U largua dje jashtë Shqipërisë, flet Tahiri: Arsyeja pse jam në Gjermani

Nov 18, 2017 | 9:40
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA

Zbulohet arsyeja pse ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u largua pasditen e djeshme nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë.

saimir tahiri

“Panorma” shkruan se ai ka udhëtuar nga Aeroporti i Rinasit, ku dhe pritet të kthehet sot. Largimin në drejtim të Gjermanisë, Saimir Tahiri e konfirmoi vetë mbrëmë dhe për gazetën “Panorama”.

Ndërsa burime pranë familjes së tij, thanë se shkak i këtij udhëtimi kanë qenë çështje personale dhe ai kthehet sot. Nga ana tjetër, burime pranë Partisë Socialiste shtuan se shkak i këtij udhëtimi të Tahirit është një problem shëndetësor i babait të tij, Bashkim Tahiri.

Ai do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe për këtë arsye, prezenca e të birit atje ka qenë e domosdoshme. Ndërsa avokati i ish-ministrit, i cili është person nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, u shpreh se nuk ishte në dijeni të këtij udhëtimi.

Por nga ana tjetër, shtoi se lëvizjet e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë nuk përbëjnë asnjë detyrim për ta vënë në dijeni Prokurorinë, pasi ai është një njeri i lirë. Për më tepër, Gjykata nuk ka vendosur asnjë masë shtrënguese ndaj tij, bllokim pasaporte apo pengim për t’u larguar jashtë vendit.

I vetmi vendim Gjykate ishte kontrolli i banesës së tij në kuadër të hetimit për çështjen “Habilaj”, vendim që u ekzekutua nga Prokuroria.

ÇESHTJA “HABILAJ”

Udhëtimi jashtë Shqipërisë i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, vjen pas një heshtjeje të gjatë publike e mungesës së dy ditëve më parë në Parlament, ku emri tij u risoll në vëmendje gjatë diskutimeve.

Dalja e tij e fundit publike ishte në lidhje me sqarimin e pozicionit të tij në çështjen “Habilaj” ku ai mohoi akuzat e ngritura ndaj tij. Por përveç hetimeve të nisura në lidhje me grupin kriminal “Habilaj”, emri i tij doli sërish në skenë kur Policia e Elbasanit arrestoi biznesmenin Orest Sota, të cilit iu gjetën në automjet 863 mijë euro dhe patentat e Saimir Tahirit.

Por në lidhje me këtë çështje, deputeti nuk doli asnjëherë të sqarojë publikisht pozicionin e tij, arsyen pse patentat e tij u gjetën në makinën e Sotës, ashtu siç kishte bërë në çështjen e më- parshme, atë të dosjes “Habilaj”.

“Për prokurorët e çështjes, ishte shumë e nevojshme marrja e autorizimit për masën ‘arrest në burg’ ndaj Tahirit, pasi rrezikoheshin provat. Për sa kohë kjo kërkesë u rrëzua, çdo masë tjetër ishte e pakuptimtë (përfshirë edhe bllokimin e pasaportës). Ai, njëlloj, duke qenë i lirë, ka mundësi të ndikojë për provat dhe dëshmitarët”, thanë dje burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura