“U mbrojt nga sulmi me thikë si nëpër filmat aksion”, Gilman Lika rrëfen rastin e trajnerit Gjoka

Feb 23, 2018 | 22:19
SHPËRNDAJE

LIKASkena aksion si nëpër filma. Kështu e rrëfen ngjarjen e djeshme që përjetoi trajneri Ernest Gjoka, pas një sulmi me thikë. Në një intervistë për shkodra.neës, ai tregon detajet e sulmit.

Gjoka

Lika, keni qenë bashkë me trajnerin Gjoka në momentin e sulmit ndaj tij, çfarë ndodhi realisht ?

Isha duke dalë nga stërvitja bashkë me profesor Nestin dhe po bisedonim për stërvitjen. Pastaj i thashë natën profesor edhe u shkëputa rreth 4 – 5 metra. Por, brenda pak sekondave dëgjova që reagoi profesori dhe e kuptova që diçka nuk po shkonte. Pashë që ai djali e goditi, por edhe profesori iu kundërpërgjigj. Pastaj, agresori nxori thikën dhe po ndiqte profesorin. Ky i fundit gjeti një biçikletë aty afër dhe ia përplasi në trup për tu mbrojtur. Pastaj profesori duke u shmangur i rrëshqiti këmba dhe ra në tokë. Aty, agresori u afrua me thikë për ta goditur. Por, ashtu i shtrirë, profesori e goditi me këmbë në gjoks dhe këtu fitoi shumë kohë. Më pas u afrova unë dhe i nxora çantën përpara. Pastaj, u afrua edhe një person i lokalit që ishte pranë fushës “Reshit Rusi” dhe më pas agresori u frikësua më duket edhe u largua me vrap. Megjithëse ishte me thikë të madhe dhe të them të drejtën na frikësoi edhe neve.

Kishit frikë se agresori mund t’iu sulmonte edhe juve?

Jo, për momentin nuk mendova asgjë, por thjesht ishte puna të ndihmoja profesorin. Siç e thashë më lartë, agresori kishte një thikë të madhe dhe nuk mund t’i afroheshim shumë afër për ta goditur.

Cilët ishin fjalët e para që ju tha trajneri Gjoka pas largimit të agresorit? Vijonte të ishte i frikësuar?

Në fakt, u frikësuam të gjithë. Madje edhe u shtangëm se si mund të ndodhte një ngjarje e tillë. As në vitin 1997 të trazirave nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Nuk arrij ta kuptoj.

Pati momente kur trajneri mendoi largimin nga Vllaznia, pasi kjo është hera e dytë që kërcënohet?

Unë kam qenë me të gjatë gjithë kohës pas kësaj ngjarje. E kuptoj që kjo është tepër e rëndë. Na ka fëlliqur komplet si qytet. Familja e Gjokës i kërkonte të rikthehej në Tiranë. Prandaj, unë personalisht e falënderoj shumë profesorin, pasi po të ishte dikush tjetër në vend të tij, ndoshta do të ishte larguar direkt. Gjithë Shkodra duhet ti jetë mirënjohës, sepse po del kundër familjes së tij për të qëndruar te Vllaznia.

Më mirë që u shty ndeshja me Luftëtarin? Pasi kujtojmë se gjirokastritët kishin disa mungesa dhe ndoshta një ditë më shumë kohë mund t’i shërbejë atij ekipi.

Mendoj se ishte e domosdoshme shtyrja e kësaj ndeshje me një ditë. Them kështu pasi asnjë nga çunat e ekipit nuk do e kishte mendjen te ndeshja. Kjo ngjarje ishte një goditje për të gjithë ne, nga lojtari i parë deri tek i fundit.

Si kapiten i Vllaznisë, keni frikë se kjo ngjarje mund të ndikojë negativisht te skuadra për sfidën e së dielës ?

Nuk e di. Prandaj unë isha i pari që i kam kërkuar kryetares dhe njëkohësisht presidentes së Vllaznisë që ndeshja me Luftëtarin të shtyhet. Kisha frikë së do të ndikonte shumë keq. Por, tashmë besoj se deri të dielën kemi më shumë kohë për tu përgatitur në mënyrën më të mirë për këtë takim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura