“U kthyen nga Italia vetëm për prindërit e moshuar. Tani ikën krejt!”/ Fqinjët të shokuar nga tragjedia në familjen Gjoka, ja rrëfimet e tyre

Sep 22, 2021 | 13:32
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Në fshatin Gajush të Lezhës ka pllakosur heshtja. Tragjedia në familjen Gjoka i ka tronditur të gjithë.

familja

Të paktë janë ata që e komentojnë ngjarjen e rëndë të Velipojës, ku nga shpërthimi i bombolës së gazit në hotelin në pronësi të familjes Gjoka humbën jetën 4 pjesëtarë të kësaj familjeje, më i fundit djali i vogël 12 vjeç.

Banorë fqinj thonë se kjo familje ishte kthyer vitet e fundit nga emigracioni për të qëndruar pranë prindërve të moshuar, ndërsa kishin ngritur biznesin në Velipojë, në të cilin ushtronin aktivitetin gjatë sezonit turistik. Një ngjarje të tillë e konsiderojnë shumë të rëndë, e ndërsa ajo që urojnë është që Zoti t’i japë forcë Arbenit, i vetmi që është gjallë nga kjo familje.

“Jemi tronditur, i njihja, jemi rritur me to. Janë familje shumë e edukuar, i ati tha e lashë Italinë vetëm prej pleqve, tani ikën krejt. I forcoftë Zoti! E rëndë boll”, thotë një banor. “Kishin ardhur për të jetuar në Shqipëri, patën marrë një lokal në Velipojë dhe u ndodhi si u ndodhi. Kjo ngjarje na ka tronditur shumë dhe uroj mos t’i ndodhë askujt”, tregon një fqinj. Ndërsa një banor i fshatit thotë se kishin shpresë se djali i vetëm i familjes do të mbijetonte, pasi kishte marrë plaga më të pakta nga shpërthimi.

“Jam shokuar shumë, kur mora vesh lajmin që kishte vdekur dhe djali 12 vjeç. Kishim shpresë do t’ia dilte sepse kishte marrë plagë më të pakta se pjesëtarët e tjerë të familjes. Unë nuk kam pasur kontakte me to, sepse ata kanë jetuar shumë vite në Itali, por këtu të gjithë falsin mirë. Kjo që ka ndodhur na ka mërzitur shumë dhe uroj që mos t’i ndodhë as hasmit”, thotë një banor.

familja

NGJARJA

Nga shpërthimi i bombolës sa gazit në Velipojë gjeti vdekjen nëna 40-vjeçare Alketa Gjoka dhe tre fëmijët e saj, Daniela, 19 vjeçe, Klarisa 15 vjeçe dhe djali i vetëm i familjes, Enriko Gjoka, vetëm 12 vjeç. Pavarësisht dërgimin për trajtim të specializuar mjekësor në Itali ata nuk mundën t’iu mbijetojnë plagëve të marra nga djegiet që kishin pësuar, ndërsa trupat e pajetë të nënës dhe djalit që gjetën vdekjen me 16 dhe 20 shtator ende nuk kanë mbërritur në Shqipëri. Të katërt mbeten të plagosur rëndë dhe u dërguan për mjekim të specializuar në Itali.

Më 11 korrik ndërron jetë 19-vjeçarja Daniela Gjoka dhe vetëm pak ditë më pas motra e vogël, Klarisa, 15 vjeçe. Nëna e tre fëmijëve, Alketa Gjoka, ndërron jetë më 16 shtator dhe 4 ditë pas saj edhe djali i vogël, Enriko. Kjo është tragjedia më e rëndë e shënuar ndonjëherë në vend nga shpërthimi i bombolës së gazit. Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm saqë i gjithë kati i parë i hotelit është shkatërruar. Familja Gjoka jetonte në Gajush të Lezhë dhe kishte në pronësi një hotel në plazhin e Velipojës. Dy muaj e gjysmë më parë shkuan për të bërë gati hotelin për sezonin turistik, por teksa Alketa Gjoka ndezi bombolën e gazit për të bërë kafenë, ndodhi shpërthimi i fuqishëm. Për ngjarjen Policia arrestoi tregtarin e gazit Petrit Mollaj, pasi tregtonte gaz në kundërshtim me ligjin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura