U prek nga ‘sindroma e bixhozit’, ky person shpallet ‘non grada’ në Tiranë

Jun 30, 2016 | 10:34
SHPËRNDAJE

Nëse një qytetar është i prekur nga “sindroma e bixhozit”, atëherë me ligjin e ri për lojërat e fatit në Shqipëri, atij i ndalohet hyrja në kazino për shkak se mund të bëhet fatkeqësi për familjarët duke shpërdoruar të gjithë burimet financiare të shtëpisë.

Kazino

Kështu, edhe në lojërat e fatit do të ketë persona të padëshiruar. Emri i parë është bërë publik nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Ai duhet të ndalohet të hyjë për të luajtur në çdo lokal të lojërave të fatit.

Ja teksti i njoftimit:

“Ju bëjmë me dije të njoftoni të gjithë punonjësit tuaj, në adresat dytësore, ku shoqëria juaj ushtron aktivitet në fushën e lojërave të fatit, që të mos lejojnë hyrjen në këto ambiente të GJ. K., banues në Tiranë. Në rast të kundërt, nga ana jonë do të merren masat sipas dispozitave ligjore në fuqi, deri në pezullimin/heqjen e të drejtës për të ushtruar aktivitet”.

Ky paralajmërim u është dërguar të gjithë subjekteve të licencuara nga kjo Njësi, institucion në vartësi të ministrisë së Financave, duke kërcënuar me heqje licence në rast se personi në fjalë, jo vetëm luan bixhoz në një nga dyqanet e kompanisë, por madje edhe në rast se pikaset që ka hyrë brenda njërit prej tyre si spektator, shkruan Shqiptarja.com.

Në pikën 4 të nenit 6 të ligjit thuhet: “Organizatori merr masa të ndalojë për të luajtur në mjediset e lojërave të fatit një person, për të cilin ka një kërkesë me shkrim, prej vetë lojtarit, apo prej të paktën një prej familjarëve të tij, ku kërkohet moslejimi i këtij personi për të hyrë në mjediset e lojërave të fatit”. Edhe më parë ka ekzistuar një lloj “liste e zezë”, por është mbajtur në konfidencialitet; institucioni vetëm njoftohej me shkrim një pjesë të pikave të lojërave të fatit, që lojtari frekuentonte zakonisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura