U përlot, kështu Tirana e transformoi “Special One” në… “Normal Mourinho”

May 27, 2022 | 23:12
SHPËRNDAJE

Edhe të mëdhenjtë qajnë… Në këtë rast nuk e kemi fjalën vetëm për një burrë 59-vjeçar, por njëkohësisht për një trajner të madh, një specialist të trofeve europianë si Jose Mourinho. Emri i tij nuk ka nevojë për shumë reklamë, pasi njihet në çdo cep të botës, përjashtuar ndoshta vetëm në disa vende ku jetojnë ende fise indigjene që nuk e dinë ende në 2022-shin se çfarë është elektrizimi, e jo më televizori.

MURINJO

Por ndoshta edhe nëse ata do ta kishin njohur, takuar vetëm një herë, pa dyshim që skena të cilën panë në Tiranë do t’i kishte bërë përshtypje. Trajneri “Special”, ai që i kërkoi pankinës së tij me ashpërsi që të mos festonte dhe të ulej në stol pas golit të avantazhit të Zaniolos në finalen me Fejnordin, me të ardhur vërshëllima e trefishtë hapi “rubinetet” si asnjëherë më parë ndoshta, duke shpërthyer në të qara me dënesë.

Lot gëzimi pa dyshim, lot çlirimi, duke qenë se siç e kishte nënvizuar ai vetë, kjo me Romën ishte finalja më e rëndësishme e karrierës së tij, si rrjedhojë e faktit se ishte edhe më e vështira për t’u fituar. Dhe merita e finales së Tiranës ishte ajo që përveçse do t’i dhuronte në fund trofeun e radhës europian, i ka lënë portugezit kujtime shumë të bukura që në vizitën e tij të parë.

Madje, fotoja e tij duke qarë me dënesë nuk vonoi që të shpërndahej me shpejtësi në rrjetet sociale, aq sa shumë media nisën të gërmonin dhe të provonin të gjenin ato pak çaste në të cilat “Special One” papritur tregon edhe anën e tij “Normale” si në Tiranë. Pas finales shqiptare, ku ai theksoi se Roma e tij kishte shkruar historinë, precedentët e tjerë janë fare të paktë:

– Interi fiton titullin në ndeshjen kundër Sienës, pas së cilës edhe vetë Zhoze Murinjo nuk e beson se sytë e tij nisën të përloteshin, prej lumturisë që solli një trofe që zikaltërve u mungonte prej një kohe të gjatë.

– Të papërmbajtshëm lotët në dy sezonet e tij tek Interi ishin pa dyshim në vitin 2010, kur në Madrid mposhti Bajernin dhe riktheu pas gjysmëshekulli trofeun e Ligës së Kampioneve në Milano, duke mundur në dukje me shumë lehtësi gjigantët e Bajernit të Mynihut.

Murinjo lotet

Por ndoshta ata lot nuk ishin vetëm për trofeun, që ai e kishte fituar edhe me Porton 6 vite më parë… Ata lot specifikonin lamtumirën e tij, menjëherë pas daljes nga stadiumi “Santiago Bernabeu”, i cili do të shndërrohej në shtëpinë e tij të re. Po, Zhoze Murinjo linte Interin për të firmosur me Realin e Madridit, ku i paharrueshëm do të mbetet takimi i tij me mbrojtësin Marko Materaci.

– Shumë i papritur ishte edhe një shpërthim i tij në lidhje direkte, teksa intervistohej në gushtin e vitit 2019. Në atë periudhë Zhoze ishte i papunë, por kërkonte që të riniste aq shumë një tjetër aventurë të re, pasi të qenit larg futbollit e bënte shumë nostalgjik dhe të dobët karakterialisht. “Tani është një gjë serioze. Mendoja se mund ta përballoja, por pa futbollin nuk ka asgjë që më dëfren dhe nuk kam turp ta pranoj se jam i humbur pa punën time”, shprehej Murinjo për televizionin spanjoll “Chiringuito”.

– Ndërkohë, përlotja më absurde e një njeriu që duket gjithmonë shumë i egër, serioz dhe i sigurt në vetvete ishte lajmërimi për ngordhjen e qenit të tij, i cili ishte pjesë e familjes prej më shumë se një dekade. Gjithsesi, nga hera e fundit që Zhoze Murinjo kishte derdhur lot kishin kaluar shumë vite, por në fund ajo që mendoi ta emociononte dhe, pse jo, ta përkëdhelte, ishte Tirana, aty ku u zhvillua finalja e Ligës së Konferencës.

TROFETË E FITUAR NGA MURINJO

2 CHAMPIONS

PORTO 2003-2004

INTER 2009-2010 2

KUPA UEFA/ LIGA E EUROPËS

PORTO 2002-2003

MAN.JUNAJTID 2016-2017

1 LIGË KONFERENCE

ROMA 2021-2022 2

KAMPIONATE PORTUGEZE

PORTO 2002-2003

PORTO 2003-2004

1 KUPË TË PORTUGALISË

PORTO 2002-2003

1 SUPERKUPË TË PORTUGALISË

PORTO 2002-2003 3

PREMIER LIGA

ÇELSI 2004-2005

ÇELSI 2005-2006

ÇELSI 2014-2015

4 KUPA TË LIGËS

ÇELSI 2004-2005

ÇELSI 2006-2007

ÇELSI 2014-2015

MAN.JUNAITID 2016-2017

2 SUPERKUPA TË ANGLISË

ÇELSI 2005

MAN.JUNAJTID 2016

1 KUPË FA

ÇELSI 2006-2007

2 SERI A NË ITALI

INTER 2008-2009

INTER 2009-2010

1 SUPERKUPË TË ITALISË

INTER 2009-2010

1 KUPË TË ITALISË

INTER 2009-2010

1 LA LIGA NË SPANJË

REAL MADRID 2011-2012

1 KUPË TË MBRETIT

REAL MADRID 2010-2011

1 SUPERKUPË TË SPANJËS

REAL MADRID 2012

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura