“U largua nga detyra i ndershëm, vetëm me dy monedhat për…”- Profesor Mentor Petrela mesazh prekës për ndarjen nga jeta të ish-ministrit Maksim Cikuli

May 18, 2020 | 16:19
SHPËRNDAJE

mentor petrela-maksim-CikuliNga Mentor Petrela

Maksi shoku i jetës për të tre së bashku me Bernardin, u largua pas një sëmundje të rëndë që nuk arriti ta kronicizojë me gjithë përpjekjet e kolegëve. Nuk e kisha menduar se do shkruaja por ky është realiteti i jetës. Lindi në Korçë nga një familje e nderuar, i ati Dr. Zisa mjek e shkrimtar dhe e ëma Dr. Rashel Cohen pediatre nga hebrenjtë që lanë Spanjën në shekullin 15 dhe u vendosën në Perandorinë Osmane.

U edukua në Tiranë ku jetoi fëmijërinë gjimnazin dhe studioi Mjekësinë ”Cum Laude”. Pas një eksperience kurajoze me Zanën për katër vite në Kukës ku la mbresa, studioi dhe u diplomua në Paris nën kujdesin e veçantë të Jean Frezal, gjenetist ndërkombëtar, në spitalin Necker. Jeta e solli që në komunizëm edukimi familjar ishte baza me solide në mbrujtjen e karakterit në shpërndarjen e informacionit, leximit me qarkullimin e brendshëm të letërsisë së ndaluar nëpërmjet bibliotekave  familjare. Ezoterizmi në këtë drejtim krijonte avantazhin e njohjes së klasikëve mbi modernen që u thye pas viteve ’90.

I ftuar nga Z.Berisha, njëkohësisht koleg pranoi detyrën ad hominem të Ministrit të Shëndetësisë në qeverinë Meksi 1993-1997 për të kryer reformat themelore në shëndetësi dhe u rikthye në kabinetin e tij në 2006.

U largua nga detyra i ndershëm vetëm me dy monedhat për të paguar Karonin kur ta pyesë: ”Kush është ai që i la mjerimet e kokëçarjet dhe erdhi këtu të gjejë prehje?”

Koha do ta tregojë se të bërit shtet kërkon shtetar si Maksim Cikuli që grekët e vjetër zbrisnin  tek Hadi  mbretëria e të vdekurve e  kërkonin aty kur mërziteshin nga shterpësia njerëzorë mbi tokë sipas Aristofanit.

Në vazhdim jetoi i gëzuar me Zanën, familjen, prindërit, një privilegj në kontekstin e ndryshimeve të klimës së kulturës e sjelljes në shoqërinë post komuniste. Shpesh kohët e fundit citonim Ernest Becker ”Denial of Death” që e përballonte me humorin e tij karakteristik ebraik

Në shkollën fillore ”Murat Toptani” jam njohur me Maksin dhe më pas nuk u ndamë, ishte i vërtet, përbuzte sjelljet narcisike vulgaritetin, detyrat i kryente me seriozitet deri në fund pa fjalë duke zbatuar privatësinë pa të cilën nuk ka liri thoshte. Revoltohej kur politika rrudhte dhe i zë frymën opinionit publik, einpolitizieren të Hana Arendt.

I përkushtohej studentëve, një herë Grejs Kadare biologe në Paris më patë thënë se metodologjinë e shkrimit të tezës shkencore nuk e kam mësuar këtu por e kam nga profesor Maksi.

Drejtoi departamentin e pediatrisë të Fakultetit të Mjekesisë duke e orientuar drejt modelit francez si frankofil që ishte, ndërkohë përktheu së bashku me Zanën ”Samarkanden” të Amin Malouf.

Miqtë, të dashurit, kamaraderia do të kenë shumë të tregojnë se sot më janë shteruar fjalët nga lotët.

Do ta thërres si grekët e vjetër që të më dëgjojë ”Maksi, Maksi, Maksi”

Ndjesi për Rashelin, Zanën, Julin, Sarën, familjen…./ Panorama.al

*Titulli autorit: Maksim Cikuli, eulogji për një shok

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura