U lirua pa kryer dënimin, policia po e kërkon/ Si e fitoi lirinë para kohe “i tmerrshmi” i Beratit

Aug 3, 2020 | 10:12
SHPËRNDAJE

XHENTILA GJOSHI/ Të dënuar përjetë, por që tashmë shumica e tyre shijojnë lirinë jashtë ambienteve të burgut ku kanë kaluar një periudhë të gjatë të jetës. Gjykatat shqiptare gjatë viteve të fundit po u japin shansin krerëve apo anëtarëve të bandave kriminale famëkeqe në vendin tonë të qëndrojnë në liri edhe pse kanë kryer nga krimet më të rënda.

Një lirim i dhënë nga gjykatat shqiptare rreth një vit më parë ngjalli diskutime të shumta në vendin tonë.

pjimage (1)

Vendimi i lirimit ishte dhënë ndaj të “tmerrshmit” të Beratit, Lulzim Caka, i akuzuar dhe dënuar për tri vrasje. Sot Caka është në moshën 58-vjeçare, ndërsa krimet e tij datojnë prej 1995- ës, ndërsa u arrestua në Itali në vitin 2003 dhe u ekstradua në Shqipëri. Pas ekstradimit Caka nisi betejën me drejtësinë duke fituar në Kushtetuese të drejtën e rigjykimit dhe nga 75 vite burg, u dënua me 25 vjet.

Por si arriti të fitonte lirinë? Lulzim Caka i shpëtoi qëndrimit në qeli falë një mbrojtje të mirë që i është ofruar por edhe “ping-pongut” që bënë një sërë gjykatash, mes të cilave rrugën e lirisë ia hapi Gjykata e Lartë për rishikim vendimi, më tej Gjykata Kushtetuese dhe për “t’i vënë vulën” edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Lul Caka u soll në Shqipëri me një marrëveshje ekstradimi me Italinë në vitin 2003 dhe pas 16 viteve burgim atij iu konsideruan të shlyera 25 vitet e dënimit. Lirimi i Lul Cakës në korrik të vitit 2019 solli shkarkimin e drejtorit të burgut në Kosovë të Lushnjës dhe juristit të institucionit, ndërsa nisi një hetim për gjyqtarin që dha vendimin e lirimit të Lul Cakës.

Ky i fundit u shpall sërish në kërkim policor me arsyen se lirimi i tij ishte bërë padrejtësisht dhe se duhet të kthehej në qeli për të shlyer vitet e dënimit. Por deri më sot Lul Caka nuk është mundur të gjendet e të vihet sërish pas hekurave.

KRIMET E LUL CAKËS

Lulzim Caka u rekrutua nga “Banda e Karbunarës”, e cila drejtohej nga Bujar Sulaj (Loshi i Karbunarës), djali i tezes së tij. Më 26 mars 1999 Caka rishfaqet në skenë, kur akuzohet se ishte një prej atentatorëve të dy shefave të krimit të Beratit dhe Kuçovës, tek Ura e Samaticës.

Oficerët e policisë arritën të shpëtonin, por makina e tyre u dogj nga atentatorët. Por më tepër se nga Policia, Caka do të gjurmohej dhe sulmohej gjatë këtyre viteve nga hasmit e tij. Më 20 korrik 1997 Lulzim Caka bëri hapin e gabuar të përfshirjes në hakmarrjen mes fisit të Palëve dhe Yzeirëve në fshatin Rërëz në Berat.

Duke qenë njeri i afërt i fisit të Çalëve, Caka u implikua në vrasjen e Nezir Yzeirit, kunatës së tij Ashime dhe djalit të adoptuar të saj, Ilir Yzeiri. Ndërkohë në qershor 1998, ai hapi një tjetër hakmarrje, kur vrau Lulzim Eminin, vëllain e “Miles”, “të fortit të Fierit”. Pas një ndjekjeje të gjatë të Policisë, ai u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burgim për këtë vrasje. Por hekurat e burgut të Lushnjës nuk ishin tepër të sigurt për një vrasës si Caka.

Më 6 janar 2001, nëpërmjet një sharre, ai arriti të priste hekurat dhe të largohej nga qelia për t’u hakmarrë për përdhunimin dhe vrasjen e nënës së tij, Xhevries, 56-vjeçare, dhe vëllait Bardhoshit. Dy personat e dyshuar për krimin e fundit, Valter Bega, 21 vjeç, dhe Maringlen Cami, 22 vjeç, u vranë më 22 mars 2001 prej tij. Në dhjetor të vitit 2001 ai u kap në Foxhia të Italisë. Ndërsa në vitin 2003 u ekstradua në Shqipëri, ku qëndroi 16 vite në burg.

KUSH ISHTE LULZIM CAKA?

Një i ri nga Berati që karrierën kriminale e nisi me vjedhje, grabitje, vrasje e plaçkitje, mundi të kthehej në personazhin e botës së krimit.

Kur ai ishte 33 vjeç u vu nën akuzë për vrasjet e para dhe deri në vitin 1996 kur ai u përfshi në atentatin ndaj Gani Malushit dhe Ilir Ngresit. Caka pas arratisjes në Itali, ku qëndroi për një vit e gjysmë, u prangos në Foxhia për t’u sjellë në Shqipëri ku ndërroi mbi 4 burgje deri sa u vendos në Kosovë të Lushnjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura