarri kundrejtë vëllait të tij për motive pronësie.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në përfundim të veprimeve hetimore arrestuan për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” shtetasin Sami Veliu.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura