U kap me mina me telekomandë, përgjimi zbuloi tiranasin. U ul në lokal të pushonte, kur…

Jun 25, 2018 | 22:25
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Pergjimi prej disa kohesh ka zbuluar 40- vjeçarin nga Tirana, i cili u kap teksa transportonte minat me telekomande. I vënë në përgjim prej disa kohësh, Eduard Sinanaj nuk e kishte menduar se në lokalin ku ndaloi për të pushuar do të arrestohej nga forcat e Policisë.

mina

Operacioni policor i koduar “Udhëtimi” u finalizua pasditen e së shtunës në aksin rrugor Milot – Lezhë, në vendin e quajtur Ishull-Lezhë. 40-vjeçari Sinanaj u kap teksa po lëvizte me një automjet tip “Pezho”, ndërsa minat ishin të fshehura brenda një gome karroce, që ndodhej në bagazhin e makinës.

Policia nuk jep më shumë informacion për shkak të sekretit hetimor, por burimet thonë se ka dyshime se ai i prodhonte vetë minat me qëllim tregtimin. Gjatë marrjes në pyetje, Sinanaj nuk ka pranuar të tregojë destinacionin e minave që, siç duket nga pamjet, janë të lidhura me celular dhe gati për t’u përdorur, por dyshimet janë se do të shiteshin në Lezhë.

Eduard Sinanaj rezulton person me precedentë penalë, pasi në të shkuarën është dënuar për “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Policia e Lezhës thotë se operacioni ishte finalizim i një pune hetimore me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale. Më 11 maj të këtij viti, Policia e Lezhës sekuestroi 2 mina me telekomandë që po transportoheshin me një motor, dhe në atë rast vuri në pranga 36-vjeçarin nga Tirana, Fatjon Llanaj.

Ndërsa në muajin shkurt, Artur Popa, 46 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Valias, Kamzë, dhe Valtor Cala, 30 vjeç, u arrestuan po në Lezhë, ndërsa po transportonin 3 mina me telekomandë. “Më datë 23.06.2018, në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme, duke vendosur para përgjegjësisë ligjore autorët e dyshuar, nga Sektori për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, falë një pune profesionale të mirorganizuar, të ndjekur me metoda proaktive, u finalizua me sukses operacioni i koduar ‘Udhëtimi’, duke goditur një tjetër rast të tentativës për tregtim të minave me telekomandë.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Eduard Sinanaj, 40 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale ‘Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit’). Në aksin rrugor MilotLezhë, në vendin e quajtur Ishull Lezhë, u kap me automjetin e tij tip ‘Peugeot’ që po drejtonte, pasi në bagazh, në një rrotë karroce, kishte fshehur 6 mina me telekomandë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Vepra penale në ngarkim të tij ‘Trafikim i armëve dhe municioneve’”, bën të ditur Policia, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura